×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Rohde për arritjen e kamionëve gjermanë për FSK’në: Hap i parë drejt pranisë më të madhe ushtarake

    Insajderi
    12 March 2024 - 19:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar pas pranimit të kamionëve ushtarakë gjermanë nga FSK’ja.

    Rohde, përmes një postimi në platformën X (ish-Twitter) ka deklaruar se Gjermania po vazhdon të jetë e përgjegjshme ndaj NATO-s, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Si hap i parë drejt një pranie më të madhe ushtarake në terren, pionierë nga Bundeswehr mbërritën dje në Kosovë për të përgatitur terrenin për rritjen e sërishme të kontingjentit gjerman të KFOR-it”, ka deklaruar ambasadori gjerman.

    15 kamionë ushtarakë MAN HX2, 8×8, e firmës gjermane për prodhimin e mjeteve ushtarake ‘RheinMetall’, erdhën për Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK). Kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se 10 janë blerë me buxhet të shtetit, e pesë janë donacion. Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, njoftoi me karakteristikat e kësaj serie.

    Maqedonci, me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se këta kamionë janë të dizajnuar për operacione logjistike dhe taktike, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Karakteristikat e reja të këtij kamioni të pastër ushtarak janë shumë mbresëlënëse. Falë sistemeve të ndryshme të asistencës, HX2 u ofron ushtarëve dhe mjedisit civil siguri më të madhe në përdorimin e përditshëm të automjeteve dhe garanton dukshëm më shumë mbrojtje në kabinë”, ka bërë të ditur ai.

    “Menaxhimi i flotës në këta kamionë gjithashtu bëhet më i thjeshtë dhe më efikas, ndërsa konfigurimi i përgjithshëm mundëson transportimin e municioneve në terrene të vështira”.

    Në anën tjetër, kryeministri Kurti ka bërë të ditur se 10 nga to janë blerë me para të shtetit, ndërkaq pesë janë donacion.

    “Kamionët ushtarakë RheinMetall MAN HX2 janë prodhim gjerman, ku nga 15 gjithsej, 10 janë blerë me buxhet të shtetit, ndërkaq pesë janë donacion”, thuhet në postimin e tij. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark