×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Rrëfim prekës i kosovarit që përjetoi tërmetin në Turqi: I kemi hequr edhe rrobat nga trupi për të mbijetuarit

    Insajderi
    08 February 2023 - 17:07

    Në orët e para të mëngjesit të së hënës Turqia është goditur nga një tërmet prej 7.8 ballësh me qendër në provincën juglindore, Kahramanmaras.  Nga gërmadhat e objekteve të shembura deri më tash janë nxjerr rreth 11 mijë viktima dhe afro 40 mijë të mbijetuar.

    Tërmetin e kanë përjetuar edhe ekipi i të rinjve të mundjes kosovare, të cilët kishin shkuar tre ditë më parë në këtë qytet për të marrë pjesë në turneun “12 February”.

    Pjesë e ekipës ka qenë edhe Genc Fazlija, i cili për Insajderin ka rrëfyer se si e kanë përjetuar ngjarjen.

    “Aktualisht jemi mirë dhe me familjet tona. Ka qenë një situatë shumë e rëndë dhe e trishtë po fal Zotit jemi mirë. Edhe pse hoteli ku kemi qenë është dëmtu konstruksioni i është ruajtur. Jemi mbledh e gjithë ekipa prej gjashtë vetave sa kemi qenë dhe kemi dal jashtë shkallëve emergjente”, ka thënë ai teksa ka rrëfyer çastet e para pas tërmetit.

    Fazlija ka deklaruar se menjëherë pas largimit nga hoteli, kanë filluar t’i asistojnë ata që kanë pasur nevojë për ndihmë, madje duke ua dhënë edhe rrobat nga trupi.

    “Prej momentit kur kemi dal nga hoteli të gjithë jemi munduar të iu ndihmojmë njerëzve. Prej reshjeve të shiut dhe borës jemi bërë qull madje edhe rrobat në valixhe na janë lagur. Por, nuk na ka interesuar a po kemi të ftohët apo a po kemi lodhje. Për familjet që kanë qenë në shtëpi dhe jo në banesa kanë pasur nevoj edhe për ndihmë mjekësore. Kanë qenë të traumatizuar sa nuk kanë mundur as të dalin jashtë shtëpive. E kemi bërë një improvizim me pjesë të llamarinave që fëmijët mos t’i lagë shiu. Një pjesë e ekipes tonë kur kanë dalë nga hoteli kanë qenë të veshur hollë por edhe rrobat e trupi ia kanë dhuruar atyre që kanë pasur nevojë”, ka thënë Fazlija për Insajderin.

    Sipas tij, deri rreth orës 10:00 ekipet emergjente nuk kanë dal në vendin e ngjarjes.

    “Ekipet emergjente ne nuk i kemi pa fare. Sepse, perimetri i termetit ka qenë shumë i madh. Fillimisht njerëzit kanë tentuar ta shpëtojnë vetën pasi ka pasur shumë vetura rrugës, të cilat lëviznin prej qyteteve në periferi. Mandej, ka pasur njerëz që janë munduar t’i shpëtojnë familjarët e vet. Deri pas orës 10:00 kanë filluar lëvizjet e policisë dhe ushtrisë”, ka thënë ai.

    Gjithashtu Fazlija ka rrëfyer edhe udhëtimin e tyre prej hotelit deri në Aeroportin e Stambollit, të cilin e ka cilësuar si të mundimshëm për shkak të rrugëve të bllokuara nga bora dhe trafikut të rënduar nga kolonat e gjata.

    “Ne kemi qëndruar jashtë deri rreth orës 9:00. Kemi ecur diku rreth 10 kilometra për të shkuar në stacion dhe jemi larguar për një qytet tjetër, Kayseri. Nga Kayseri deri në Stamboll rruga ka zgjatur diku 17 orë, pasi rrugët kanë qenë të bllokuara. Rreth orës një të mesnatës jemi nis nga Kayseri kemi mbërrit në Stamboll rreth orës 6:30. Diku në ora 00:00 kemi fluturuar nga Stambolli për Shkup”, ka shtuar Fazlija.

    Ai gjithashtu është shprehur se sa kanë qenë në Turqi, institucionet e vendit janë munduar t’iu bëjnë zgjidhje, por një gjë e tillë ka qenë e pamundur.

    “Ministria dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nonstop na kanë kontaktuar, nonstop na kanë mbështetur. Ndërsa, ndihma prej anës së tyre ka qenë shumë e vështirë pasi kushtet kanë qenë shumë të vështira dhe ata kanë qenë të pafuqishëm për të na ndihmuar”, ka përfunduar Fazlija./Gazeta Insajderi

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark