
Ndërmarrjes publike “Hidrodrini”, iu kanë rikthyer telashet. Drejtori Dri Cena është denoncuar nga sekretari i kësaj ndërmarrje, Ardit Gervalla, shkruan Insajderi.
Sekretari i KRU Hidrodrini në Pejë, ka konfirmuar për Insajderin se ka dorëzuar kallëzim penal lidhur me shkeljet e konstatuara në këtë ndërmarrje.
“Konfirmoj se kam dorëzuar një kallëzim penal pranë Prokurorisë Speciale lidhur me shkeljet e konstatuara në K.R.U. “Hidrodrini” Sh.A – Pejë.
Kallëzimi penal ka ardhur si shkak i veprimeve që bien ndesh me ligjin.
“Si Sekretar i ndërmarrjes, e kam obligim ligjor dhe moral që të raportoj veprime që bien ndesh me ligjin, me rregulloret e brendshme dhe me parimet e barazisë në punësim publik. Kallëzimi penal tashmë është pranuar nga Prokuroria dhe unë jam ftuar për intervistë si kallëzues.
Gervalla ka shtuar se qëndrimi i tij është i qartë që ndërmarrjet publike t’i takojnë qytetarëve dhe duhet të menaxhohen me ligjshmëri.
“Për këtë arsye, nuk mund të hyj në detaje të mëtejshme, pasi çështja është nën kompetencën e organeve të drejtësisë. Qëndrimi im është i qartë: ndërmarrjet publike i takojnë qytetarëve dhe duhet të menaxhohen me ligjshmëri, transparencë dhe përgjegjësi, jo me tejkalim të kompetencave apo favorizime. Askush mbi Ligjin“, tha për Insajderin Gërvalla.
Insajderi kishte raportuar në vazhdimësi për parregullësitë e ‘KRU Hidrodrini’ gjatë kohës së Cenës si kryeshef ekzekutiv. Raportimet mund t’i gjeni më poshtë: