Romani “Djali Memec” i Virion Graçit, metamorfoza dhe dramat njerëzore shqiptare pas viteve ’90 - Insajderi
×
  • Showbiz
  • Show / Showbiz

    Romani “Djali Memec” i Virion Graçit, metamorfoza dhe dramat njerëzore shqiptare pas viteve ’90

    Insajderi
    10 August 2021 - 21:04
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Jolanda Lila:
    Stinët e jetës shqiptare janë shndërruar shpeshtazi, në varësi të erërave politiko-shoqërore që kanë lëvrirë përgjatë vendit në kohë të ndryshme. Rënia e komunizmit u konsiderua si ardhja e pranverës në jetën shqiptare, por edhe sot, pas më shumë se tri dekadash, pranvera duket ende larg, sepse siç thuhet në një nga pasazhet e romanit “Djali memec”, “kohët e reja kishin shenjat e veta të veçanta. E mira dhe e keqja, fati dhe kobi kishin ndryshuar mënyrën e të trokiturit në dyer, kurse për paralajmërues as që ishte nevoja…”.

    Shpopullimi masiv i zonave rurale drejt atyre urbane, zhvendosjet nga veriu në jug dhe së fundmi, largimet masive të shqiptarëve drejt vendeve të ndryshme të botës janë vraga më e thellë e shoqërisë sonë drejt kaosit kuturu dhe dëshmia më e prekshme e tranzicionit të stërgjatë të shqiptarëve, ku drita e qashtërsisë dhe e ngrohtësisë duket ende larg. Këto lëvizje të pandërprera, shoqërohen me përplasje kulturash, mendësish dhe me drama e trauma psiko-shoqërore të popullsisë. Pikërisht në asht të kësaj problematike depërton romani “Djali memec” i autorit Virion Graçi, i cili bën një skanim të imtësishëm të gjendjes shpirtërore, psikologjike, ekonomike e shoqërore të shkularakëve, pra të njerëzve që braktisin shtëpinë dhe vendin e vet për t’u vendosur diku gjetkë.

    Ky është ndër romanet më sintetizues dhe gjithëpërfshirës të tërësisë së problemeve që ngritën krye pas vendosjes së sistemit demokratik në Shqipëri. “Nga sistemi totalitarist shtetëror kontroll mbi gjithçka, është kaluar në sistemin e ri qeverisës gjithçka jashtë kontrollit”- thotë narratori gjatë romanit. Është një nga krijimet prozaike më dinjitoze që fshikullon përmes një gjuhe dinamike rrëfimtarie përdhosjen që iu bë aspiratave për liri dhe demokraci të shqiptarëve, si dhe përshkrimit të rrëpirave të thella të zhgënjimit, me të cilat u ndesh shoqëria jonë.

    Pamja është thuajse e njëjtë në çdo cep të Shqipërisë, “Karvanë mushkash e kuajsh të ngarkuar me plaçka, foshnja që qajnë, gra që përloten tek kthejnë kokën pas; burra të zhburrëruar nga pamundësia për t’i dalë zot familjes, vetes, gjyshërve: stomakë të zbrazur, këpucë të grisura, tesha trupi të stërpërdorura, të arnuara”.

    Romani është botuar në vitin 2016 nga Ndërmarrja botuese “Gjon Buzuku”, Prishtinë dhe asokohe, është vlerësuar edhe me çmimin e dytë të konkursit letrar “Buzuku” për kategorinë e romanit. Përtej çmimeve e vlerësimeve kritike të kohës, jehona e këtij romani vijon të kumbojë, për shkak të mesazheve universale dhe mbi të gjitha, në sajë të vlerës aktuale që bart rrafshi tematiko-motivor i romanit.

    Është në metodologjinë e punës krijuese të autorit ngërthimi i problemeve të kohës, të cilat letrarizohen prej tij dhe marrin një trajtë shumështresore, ku ravijëzohen kohë, hapësira, personazhe, ngjarje dhe dukuri të ndryshme të jetës njerëzore. Rrëfimi i këtij romani mbështetet në një histori tërësisht të vërtetë, të cilën autori e sjell besnikërisht nga shtypi shqiptar: “Babai vret në gjumë djalin 16-vjeçar. Policia: e gjetëm të vdekur në krevat, i mbuluar me çarçaf, viktima ishte jetim nga ana e nënës. Autori deklaron për policinë: “Unë e vrava tim bir. Ishin kushtet që më detyruan të ndërmarr një veprim të tillë. Më vjen keq për ngjarjen, më vjen keq për djalin tim pasi ai, djali im ishte urata ime”. Duke marrë shkas prej kësaj historie, shkrimtari depërton në thelbin e ngjarjes dhe në origjinën etiko-sociale e filozofike të problemit. Ai nuk kërkon gjurmët dhe kronikën e ngjarjes, por si një dedektiv i detajeve, ai thellohet në shtresat e problemeve të rënda sociale e psikologjike që majisin plagët e jetës së kësaj familjeje, e cila u shpërngul nga një fshat i thellë i veriut drejt një fshati të jugut. Në vend të jetës më të mirë e larg klimës së gjakmarrjeve primitive të fshatit verior, ata gjetën “fillimin e një apokalipsi”. “Do të lindë një ndarje e re klasore, e madhe dhe përjashtuese midis banorëve: vendas dhe të ardhur, shkularakë. Kudo vendasit do të fillojnë një fushatë vetëmbrojtjeje dhe përjashtimi përçmues ndaj shkularakëve, në të njëjtin qytet, në të njëjtën lagje, në të njëjtin bllok apartamentesh, në të njëjtën shkollë…”. Këto emërtesa diferencuese janë vetëm maja e ajsbergut, pasi stigma, përçmimi dhe përveçimi do të ndeshej në çdo aspekt. Pikërisht me këtë përplasje të madhe mendësish, shkrimtari krijon në analogji me të edhe përplasjen mes babait dhe djalit adoleshent, ku si pasojë e absurdit dhe moskomunikimit mes tyre, djali memecërohet përjetësisht sapo hyn brenda shtëpisë, ndërsa babait kthehet në natyrë tejet hermetike sapo del jashtë shtëpisë. Është pragu i shtëpisë, kufiri-simbol mes komunikimit të njërës palë dhe moskomunikimit të palës tjetër. Në një klimë të tillë, jeta bëhet e pamundur dhe tensionet shkojnë në tonalitetet më të larta. Lexuesit i mbetet të zbulojë detajet dhe të përfshihet në këtë histori të zakonshme të realitetit shqiptar, që përcillet me mjeshtëri të jashtëzakonshme nga shkrimtari, i cili të rëndomtën e estetizon në rrafsh shumëdimensional.

    Romani “Djali memec” spikat jo vetëm për trajtimin origjinal të temës, por edhe për nga pesha e dramës dhe sinteza e ideve, nga dendësia e jetës dhe nga forca përgjithësuese në tërësi.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark