×
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Rrahjet dhe sulmet fizike në Institucionet Publike, praktikë e rritur gjatë Qeverisë Kurti

    Insajderi
    15 November 2024 - 12:45
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Sulmet fizike dhe dhuna brenda institucioneve publike janë shndërruar në një fenomen shqetësues gjatë periudhës së Qeverisë Kurti. Punonjësit e institucioneve janë bërë viktima të dhunës nga shefat e tyre. Një nga rastet më të përmendura është ai i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës si dhe rasti i fundit brenda Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Insajderi ju sjell detajet.

    Të mërkurën e 13 nëntorit, në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, sekretari i përgjithshëm i ministrisë, Xheladin Krasniqi, u akuzua për sulm fizik ndaj Miftar Latifit, ushtrues i detyrës në zyrën e IT-së.

    Sipas denoncimit të Latifit, Krasniqi e ka kapur për fyti, pas një mosmarrëveshjeje lidhur me nënshkrimin e disa dokumenteve, i cili e ka raportuar incidentin në polici.

    Nga ana tjetër, Krasniqi e ka mohuar sulmin, duke thënë: “Nuk ka pasur incident fizik, i kam kërkuar të lirojë zyrën, ai ka rezistuar, dhe e kam larguar nga zyra ime për shkak të sjelljes së tij të papjekur.”

    Pas këtij incidenti, Sindikata e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka organizuar një protestë të heshtur, duke u mbledhur para objektit të ministrisë. Protestuesit mbajtën maska dhe pankarta me mesazhe kundër dhunës në punë dhe kushteve të pafavorshme për shprehjen e mendimit.

    Pavarësisht mohimit nga Krasniqi, Ministria e Kulturës ka marrë masa ndaj tij, duke e shkarkuar nga pozita e sekretarit të përgjithshëm dhe duke emëruar Bislim Bislimin në këtë post.

    Ministria ka dërguar një e-mail të brendshëm duke njoftuar se “pas përfundimit të afatit të transferimit të përkohshëm për interes të institucionit, në pozicionin e punës Sekretar i Përgjithshëm në MKRS është kthyer z. Bislim Bislimi.”

    Rrahja brenda Autoriteti Kosovar të Konkurrencës

    Një tjetër rast tjetër i rrahjes është raportuar në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës, ku nëntorin e kaluar, Selajdin Beqa, U.D. i drejtorit të këtij autoriteti, është akuzuar për sulm ndaj Shemsi Elezit, drejtorit të Departamentit të Mbikëqyrjes së Tregut.

    Elezi ishte deklaruar për Insajderin se Selajdin Beqa e ka sulmuar me grushte prapa shpinës dhe në kokë disa herë në korridorin e institucionit ku punojnë.

    Më ka sulmu prapa shpine, jam kanë në koridor, kam pas me shku me marr një letër, ai ka dalë prej zyrës edhe më ka sulmu në kry, më ka ra tri-katër herë në trup, por në kry mas shumti. Më ka sulmu me boksa, me duar, goditjet janë kanë shumë të forta, mbrapa shpinës, pa paralajmërim“, tha Elezi.

    Sipas tij, Beqa e sulmoi pasi ky e kishte raportuar në komision se po i përzihet në kompetencat e tij dhe po e dëmton në punë.

    Unë vazhdimisht e kam ngrit çështje që me punu në kuadër të ligjit, mu ka përzi në kompetenca të mija, i kam ngrit shqetësimet e mija edhe te ky, se këta e kam mbikqyrës, edhe tek komisioni. I kam tregu disa herë mos me u përzi në punë të mija, se po na dëmton në punë, jo veç mua, por edhe krejt zyrtarët, është tepër i pasjellshëm. Tash do të përballët me drejtësinë“, deklaronte Elezi për Insajderin.

    Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Beqa e ka sulmuar Elezin pas një mosmarrëveshjeje paraprake, duke e goditur me grushta dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit dhe duke e rrëzuar në tokë.

    “I pandehuri me dashje që të i shkaktoj lëndim trupor personit tjetër, tani të dëmtuarit Shemsi Elezi, i njëjti e kishte sulmuar me atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje paraprake, derisa i dëmtuari kishte dalur në korridor tek fotokopja. I pandehuri, duke i zënë në befasi të dëmtuarin nga mbrapa, fillon ta sulmoj me shqelma dhe duar në pjesë të ndryshme të trupit, duke e rrëzuar në tokë,” thuhej në aktakuzë.

    Megjithëse ndaj Beqës është ngritur aktakuzë për “lëndim të lehtë trupor”, ai vazhdon të mbajë postin e drejtorit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, duke e ushtruar ende detyrën.

    Ky veprim është në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë, i cili parashikon se një zyrtar publik duhet të pezullohet nga detyra nëse ndaj tij është iniciuar procedura penale për veprën penale gjatë ushtrimit të funksionit të tij.

    “Neni 69, pika 1.5 e ligjit thotë: “nëpunësi civil pezullohet sipas detyrës zyrtare” nëse “ndaj nëpunësit civil është iniciuar procedurë penale për kryerje të veprës penale gjatë ushtrimit të funksionit të saj.”

    Deputetja Valentina Bunjaku ka kërkuar llogari nga përgjegjësit e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për emërimin e Selajdin Beqës si drejtor, pavarësisht aktakuzës që është ngritur ndaj tij.

    “Me çfarë bazë keni emëruar drejtor të akuzuarin?” ka pyetur Bunjaku gjatë një mbledhjeje të Komisionit të Administratës Publike, por kryesuesja e Bordit të AKK-së, Naime Bunjaku-Isufi, ka refuzuar të përgjigjet në lidhje me këtë çështje.

    Edhe sot, Selajdin Beqa ndonëse drejtor me aktakuzë dhe me rast të hapur për sulm me lëndime trupore ende po merr vendime./Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark