×
  • Lajme
  • Insajderi

    Ekskluzive: IPK pritet të rekomandojë suspendimin e policit ‘problematik’, Flamur Keka

    Insajderi
    11 July 2022 - 13:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Zyrtari policor, Flamur Beka ka rënë sërish ndesh me ligjin. Beka, së fundmi është përfshirë në një rrahje. Rasti ka ndodhur dy ditë më parë, në njërën prej kafiterive të Kamenicës.

    Polici në fjalë dyshohet se është përfshirë në një rrahje në grup. Detajet u dhanë edhe përmes raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës.

    “Rr. Skënderbeu, Kamenicë 09.07.2022-23:11. Raportohet se pas një mosmarrëveshje verbale janë rrahur mes veti katër meshkuj kosovar, të lënduarit kanë pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

    Për rastin janë njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës, derisa për Gazetën Insajderi konfirmuan se presin që pas hetimeve të rekomandojnë suspendimin e të njëjtit.

    “Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se IPK respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve janë të njoftuar lidhur me rastin në fjalë. Të njëjtit janë duke ndërmarrë veprime hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave përderisa në konsultim me prokurorin rasti vazhdon në procedurë të rregullt”.

    “Zyrtari policor i përfshirë në këtë rast është i dyshuar deri në këtë fazë të hetimeve për veprën penale sulm dhe IPK në interes të hetimit pritet të rekomandojë suspendimin për të njëjtin”, thuhet në përgjigjën e Inspektoratit Policor të Kosovës dhënë për Insajderin.

    Polici ‘problematik’ i njohur për Policinë e Kosovës

    Dy muaj më parë, Policia e Kosovës ka hapur rast ndaj dy zyrtarëve policorë, pasi njëri prej tyre, Flamur Beka e kishte lejuar një vajzë t’ia hapte derën e veturës së policisë dhe ta lironte shoqen e saj.

    Ai shihej duke biseduar me një vajzë, derisa qëndron i mbështetur në veturën zyrtare të policisë.

    Ndërkohë, në nëntor të 2021-ës, Flamur Beka i veshur si civil dyshohej se kanosi me armë zjarri sigurimin e një lokali në rrugën “B” në Prishtinë, pasi që nuk ishte lejuar të futej aty pa rezervim të mëhershëm.

    Ndalimi prej sigurimit të lokalit e kishte acaruar këtë zyrtar policor, i cili më pas kishte tentuar të futej me forcë brenda dhe gjatë konfrontimit dyshohet se kishte nxjerrë edhe armën e zjarrit, me të cilën kishte kërcënuar dy rojet dhe klientët e lokalit.

    Zyrtari policor nuk ishte prezantuar si polic kur kishte provuar të futej në lokal dhe as kur ishte arrestuar nga kolegët e tij. Ai e kishte fshehur faktin që ishte polic edhe nga patrulla policore që kishte shkuar ta arrestonte në vendin e ngjarjes.

    Për përfshirjen e policit Flamur Keka dhe një kolegut të tij në këtë rast të ri ishte njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës. Derisa kishin rekomanduar suspendimin e tij dhe ndaj tij ishte hapur rasti si “Kanosje”.

    Lexo edhe:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark