Romët dhe Kujtimi ynë - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Romët dhe Kujtimi ynë

    Insajderi
    08 April 2021 - 14:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kujtim Paçaku është një Poet me plotë kuptimin e fjalës, poezitë e të cilit kanë vlera të mirëfillta letrare e estetike, gjë që e bëjnë sot atë njërin nga poetët më të mirë që ka Kosova sot. Ai tashmë nuk i takon vetëm komunitetit rom, por na takon të gjithëve. Kujtimi është i yni. Është poet i Kosovës.

    Adil  OLLURI

                Kujtim Paçakun e takoja shpeshherë në takime shkrimtarësh, por gjithnjë kisha dëshirë të bisedoja më të pak më gjatë rreth poezive të tij. E kisha atë kureshtjen prej lexuesi, shkrimtari e kolegu të hyja në laboratorin e tij dhe ta pyesja se çka e si ndien një koleg i imi shkrimtar kur e hedh në letrën e bardhë një varg, kur e degdis një mall të tij dhe na i jëp “dhuratë” neve, që nuk presim gjë tjetër prej shkrimtarëve e poetëve pos të na “shpërblejnë” me mënyrën se si i përjetojnë gjërat, që mund të jenë edhe të tyre, por edhe të tonat. Poezitë e këtij krijuesi së pari i kam lexuar në “agorën” postmoderne, të quajtur “Facebook”, ku për çdo ditë mund të shohim sa perla të çmueshme, po ashtu edhe lumë vërshimesh të bërllokhaneve “letrare”, që shumë skribomanë e kalemxhinj i quajnë “poezi”. Dhe këtu qëndron e meta e këtij sheshi virtuali, ngaqë llumi i shumtë shpeshherë edhe mund t’i “mbulojë” margaritarët dhe neve na duhet kohë gërmimesh për t’i gjetur ato. Dhe gjatë “kërkimeve” tona ndodh edhe të bëhemi pis dhe shpeshherë edhe mund të na dëmtohen shqisat për nuhatje estetike. Por, ja që qëllojnë krijues të mirëfilltë si Kujtimi e shumë të tjerë që na shpëtojnë nga kjo zallamahi përçudnuese, që secilit që  merr “pëlqime” virtuale i duket vetja shkrimtar. Poezia e Paçakut, edhe pse e parë për herë të parë nga unë në këtë “fushëmejdan” të gërvalljes publike, është më ndryshe, më cilësore, më e formësuar në aspektin stilistik e ideor. Është më elokuente në përdorimin e shprehjeve dhe fjalëve të bukura artistike. Ajo të rrëmben, të bën për vete qysh në leximin e parë të saj. Ajo të bën të mendosh gjerë e gjatë për subjektet dhe njerëzit të cilëve iu flet kjo poezi. Është një art, që pikësëpari i flet komunitetit rom, të cilit i takon poeti i lindur në qytetin e bukur të Prizrenit, ku bashkëjetesa mes popujve të ndryshëm ka kulmuar gjithnjë për së mbari.

                Më të dëgjuar lajmin se shtëpia botuese elektronike “Filozofia urbane” ia ka botuar librin poetik me titull “Kur shpirti këndon”, pa një pa dy e lexova me dashamirësinë më të madhe që mund ta ketë njeriu për një krijues. Ata që duan të lexojnë poezi me motive të përjetuara, lirisht le ta kexojnë këtë libër elektronik (e-book) të shkruar me gjuhën e shpirtit, ku poezitë janë këngëtime të vuajtjeve dhe dashurisë rome, e jo struktura formale të vargëzimit eksperimental, në të cilin shprehjet shkruhen vetëm për hir të figuracionit dhe jo të mbushura me kuptim. Poezia e Kujtimit nuk është e tillë, ngaqë në të çdo fjalë e ka peshën e mesazhit. Libri i Kujtim Paçakut fillon me këngën rome, e cila është “ngjizur në rrugët e pasosura” të këtij komuniteti dhe është mbushur me “shumë pika loti dhe me male dhimbjesh” (f. 5). Vargu i këtij poeti na mëson se si ky popull ka ditur t’i këndojë jetës edhe në kohë më të ashpra vuajtjesh (f. 13), kur mungonte edhe buka, por assesi kënga. Ky varg i fton njerëzit e këtij komuniteti që të mos turpërohen nga ngjyra e tyre (f. 9). Për ta parë më thellësisht dramën sociale dhe përballjen e romëve me të, vlen që ta lexojmë poezinë “Dialog” (f. 20), në të cilën Paçaku ia bën një rentgen mjerimit të bashkëqytetarëve të tij. Pena e Kujtimit, përpos vuajtjes dhe mjerimit, i jep ngjyrë edhe dashurisë së një romi, që “ua shkund shtratin luleve të përgjumura” dhe ua fal atyre “çmendurinë e dallgëve” edhe në “pikë të dimrit” (f. 24). Në qendër të poezive të dashurisë së këtij poeti është e bukura, belholla e sygështënja rome.

                Kujtim Paçaku është një Poet me plotë kuptimin e fjalës, poezitë e të cilit kanë vlera të mirëfillta letrare e estetike, gjë që e bëjnë sot atë njërin nga poetët më të mirë që ka Kosova sot. Ai tashmë nuk i takon vetëm komunitetit rom, por na takon të gjithëve. Kujtimi është i yni. Është poet i Kosovës.

                Me Kujtimin pata rast të takohem para disa javësh dhe të pinim kafe në një kafiteri kryeqyteti. Ai më fliste për hallet dhe jetën e vështirë të komunitetit rom anëkënd Kosovës, ndërsa unë me një ndjesi prej paternalisti e “këshilloja” që të organizonin sa më shumë aktivitete dhe mundësisht ta botonin ndonjë monografi për historinë dhe të tashmen e këtij komuniteti. Ende pa e mbaruar unë fjalën time, ai m’i numëroi aktivitetet që i kanë bërë e që janë duke i bërë në qytetin e Prizrenit. Por, kur më tha se monografinë, të cilën unë ia propozoja, ai, së bashku me miqtë e tij, e kishte botuar qysh para një viti, më “gozhdoi” tërësisht për muri. Madje, kjo monografi, me titull “Romët dje, sot dhe nesër”, ishte botuar në tri gjuhë, atë rome, shqipe dhe angleze.  Kjo gjë, po aq sa më befasoj për të mirë, po aq edhe më bëri të ndihem keq për mungesën e informacionit lidhur me aktivitetet kulturore e intelektuale të një pakice të nëpërkëmbur.

    Kujtimi nuk vonoi shumë dhe ma dhuroi këtë libër monografik, dhe duke qenë një kurreshtar  i papërmirësueshëm pas gjërave që më bëjnë të ndihem ndryshe, fillova ta lexoj menjëherë, duke e bashkëndjerë vuajtjen e një populli, që gjatë historisë i ka pësuar të njëjtat tmerre dhe tronditje, ashtu sikurse ne shqiptarët. Në këtë libër tregohet historia e romëve, që nga shpërnguljet e para nga India drejt Evropës e Ballkanit, e deri në ditët e sotme. Ajo që më bëri përshtypje te kjo monografi ishte mizoria, tirania e gjenocidi i ushtruar ndaj romëve që nga lashtësia e deri në luftërat botërore. Duke e lexuar këtë libër, mendoja me vete se sa të ngjashëm janë fatet e popujve, ku thuajse secili popull i ka epokat e tij të shkëlqimit dhe të rënies. Duke e lexuar këtë libër, nisur nga titulli dhe rrethanat që tashmë i dija, e ndjeja një “ringjallje” të komunitetit rom të Kosovës. Këtë e them, i nisur nga fakti se derisa para disa viteve romët i identifikonim vetëm përmes disa politikanëve sharlatanë e qesharakë, tashmë ne, shqiptarët, si popull shumicë, i kemi edhe modelet e mira kulturore në mesin e tyre. Prandaj, trajektorja e identifikimit nga Haxhi Mërxha te poezitë e Kujtimit dhe bendi “Gipsy Groove” nuk mund të quhet ndryshe, pos një ndryshim tejet pozitiv.                    

    Kujtim Paçaku, në rrudhat e ballit të të cilit shoh vuajtjen e popullit të tij, është duke u pritur mirë nga opinioni letrar kosovar. Shpresoj që do të mirëpritet edhe në të ardhmen, madje në një masë edhe më të madhe. Një pritje të tillë shpresoj ta kenë edhe poetët e komuniteteve të tjera të Kosovës.

    Pranimi i vlerave kulturore të pakicave kombëtare, neve shqiptarëve të Kosovës, si populli shumicë i këtij shteti, na bën që shpirtërisht të jemi të mëdhenj. Rasti i Kujtimit dëshmon se ne jemi të tillë… 


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark