×
  • Lajme
  • Analiza

    Rezistenca kundër shamisë dhe përzënia e islamistëve nga partia – Si u shpërblyen nga Kurti dyshja Nagavci e Rama?

    Insajderi
    24 October 2022 - 12:38
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Me islamistët jashtë pozitave kyçe në parti dhe me shtypjen e kërkesave për shaminë në shkolla, Kurti duket se e ka fituar tashmë betejën kundër bashkë partiakëve me bindje fetare myslimane. Dje iu ka dërguar edhe një mesazh. Ka shpërblyer me poste Alim Ramën e Arbërie Nagacin, dy njerëzit që kishin udhëhequr betejat kundër bashkë partiakëve me bindje fetare.

    Albin Kurti gjatë tërë 2022’ës pati telashe të mëdha me besimtarët mysliman që janë pjesë e partisë së tij. Zhvillonte betejë me ta në dy fronte. Në një anë i kërkohej shfuqizimi i udhëzimit administrativ që ndalonte bartjen e shamive në shkolla. Ndërsa në anën tjetër këmbëngulte që ta votonte Kodin Civil që lejonte martesat mes të njëjtës gjini.

    Dy njerëzit e tij që ishin në ballë të “luftës”, kundër besimtarëve mysliman tashmë janë shpërblyer me poste të rëndësishme në parti, shkruan Gazeta Insajderi.

    Arbërie Nagavci është emëruar në postin e kryesues së Këshillit të Përgjitshëm të Vetëvendosjës. Ndërsa Alim Rama në postin e sekretarit organizativ të partisë.

    Beteja e Nagavcit kundër shamisë

    Ministrja Arbërie Nagavci udhëhiqte betejën e parë. Ishte në krye të detyrës për refuzimin e kërkesave që vinin nga një numër i madh aktivistësh e votuesish të Vetëvendosjes.

    Kuri kishte premtuar në fushatë lejimin e bartjes së shamive në shkolla. Por, kishte ndryshuar qasjen me të ardhur në fushatë.

    Nagavci si ministre e arsimit u detyrua që të luftonte kërkesat e besimtarëve mysliman që ia rikujtonin Kurtit premtimin në fushatë zgjedhore.

    Një peticion i madh online ishte bërë viral. Kërkonte shfuqizimin e udhëzimin administrativ numër 06/2014 të Ministrisë së Arsimit.

    Peticioni ishte nënshkruar nga një numër prej mbi 10 mijë nënshkrimesh.

    Por, ky numër i madh nënshkrimesh nuk kishte kryer punë. Nagavci ishte deklaruar se fushata “Ta ndryshojmë u_a për shaminë” është e paqëndrueshme duke lënë të kuptohet se udhëzimi nuk do të ndryshohet.

    Kurti e kishte përjashtuar vetën nga lëshimi i ndonjë deklarate refuzuese. Në një konferencë shtypi kishte pohuar se do të kemi projektligj për komunitetet fetare.

    Kurti deklaroi se nuk do të ketë ndalim të elementeve fetare, por tha se mosha 16 vjeçare është pragu.

    “Qëndrimi është që të mos ndalohet mbajtja e shamisë dhe elementeve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve. Mirëpo, kam thënë edhe se pragu është 16 vjet”.

    “Ne do ta kemi edhe e projektligjin për liritë fetare, për komunitetet fetare, por qëndrimin tim unë e kam thënë para shumë vjetëve. Nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe elementeve tjera fetare në jetën publike të qytetarëve, duhet të jenë të lirë, por kam thënë se mosha 16 vjeçare është pragu”, ka deklaruar Kurti gjatë muajit gusht.

    Kjo deklaratë e tij përbente garancë për realizimin e premtimit të fushatës zgjedhore.

    Përderisa si pushtetar ishte konfuz dhe i zbehtë në deklarim, Kurti kur ishte opozitarë ishte i prerë dhe bindës që shamia do të lejohej.

    Në vitin 2017 në një iftar në Prishtinë, Kurti tha se do ta luftojë islamofobinë.

    “Do ta luftojë islamofobinë e cila është e pranishme. Do ta luftojë edhe stigmatizimin e Islamit”, tha Kurti në vitin 2017.

    “Ne nuk do ta pengojmë një vajzë të shkollohet apo një vajzë që jep mësim në sistemin arsimor për shkak se në njërën anë është e drejta e mësimit dhe në anën tjetër është bindja jonë se është e rëndësishme se çfarë ke në kokë e jo mbi kokë”, shtoi Kurti atëbotë.

    Në vitin 2016, Lëvizja Vetëvendosje kishte shkruar një komunikatë duke theksuar se nga mosha 16 vjeçe duhej të lejohej mbajtja e shamisë.

    “Në fund jemi pajtuar që një vajzë e cila ka mbushur moshën 16 vjeç, ka të drejtë të marrë vendim të pavarur individual për mbajtjen e shamisë. Kjo moshë është përcaktuar duke marrë për bazë ligjet aktuale në Kosovë, të cilat ua lejojnë vajzave në këtë moshë edhe vendimin për martesë, si shenjë e pjekurisë dhe moshës madhore. Gjithashtu, qëndrimi ynë është i qartë se fytyra duhet të jetë e zbuluar”, thuhej në komunikatën e Vetëvendosjes.

    Nagavci insistonte se kjo fushatë nuk është e bazuar dhe e qëndrueshme.

    “Sa i për Udhëzimit Administrativ është fol shumë kohëve të fundit. Dua të bëjë të qartë se nuk ka ndonjë udhëzim administrativ për shaminë. Nuk ka pas asnjëherë me sa unë e di. E gjithë kjo fushatë që është ngritur kohëve të fundit nuk është të themi e bazuar dhe e qëndrueshme. Është i përcaktuar qartë karakteri i shtetit tonë dhe i institucioneve publike”.

    Sipas saj, udhëzimi administrativ që kundërshtohej sipas saj ka të bëjë me mbarëvajtjen e punës në shkollat e mesme dhe të larta.

    “Udhëzimi administrativ të cilit iu kanë referuar ka të bëjë me mbarëvajtjen e punës në shkollat e mesme dhe të larta. Është e vërtetë që ky udhëzim administrativ ka disa çështje ligjore, sepse preambula të cilës i referohet nuk ka të bëjë specifikisht me kompetencat e MASHT-it. Por, e vërteta është që rekomandimet janë dhënë që ai udhëzim të mbetet në fuqi. Ne nuk mund ta ndryshojmë një nen specifik. Udhëzimi do të mbetet në fuqi dhe do të shohim tutje vetëm në aspektin formal ligjor”, thoshte Nagavci.

    Beteja tjetër: Përzënia e islamistëve nga postet në parti

    Albin Kurti ishte nervozuar shumë kur një numër i madh i deputetëve kishin refuzuar ta votonin Kodin Civil që lejon martesat mes të njëjtës gjini. Njeriu që kishte fituar mbi 50 përqind të votave nuk kishte fuqi vendim marrëse që ta shtynte përpara votimin e tij në parlament. Shpërfillja e fuqisë së tij e kishte nervozuar kryeministrin.

    I kishte kërcënuar deputetët me bindje fetare se nuk do t’i fuste në zgjedhjet e ardhshme në listat për deputetë. Ky kërcënim nuk kishte kryer punë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Madje, deputetet e anëtarët e partisë me bindje fetare synonin edhe pozita drejtuese në parti. Kishin konkurruar për të drejtuar degët e partisë, në zgjedhjet e brendshme.

    Kurti ishte mobilizuar për t’i ndaluar. Njeriu që kishte bërë betejë frontale kundër tyre ishte Alim Rama. Ai ishte caktuar nga partia në pozitën e Komisionit Zgjedhor të Përgjithshëm. Detyra e këtij komisioni ishte që të verifikonte kandidaturat e secilës degë të Vetëvendosjës.

    Një pjesë e kandidatëve ishin eliminuar me arsyetimin se kanë bërë veprime që nuk janë në përputhje me vlerat partiake.

    Kishin shpërthyer ankesat kundër këtij komisioni. Ankesat kishin një të përbashkët: Kandidatët e refuzuar ankoheshin se janë marrë në pyetje për qëndrimet e tyre për Kodin Civil.

    Me 8 shtator ish-drejtori i Urbanizmit në Prizren, Beni Kizolli pati njoftuar se është eliminuar nga gara për të kreun e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, ndërsa ka njoftuar se për këtë e ka njoftuar një zyrtar nga KZP-ja.

    Përveç se e quajti vendim arbitrar dhe shkelje të statutit, Kizolli theksuar se me eliminimin e tij, po degradohet demokracia brenda Lëvizjes, duke e shndërruar garën me një kandidat të vetëm, me parimin “një kandidat një votë”.

    Për më tepër Kizolli tha se para eliminimet nga gara kishte marrë një telefonatë, prej një zyrtari të KZP,-së, i cili kishte kërkuar nga ai sqarime për qëndrimin rreth Kodit Civil, përkatësisht nenin për komunitetin në fjalë dhe kjo ishte përgjigja ime, lidhur me pjesën e Kodit Civil:

    “Jam “pro” Kodit Civil.  Jam “Kundër” nenit për komunitetin në fjalë, ngase nuk ka pasur sqarime për qëndrimin final të Lëvizjes për këtë çështje. Në këtë pikë, veçanërisht për çështjen e birësimit që nesër do të rregullohet me ligj, i cili do të ketë mbështetje në këtë KOD, jam KUNDËR”.

    “Po, kam status dhe kam përkrahur faqen “Familja”. Po të kishte kaluar në Parlament, nuk kam pasur ndërmend të distancohesha nga Lëvizja, por edhe trajtimin e Lëvizjes për qëndrimin tim ndaj Kodit Civil dhe distancimin nga unë, nuk po e vlerësoj si të shëndoshë”, pati deklaruar Kizolli pas përjashtimit nga gara.

    Në shtator nga gara ishte përjashtuar edhe Shkelzen Bislimi.

     Ky anëtari i dorëhequr i Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan, thoshte se ai u eliminua nga zyra qendrore e partisë, pasi sipas tij “është një grup në qendër, që po vendos për eliminime”.

    Bislimi pati deklaruar se e kishin ftuar në zyre ta lexoj arsyetimin e eleminit por se zyrtarë të VV-së I kishin thënë se mund ta lexoj por jo ta ketë kopjen.

    “Më ftuan në zyrën e Lëvizjës në Lipjan. Më thanë se duhet të vish për ta lexuar arsyetimin, por jo me pasë kopje, jo me e fotografu dhe jo me e dërgu në email”.

    “Është një grupacion aty që bën dallime, bën dasi. Përderisa po e favorizojnë një kandidat. Ai është edhe deputet, e ka një përparësi. Ndoshta edhe frikësohen se po largohet”, tha ai.

    Ngjashëm deklarohet t’i ketë ndodhur edhe aktivistit Ramadan Beshiri. Ai pretendon se iu mohua e drejta për kandidim, pasi thotë se u quajt “islamik”.

    Këtu aludon rreth qëndrimit për Kodin Civil, e cila është raportuar se po bëhet si arsye për të “eliminuar” kandidatë.

    Ndër të tjera, Beshiri thotë se VV-ja ia mohoi garën edhe pasi i doli kundër Agim Bahtirit në zgjedhjet lokale, shkruan Gazeta Insajderi. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark