Insajderi
Insporti

Ronaldo synon të thyejë mallkimin në fazën me eliminim direkt të Botërorit

Insajderi
01 July 2026 - 11:40
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Ronaldo synon të thyejë mallkimin në fazën me eliminim direkt të Botërorit
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kur Portugalia të përballet me Kroacinë në 1/16 e finales së Kupës së Botës, Cristiano Ronaldo do të kërkojë të arrijë diçka që nuk e ka bërë kurrë më parë: të shënojë gol në fazën me eliminim direkt të Botërorit.

Edhe pse konsiderohet një nga sulmuesit më të mëdhenj në histori dhe javën e kaluar u bë futbollisti i parë që shënon në gjashtë edicione të ndryshme të Kupës së Botës, të dhjetë golat e Ronaldos në këtë kompeticion kanë ardhur vetëm në fazën e grupeve.

Një rekord që vazhdon prej vitit 2006

Debutimin në Botëror Ronaldo e bëri në vitin 2006, kur shënoi ndaj Iranit dhe u bë golashënuesi më i ri i Portugalisë në historinë e këtij turneu. Megjithatë, ai nuk realizoi asnjë gol në katër ndeshjet me eliminim direkt, ndërsa Portugalia e mbylli turneun në vendin e katërt.

Në vitin 2010 shënoi vetëm një herë, ndaj Koresë së Veriut, përpara se Portugalia të eliminohej nga Spanja në 1/16 e finales.

Në Botërorin e vitit 2014 realizoi vetëm një gol ndaj Ganës, por Portugalia nuk arriti të kalonte fazën e grupeve. Katër vite më vonë, në Rusi, Ronaldo nisi turneun me një “hat-trick” ndaj Spanjës, por mbeti pa gol në humbjen 2-1 ndaj Uruguait në fazën me eliminim direkt.

Katari 2022, fundi i një ëndrre

Në Botërorin e Katarit, Ronaldo humbi vendin e titullarit në fazën me eliminim direkt. Ai u la në stol ndaj Zvicrës dhe Marokut, ndërsa Portugalia u eliminua në çerekfinale. Sulmuesi më pas pranoi se fitimi i Kupës së Botës ishte ëndrra më e madhe e karrierës së tij dhe se ajo kishte marrë fund.

Shansi i fundit?

Në Botërorin 2026, 41-vjeçari tregoi se ende di të shënojë, duke realizuar dy gola ndaj Uzbekistanit dhe duke u bërë lojtari i parë që shënon në gjashtë Botërorë të ndryshëm. Megjithatë, ndaj Kolumbisë nuk arriti të lërë gjurmë dhe Portugalia e mbylli grupin në vendin e dytë.

Tani përballë është Kroacia, një kundërshtar me shumë eksperiencë, por edhe me një brez që po i afrohet fundit të ciklit. Edhe Ronaldo është në vitet e fundit të karrierës, por sfida ndaj kroatëve i jep mundësinë ideale për të thyer më në fund “mallkimin” e fazës me eliminim direkt dhe për të shënuar golin e parë në ndeshjet që vendosin fatin e Botërorit. /GazetaExpress/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark