Banka Qendrore e Kosovës (BQK) vitin që shkoi riktheu Agron Ramadanin, zyrtarin e lartë që ishte arrestuar më 2018-ën për falsfikim të diplomës së shkollës së mesme dhe asaj të arsimit të lartë. Ramadani ishte rikthyer në një pozitë të lartë në BQK, i cili ishte në listen e emrave të 40 të rekrutuarve në dy vitet të fundit nga institucioni kryesor financiar në Kosovë.
Insajderi i ka drejtuar BQK-së disa pyetje në gusht, për të kuptuar nëse Ramadani është rikthyer në punë pas një padie civile apo me vendim të institucionit, sa kohë i është paguar gjysma e pagës gjatë pezullimit dhe mbi çfarë baze ligjore është marrë vendimi për rikthimin e tij.
Gazeta ka kërkuar gjithashtu të dijë nëse diploma e Ramadanit gjendet aktualisht në dosjen e tij në burimet njerëzore të BQK-së dhe nëse institucioni e ka verifikuar dokumentacionin e tij arsimor.
Pavarësisht se kanë kaluar më shumë se dy muaj nga dërgimi i pyetjeve, BQK-ja nuk i ka kthyer përgjigje Insajderit. Gazeta i është drejtuar sërish institucionit të martën, duke pyetur nëse mund të presë përgjigje, por nga ky institucion nuk i janë përgjigjur as kësaj kërkese.
Siç ka raportuar më herët Insajderi, Ramadani ishte arrestuar në vitin 2018 nën dyshimet për falsifikim të diplomës së shkollës së mesme dhe asaj universitare. Sipas informacioneve të bëra publike nga Prokuroria në atë kohë, ai dyshohej se i kishte përdorur këto diploma për të përfunduar studimet master në Universitetin e Strugës.
Sipas hetimeve të Prokurorisë, ai dyshohej se me këto dokumente kishte arritur të avancojë edhe në pozita të larta në BQK, përfshirë pozitën e drejtorit për Mbikëqyrje të Kompanive të Sigurimeve dhe Pensioneve.
Para pezullimit nga puna, Ramadani mbante pozitën e shefit të Divizionit për Rishqyrtim dhe Ankesa. Pas rikthimit, ai u vendos në pozitën e udhëheqësit të Divizionit të Administratës dhe Logjistikës.
Në përgjigjen e dhënë për raportimin paraprak të Insajderit, BQK-ja kishte thënë se rikthimi i tij ishte bërë pas një aktvendimi të formës së prerë dhe të plotfuqishëm të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
“Lidhur me çështjen që keni ngritur, ju njoftojmë se kthimi në punë në pozitën ekuivalente me atë që kishte në momentin e pezullimit të përkohshëm është bërë pas aktvendimit të formës së prerë dhe të plotfuqishëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm me numër P.nr. 2591/19, pas të cilës ligjërisht kanë pushuar rrethanat mbi të cilat është marrë vendimi për pezullimin e të punësuarit”, thonin nga BQK’ja.
Megjithatë, përgjigjja e atëhershme e BQK-së nuk i kishte sqaruar të gjitha çështjet që lidhen me dokumentacionin arsimor të Ramadanit.
Gazeta Insajderi kishte raportuar në tetor të vitit që shkoi lidhur me një numër të madh punësimesh të kryera brenda dy vitesh nga guvernatori i BQK’së, Ahmet Ismaili.
Lista e siguruar nga Insajderi përfshinin emrat si në vijim: Herolind Lahu, Adelina Jakupi, Rinesa Bislmi, Imer Shevelli, Mërgim Hajrizi, Blerina Surdulli Gashi, Argjend Rexhaj, Agnesa Gashi Zeka, Dafina Hasani, Durime Haklaj, Gresa Baliu, Tanita Krasniqi, Lule Bahtiri, Agron Ramadani, Ertan Iliyaz, Besant Sahiti, Diellza Musa, Valmire Morina Tunaj, Naim Zeqiri, Shqipe Qerkini Grainca, Violla Begolli, Arbenita Demaku, Shkurta Obrazhda, Festa Kusari, Liridon Xërxa, Shpetim Manaj, Vlora Goqiqi Zeka, Blerta Hyseni, Albun Lufi, Fortesa Statovci, Zana Isufi, Elona Leci, Blerta Foniqi dhe Suzan Dervari.
Pra, në mesin e të rekrutuarve ishte edhe Agron Ramadani.
Insajderi kishte kërkuar qasje të plotë në dokumentet e konkurseve dhe arsyetimin e BQK-së për mënyrën se si janë bërë rekrutimet. Megjithatë, BQK-ja nuk i ka dhënë Insajderit qasje, duke thënë se procedurat dhe dokumentacioni për punësimet janë pjesë e autonomisë ligjore të institucionit dhe përfshijnë të dhëna personale të mbrojtura, të cilat nuk mund të bëhen publike sipas politikave të brendshme të BQK-së.
Derisa BQK-ja kishte kryer këtë “operacion punësimesh”, dilte se institucioni po kërkonte edhe një objekt të ri me qira për të vendosur pjesën e stafit të ri.
Gazeta Insajderi kishte pyetur BQK-në se pse po kërkohet ky objekt dhe për kriteret e zgjedhjes së tij. Në përgjigjen e saj, BQK-ja kishte thënë se “procesi i kërkimit dhe marrëveshjes për objekt me qira është duke u zhvilluar sipas nevojave institucionale dhe standardeve ligjore, duke garantuar që hapësirat e reja të plotësojnë kërkesat funksionale dhe sigurie për stafin dhe dokumentacionin e institucionit”, duke shmangur detaje të mëtejshme për lokacionin ose procedurat e ofertave publike.
Në media para disa vitesh ishte raportuar edhe se Ramadani kishte aktakuzë për kanosje gjatë mbajtjes së pozitës së drejtorit të Drejtoratit për Mbikqyrje të Kompanive të Sigurimeve dhe Pensioneve.
Çdoherë sipas këtyre raportimeve që citonin aktakuzën në fjalë, Ramadani thuhej se kërcënonte R.K lidhur me një borxh që ky i pari ia kishte këtij të fundit.
“Ik nga këtu rrugaq se nanën kom me ta q…, S’ki me jetu mo se të ndreqi unë ty, prit sa ta kryj takimin dhe shihemi më vonë, mos mu afro në 20 metra se të vras”, citohet të kenë qenë fjalët e të njëjtit. /Insajderi.org/