Logopedët janë profesionistët të cilët punojnë për parandalimin, vlerësimin, diagnostikimin dhe trajtimin e çrregullimeve të të folurit, gjuhës, komunikimit social dhe atij kognitiv. Moshat që më së shpeshti nevojiten të vizitojnë këta profesionist janë nga mosha dy deri në gjashtë. Në një intervistë për Insajderin, logopedia, Tina Asllani ka rrëfyer për shenjat e para të këtyre çrregullimeve, sfidat dhe trajtimin e rasteve të tilla.
Insajderi
Sipas Asllanit, çrregullimet në të folur prekin afro 3% të popullsisë dhe më të prekurit janë fëmijët e moshës 2-6, ku përqindja është 7%.
“Çrregullimet në të folur prekin 3% të popullsisë, por përqindja rritet ndjeshëm në fëmijët e moshës 2-6 vjeç, me një kulm prej 7%. Janë çrregullime specifike të gjuhës, ku hyjnë vështirësia për kapjen dhe artikulimin e fjalëve, për të kuptuar dhe shprehur një fjalë në formë te saktë”, tha logopedia.

Ajo shtoi se këto çrregullime nuk janë pasojë e sëmundjeve neurologjike dhe as shkak i dëmtimeve të aparatit të të folurit.
“Çrregullimet specifike të gjuhës nuk janë pasojë e një sëmundje neurologjike dhe as dëmtim i aparatit të të artikuluarit të fjalëve, gjithashtu nuk është as deficit intelektual”, tha ajo për Insajderin.
Logopedia tregoi se çka përfshihet tek çrregullimet në të folur:
DISLALIT ( probleme me drejtshqiptim të shkronjave) organet e të folurit janë në rregull por i mungon funksioni i duhur i gjuhës, si shkak i mos pjekurisë nervore , ku shkakton diskriminimin e të folurit.
BELBEZIMI ka të bëjë me rrjedhshmërinë e të folurit, ai përfshin përsëritjen e shpeshtë e të shpejtë të bashkëtingëllores fillestare apo tingullit zanor në fillim të fjalëve
DISLEKSIA vështirësi në procesin e leximit. Disleksia është rezultat i paaftësisë të njërës nga dy hemisferat e trurit për të dominuar
Në lidhje me shkakun e këtyre problemeve, Asllani tha se nuk është i njohur, Megjithatë, humbja e dëgjimit, rritja e tendosjes mendore, paaftësia intelektuale dhe çrregullimi i përdorimit të substancave janë disa arsye të mundshme.
“Në shumicën e rasteve shkaku është i panjohur. Sidoqoftë, ekzistojnë shkaqe të ndryshme të njohura të pengesave në të folur, të tilla si humbja e dëgjimit, çrregullimet neurologjike, dëmtimi i trurit, një rritje e tendosjes mendore, ngacmimi i vazhdueshëm, paaftësia intelektuale, çrregullimi i përdorimit të substancave, dëmtime fizike të tilla si çarja e buzës dhe qiellzës, dhe abuzimi me zërin ose keqpërdorim i zërit”, tha Asllani për Insajderin.

Qëllimet kryesore të trajtimit të fëmijëve nga logopedët janë aftësimi mbi kontrollin e të folurit dhe përmirësimi i gjendjes aktuale.
“Qëllimet reale janë që t’i aftësojmë personat mbi kontrollin e te folurit dhe ta përmirësojmë gjendjen e tyre , shërojmë , eliminojmë çrregullimin varësisht nga çrregullimi”, shtoi tutje logopedia.
Në vazhdim, Asllani foli edhe për mënyrën sesi duhet të sillen logopedët me pacientët e tyre, por, edhe për paisjet që ndihmojnë në raste specifike trajtimin.
“Ne pik s’pari duhet ti pranojmë ashtu siç janë që ti japim kohën e tyre , mos ti emitojmë apo të qeshim me të folurit e tyre , të flasim ngadalë dhe rrjedhshëm. Po ka pajisje të cilat ndihmojnë te personat me çrregullimet në të folur siç janë rastet me aparate ( implaniti kohlear ) tek personat e shurdhër apo tek personat me probleme në degjim”, pohoi Asllani për Insajderin.
Në shumë raste, të paktën në Kosovë, prindërit mundohen që gjuhën “ta zbusin” kur flasin me fëmijët, por, kjo nuk është se ia lehtëson të folurit atyre, madje ndodh e kundërta.
“Prindërit duhet te jene model i të folurit për fëmijët , të flasin me gjuhën e të rriturve jo të imitojnë gjuhen e bebev , të përdoret vetëm një gjuhë në fëmijërinë e hershme , ti lexojnë sa me shume libra e tregime”, tha për fund logopedia.