Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, u sigurua që Java e Modës në Paris të mos kalonte pa zhurmë duke mbajtur koncertin me disa nga hitet e saj më të mëdha në majën e Kullës Eiffel.
Përformanca e 30-vjeçares Rita Ora mbrëmjen e së mërkurës mund të ketë qenë një nga më shpërthyeset e saj deri më sot.
Artistja shqiptare dukej e mrekullueshme me veshjet e bëra me porosi nga markat “Fendi”, “Lanvin” dhe “Alexandre Vauthier”, të cilat ishin pjesë promovuese e Javës së Modës në Paris.
Përformanca e këngëtares ishte një festë e muzikës dhe modës nga ajo që njihet si një prej monumenteve më karakteristike mbarëbotërore.
Koncerti i Ritës u zhvillua në partneritet me “Melrose Media” dhe është i pari i një serie muzikore të ardhshme të titulluar “Iconic People In Iconic Places”.
Përpara shfaqjes, Rita tha: “Kjo do të jetë një shfaqje kaq e paharrueshme dhe një moment i vërtetë për mua”.
“Të performosh në një vend kaq legjendar është një nder, dhe të veshësh rroba të personalizuara nga ‘Prada’, ‘Miu Miu’, ‘Fendi’ dhe ‘Lanvin’, është thjesht një ëndërr”, shtoi ajo.
Rita gjithashtu u shpreh: “Mezi pres të sjell energjinë e Parisit për të gjithë fansat e mi në të gjithë botën, me të vërtetë do të jetë një natë për t’u mbajtur mend”.
Me regji të Beki Mari, koncerti i quajtur “Rita Ora Live From The Eiffel Toëer” ishte një ngjarje një herë në jetë për fansat e saj.