Champions League vjen në skenë këtë të martë me përballjet e kthimit të 1/8 që do të përcaktojnë edhe dy prej skuadrave që do ta avancojnë në çerekfinale.
Në Madrid , Atletiko e pret PSV-në dhe pas barazimit pa gola që dy skuadrat patën në “Philipps Stadion” gjithçka mbetet e hapur me skuadrën e Simeones që ka në krahun e saj avantazhin e faktorit fushë por nga ana tjetër formacioni i Phillip Cocu shpreson të befasoj pasi i mjafton edhe një barazim me gola për të kaluar këtë raund.
Me një sukses Atletiko do të siguronte për të tretin vit radhazi avancimin në çerekfinale. Diego Simeone që fitoi në fundjavë 3-0 ndaj Deportivo La Coruna-s do të kërkojë medoemos kualifikimin.
Psv në krahun tjetër synon të arrijë çerekfinalen e parë të Champions-it në 9 vitet e fundit , por për të arritur dicka të tillë ju duhet të thyejnë disa tabu pasi këtë sezon nuk kanë shënuar asnjë fitore në udhëtim në garat evropiane.
Në sfidën tjetër të mbrëmjes Manchester City duket se është me një këmbë në çerekfinale pasi pret Dinamon e Kievit pas fitores 3-1 që skuadra angleze arriti në kryeqytetin ukrainas me golat e Sergio Aguerro, David Silva dhe Yaya Toure.
Skuadra e Manuel Pellegrinit edhe pse me mungesa të rëndësishme si Kevin De Buryne e Samir Nasri pritet që ta administrojë një avantazh të tillë edhe për faktin se kundërshtarët e tyre ukrainas nuk kanë fituar në asnjë nga 13 vizitat e tyre të mëparshme në Angli duke i humbur 11 prej këtyre ndeshjeve.