×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Debati që dridhi vendin – a e rrezikon shamia shtetin e Kosovës?

    Insajderi
    16 August 2022 - 16:05
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit (MASHTI), ka thënë se është duke e trajtuar me kujdes kërkesën për ndryshimin e një neni në udhëzimin administrativ, i cili ua ndalon vajzave me mbulesë të vijojnë procesin mësimor.

    “Si ministri këtë çështje jemi duke e trajtuar me kujdes dhe sapo të kemi një vendim të ri do të ju njoftojmë. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit e ka obligim që të sigurohet që çdo fëmijë të jetë në shkollë”, ka thënë ministria e Arsimit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kjo deklaratë është lëshuar pas kampanjës “Ndryshojeni Udhëzimin Administrativ për shaminë”, i cili vërshoi internetin këto ditë.

    Durim Berisha dhe Liridon Kurti po kërkojnë të ndryshohet Neni 3, paragrafi 1.13 i Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014 i cili ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla që ishte hartuar në vitin 2014 nga ministria e Arsimit.

    Para disa ditësh ata i kanë dërguar shkresë ministres së MASHTI-t, Arbërie Nagavcit, për t’i kërkuar ndryshimin e nenit 3, pasi sipas tyre, bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

    Personat publikë që e shohin shaminë si rrezikim të rendit sekular dhe liberal të Kosovës

    Ismet Kryeziu, drejtori i Institutit Demokratike të Kosovës, është shprehur kundër lejimit të shamisë në shkolla, nga vajzat që i kanën nën 18 vjet. Ai për këtë çështje ka renditur edhe disa arsye.

    “Po përpiqen ti vënë përballë njëra-tjetrës, martesat e të njëjtit seks dhe mbulimin e fëmijëve me shami. Pozicioni në favor të martesave të të njëjtit seks dhe qëndrimi kundër mbulesës për fëmijët e ka të njëjtën logjikë, respekt dhe angazhim për të drejtat e njeriut. Respektimin e shtetit laik, i cili ka në qendër të drejtat e qytetarëve dhe rregullimin e jetës bazuar në këto parime”, ka shkruar Krasniqi.

    “Në rastin e parë, qëndrimi pro, është në favor të së drejtës së të rriturve për të vendosur për zgjedhjen ose orientimin e tyre seksual. Në rastin e dytë, qëndrimi kundër shamisë, është në favor të drejtave të fëmijve – që pa qenë të zonjat e vetës, vajzat të mos mbulohen me shami si imponim apo ndikim i rrethit dhe familjes”.

    “Përndryshe, nuk po lexoj askënd kundër shamisë si të drejtë zgjedhjeje, nëse zgjedh të mbulohesh si e rritur pas moshës 18 vjeçare”, ka thënë tutje ai, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kundër ndërrimit të udhëzimit administrativ të Ministrisë së Arsimit ka dalë edhe ish-ambasadori Lulzim Peci.

    “Shpresoj se Qeveria e Kosovës nuk do të bëjë një gabim madhor duke e ndryshuar udhëzimin administrativ qe ndalon bartjen e uniformes fetare – shamisë në shkolla, pasi me ketë karakteri sekular i vendit tone do te goditet ne themel, e me ketë edhe shtylla mbajtëse e identitetit shqiptar ne vendin tone”.

    Se pari duhet te shtrohet pyetja se çfarë agjende janë duke shtyrë ata që po e kërkojnë këtë gjë? A kemi këtu të bëjmë me te drejtat e njeriut, apo me atë qe e ka emrin e vërtetë – futjen e islamit politik përmes derës se vogël ne institucionet shtetërore? Une jam i bindur qe ka te bëjë me të dytën, që në thelb ka të bëjë me ndryshimin e karakterit sekular të Kosovës që do ta shkatërroj kohezionin shoqëror të popullit tonë”, ka thënë Peci, i cili ka bërë edhe disa reagime të tjera kundër kësaj çështjeje gjatë ditëve të shkuara, transmeton Gazeta Insajderi.

    Në debatin për shaminë ishte përfshirë edhe publicisti Jusf Buxhovi.

    Ai ka thënë se shembja e shtetit fillon aty ku politikanët flasin me gjuhën e klerikëve dhe ndjekin interesat e tyre.

    “Aty ku klerikët flasin si politikanë dhe e ndikojnë atë dhe, aty ku politikanët flasin me gjuhën e klerikëve dhe ndjekin interesat e tyre, hap pas hapi fillon shembja e shtetit sekular dhe, po ashtu, fillon rrënimi i arsimit laik. Në këtë proces retrogard, evolucionet historike që kanë sjell emancipim iluminist, zëvendësohen nga revolucionet fetare sipas modeleve të njohura ku emancipimi dhe iluminizmi zëvendësohet me klerikalizmin politik, që për viktimë të parë ka ndërrimin e identitetit kombëtar dhe qyetetërues në atë fetar,siç po ndodh me krijimin e etnive fetare në Sanxhak, Luginë të Preshevës dhe Maqedoni, me çka krijohen platformat për shtete mbi baza fetare”, ka shkruar ai, transmeton Gazeta Insajderi.

    Kush është pro ndryshimit të udhëzimit administrativ?

    Kërkesë për ndryshim të Udhëzimit Administrativ, në mënyrë që vajzave t’u lejohet mbajtja e shamisë në shkolla, ka bërë edhe Bashkësia islame e Kosovës.

    Kryeetari i BIK-ut i është drejtuar kryeministrit Albin Kurti, duke kërkuar të largohet pika 1.13 e nenit 3 në udhëzimin administrative ngase sipas tij është diskriminues.

    “Është kërkesë e kamotshme e Kryesisë së BIK-ut, institucioneve të saj dhe besimtarëve myslimanë që të shfuqizohet, respektivisht të hiqet e tëra pika 1.13 e nenin 3, në Udhëzimin Administrativ 06/2014, ngase është diskriminuese, dhe si e tillë në disa raste ka pas tentime që duke u thirr në këtë udhëzim, respektivisht në këtë nen t’u mohohet e drejta e shkollimit nxënëseve që bartin mbulesën myslimane – shaminë”, thuhet në njoftimin e BIK-ut, shkruan Gazeta Insajderi.

    Një përgjigje jo direkt për BIK-un, por në përgjithësi mbi këtë çështje Kurti e ka dhënë para disa ditësh.

    “Qëndrimin tim, e kam thënë para shumë viteve, e qëndrimi është që nuk duhet të ketë ndalim të shamisë dhe të elementëve të tjera fetare në jetën publike të qytetarëve, duhet të jenë të lirë, por gjithashtu kam thënë se mosha 16-vjeçare është pragu dhe në moshën 16-vjeçare ne e shohim si prag për shumë gjëra të cilat kanë ndodhur por edhe të cilat do të duhej të ndodhin”, deklaroi sot Kurti, derisa shtoi se ministria e Arsimit është duke ndjekur me vëmendje çështjen e ngritur, shkruan Gazeta Insajderi.

    Në kulmin e fushatës zgjedhore, në qershor të 2017-ës, tash kryeministri që atë kohë e lypte pushtetin, ishte shprehur qartazi kundër ndalimit të arsimimit të vajzave me shami.

    “Prej vitit 2011 ne e kemi pasur të qartë qëndrimin tonë që ne jemi kundër ndalimit të mbajtjes së mbulesës”, kishte thënë Kurti, transmeton Gazeta Insajderi.

    “Ka pasur tendenca për ta ndaluar atë, ne jemi kundër ndalimit – pra ne nuk do ta pengojmë, një vajzë që shkollohet, a një vajzë që jep mësim në sistemin arsimor – për shkak se në njërën anë është e drejta e arsimit, dhe një njërën anë tjetër është bindja jonë se çka ken ë kohë, e jo mbi kokë”.

    Derisa, udhëheqsja e Arsimit në vend, Arbёrie Nagavci, pati thënë qershorin e kaluar se për çështjen e mbulesës në shkolla dhe jo vetëm, duhet të hapet debat dhe të flitet me argumente nga ekspertë të fushave.

    “Ne duhet të punojmë bashkë, sepse po flasim për atë që është më e mira për fëmijë. Duhet të sigurohemi që asnjë vajzë të mos na mbetet jashtë bankave shkollore dhe duhet të sigurohemi që askujt, të mos i imponohen gjëra që mund të jenë në konflikt ose të jenë kundër asaj që e përcakton Kushtetuta”, pati thënë Nagavci, shkruan Gazeta Insajderi.

    Dy peticione, pro dhe kundër shamisë

    Para disa ditëve është lansuar peticioni online me titull ‘Ndryshoni udhëzimin administrativ për shaminë’. Pasi u siguruan 20 mijë e 152 nënshkrime, ky peticion ka mbaruar.

    Në arsyetimin e autorëve të këtoj peticioni thuhet se “Më 28.01.2014 Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka miratuar Udhëzimin Administrativ Nr. 06/2014, i cili në nenin 3 paragrafi 1.13 përcakton se “Ndalohet… veshja e uniformes fetare”. Ndonëse kjo dispozitë nuk i referohet një komuniteti të caktuar fetar në Republikën e Kosovës, praktika ka dëshmuar se kjo dispozitë është përdorur vetëm për të përjashtuar nga procesi mësimor vajzat muslimane që kanë vendosur mbulesën e kokës”.

    Image

    Ata pretendojnë se kufizimi i lirive dhe të drejtave themelore përmes një akti nënligjor ka pamundësuar qasjen e barabartë në arsim për vajzat e komunitetit musliman.

    Gjithashtu, bëhet thirrje për Ministrinë e Arsimit që ta largojë këtë dispozitë.

    Më 01.08.2022 është dorëzuar formalisht një kërkeë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, përmes të cilës është kërkuar anulimi i nenit 3 paragrafi 1.13 të Udhëzimit Administrativ nr. 06/2014.

    I menjëhershëm ka qenë reagimi nga ‘pala tjetër’.

    Është lansuar një tjetër peticion, kësaj radhe që bën thirrje për ndalimin e shamisë në shkolla.

    ‘Kundërpeticioni’ që mban emrin ‘STOP mbajtja e shamisë nëpër shkolla dhe në Kosovë’, duket se ka qëllim kundërshtues ndaj shamisë në pëergjithësi, jo vetëm nëpër shkolla. Edhe pse, ky peticion duket të jetë privat, ndërsa titulli përmban gabime elementare drejtshkrimore.

    Image

    Ndryshe, çështja e mbajtjes së shamisë ishte aktualizuar edhe në prill, kur Florentina Gjergjaj, drejtoresha e shkollës së Mesme Teknike ”Nexhmedin Nixha” në Gjakovë, kishte vendosur një shenjë ku tregonte se ndalohet mbulesa e vajzave në shkollën që ajo drejton.

    Pas reagimeve të shumta për rastin, Gjergjaj pati thënë se vetëm po e respektonte Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, duke i quajtur paragjykuese akuzat ndaj saj.

    “Për të dhënë përgjigje për akuzat paragjykuese, tendencioze dhe linçuese ndaj meje, ju ftoj ta lexoni Udhëzimin Administrativ të MASHT-it 06/2014. Pastaj, besoj edhe ju vetë do ta kuptoni ngutinë dhe naivitetin e reagimit tuaj linçues ndaj meje”, pati shkruar Gjergjaj, transmeton Gazeta Insajderi.

    “Ju mbase si pushtetare e konsideroni veten mbi ligjin, por unë si drejtoreshë e shkollës nuk ia jap asnjëherë këtë të drejtë vetes sime. Krejt çka angazhohem gjatë punës sime, krahas ngritjes së nivelit të arsimimit në Shkollën “Nexhmedin Nixha”, është edhe respektimi i ligjeve dhe udhëzimeve administrative në fuqi. Dhe asnjë fushatë e ulët, manipuluese me dashakeqësi dhe përçarëse si kjo e juaja ndaj meje nuk do të mund të ndikojë që unë t’i shkeli ligjet dhe udhëzimet administrative gjatë kryerjes së detyrës sime”.

    E njëjta pas kërcënimeve të shumta që kishte marrë, së bashku me familjen e saj ishte larguar nga Gjakova.

    Neni 3, paragrafi 1.13 i Udhëzimit Administrativ Nr. 06/2014 i cili ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla që ishte hartuar në vitin 2014 nga ministria e Arsimit.

    Kushtetuta e Kosovës e përcakton shtetin si “laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare”./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    26 April 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark