Në një intervistë me gazetën e njohur amerikane “Huffington Post”, ish-përfaqësuesi special i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për statusin e Kosovës, ka thënë se Rusia nuk dëshironte që plani i tij për shtetin e ri të Kosovës të shkonte nëpër Këshillin e Sigurimit, përcjell Insajderi.
Ahtisaari ka rrëfyer se si pas takimit të Grupit të Kontaktit për Kosovën në Londër më 31 janar të vitit 2006, vetëm Rusia nuk e aprovonte planin e tij. Ish-presidenti finlandez tregon se të gjithë përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit ishin të interesuar për arritjen e një zgjidhje të shpejtë në Kosovë.
“Në vitin 2005, kur unë isha përzgjedhur që të udhëheqja procesin që do ta sqaronte statusin e Kosovës, unë propozova menjëherë që të formohet një Grup Kontakti për të ndjekur në thellësi ngjarjet në Kosovë. Grupi i Kontaktit i përbërë nga përfaqësues të SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Francës, Rusisë, Italisë, dhe Gjermanisë. Propozova që të ketë një takim me ta, gjatë vizitës së tyre në Londër në vitin 2006. Dhe të gjithë përfaqësuesit ranë dakord për të siguruar një zgjidhje të shpejtë dhe efikase, teksa unë personalisht flisja me ta përmes mesazheve private, që të bëja të ditura problemet kryesore të Serbisë dhe Kosovës, në mënyrë që Serbia dhe Kosova ta kuptonin se çfarë isha duke planifikuar unë”, thotë Ahtisaari.
“Më pas, në takimin e Londrës, unë fola për temat kryesore me anëtarët e Grupit të Kontaktit. Pas takimit në Londër, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov udhëtoi në Uashington për t’u takuar me Sekretaren e Shtetit, Kondoliza Rajs. Megjithatë situata kishte ndryshuar, Rusia nuk donte që plani im të shkonte nëpër Këshillin e Sigurimit. Më pas, pas disa viteve negociata, Kosova shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008”, rrëfen Ahtisaari.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së aprovoi emërimin e Martti Ahtissari nga sekretari gjeneral Kofi Annan, si përfaqësues special për statusin e ardhshëm të Kosovës më 5 nëntor të vitit 2005. Zëvendës i Ahtisaarit u emërua austriaku, Albert Rohan.
Negociatat e udhëhequra nga Ahtisaari, në periudhë kohore prej rreth dy vitesh, bën që të vendosej statusi përfundimtar i Kosovës. Më 2 shkurt 2007 Ahtisaari dorëzoi propozimin e tij në Prishtinë dhe Beogradit. Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008.
Në anën tjetër, Serbia nuk e pranoi kurrë këtë propozim, duke e quajtur të njëanshme pavarësinë e shpallur të Kosovës.
Martti Ahtisaari është ish-presidenti i Finlandës dhe një ndërmjetës i njohur ndërkombëtarisht. Në vitin 2008 ai u nderua me Çmimin Nobel për Paqen për rolin e tij udhëheqës në sjelljen e pavarësisë në Namibi, tërheqjes së Serbisë nga Kosova dhe autonomin për krahinën e Acehut në Indonezi. /Insajderi.com