3 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar ndërsa diskriminimi i kësaj kategorie ka mbetur problem shoqëror e institucional.
Bazuar në të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, personat me aftësi të kufizuara përbëjnë rreth 15 për qind të numrit të përgjithshëm të popullatës në botë.
Në Kosovë, sipas OBSH-së, jetojnë më shumë se 150 mijë persona me aftësi të kufizuara.
Me ligjin në Kosovë, sektori publik dhe ai privat janë të obliguar që të punësojnë një person me aftësi të kufizuara në çdo 50 punëtorë.
Sektori privat në Kosovë është punëdhënësi më i madh – me më shumë se 220 mijë të punësuar – por edhe aty, kuota e punësimit të personave me aftësi të kufizuara është larg përmbushjes.
Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit e ka shpallur vitin 2022 – Vit i Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës.
Sabedini: Nuk u dorëzova pavarësisht paragjykimeve, tani jam e punësuar
Zhgënjimi që 24 vjeçarja nga Gjilani, Ardonita Sabedini e rrëfen për Front Online nuk e pengoi të vazhdoj rrugëtimin jetësor për t’i arritur qëllimet e saja.
Ani pse e lindur me nanizëm, Sabedini ka arritur të realizoj ëndrrën e saj për t’u bërë stiliste dhe që modelet me trup shtatgjatë të vishen me idetë e saja.
Ajo thotë se ka arritur të shkollohet, të studioj si dhe të realizoj ëndrrën e saj për tu bërë stiliste e modës.
“Unë kam mbaruar shkollën fillore po ashtu dhe të mesmen me sukses. Tani vijoj studimet në fakultetin e Akademisë Evolucion në Prishtinë, në drejtimin Dizajn Mode. Kam shumë pasion ta vazhdoj këtë profesion dhe ëndrra ime e vetme është të jem një stiliste”.
“Punoj vazhdimisht. Gjatë kohës së lirë skicoj skica dhe lexoj libra. Pasioni që kam ndaj kësaj fushe, më ka shty me vazhdu këtë profesion. Prej fëmijërisë më ka pëlqyer gjithmonë , prej ditës që kam fillu, nuk jam ndal më asnjëherë sepse kam pas dëshirë gjithmonë me vazhdu një jetë të re me aftësit e mia”, u shpreh ajo për Front Online.
Për Ardoniten paragjykimet e shoqërisë ndaj personave me aftësi të kufizuara në Kosovë mbesin ndër problemet më të mëdha me të cilat ata përballen. Sipas saj, janë këto paragjykime që rezultojnë në mungesë mundësish të punësimit.
“Fillimet e mia kanë qenë të vështira sepse shumica nuk kanë besuar në punën që mund të bëj. Shpeshherë më janë mbyllur dyert. Kur kërkoja punë në institucione ose biznese private, përgjigjet e tyre ishin vetëm sa për sy e faqe, ‘Të thërrasim ne’, ishin zakonisht fjalët që i dëgjoja. Por shpresën që një ditë do të punoj, nuk e humba kurrë, fal Zotit tani për tani punoj me një Atelie të modës në qytetin tim”, ka thënë ajo.
Megjithëse, ndjehet me fat sepse sipas saj ka edhe shumë persona tjerë të lindur me nanizëm të cilët ende e kanë problem punësimin dhe qasjen në shoqëri.
“Ka persona si puna ime, që rrinë në shtëpi dhe janë të zhgënjyer prej shtetit dhe njerëzve përreth që nuk ua mundësojnë një pozitë pune. Kjo po ndodh vetëm tek personat me aftësi të kufizuara”, thotë ajo.
Ardonita beson se paragjykimi ndaj pamjes reflekton në sfera të ndryshme të punësimit në Kosovë, derisa edhe thekson se personat me aftësi të kufizuar nuk kanë as siguri.
“Ndonjëherë zhgënjehemi nga njerëzit, nga puna dhe nga lloj lloj gjërash, sepse në vendin tonë për personat me aftësi të kufizuara nuk ka siguri. Të drejtat tona shkelen në plotë mënyra”, ka thënë ajo për Front Online.
Sabedini: Shteti nuk po bën asgjë për pesonat me aftësi të kufizuara
“Shteti aspak nuk bën për ne, përpos që kemi një asistencë sociale prej 100 euro, asgjë tjetër”.
Kështu shprehet Ardonita, duke theksuar se as Ligji për punësim për Personat me Aftësi të Kufizuara nuk është miratuar.
“Shteti aspak nuk bën për ne. Përpos që kemi një asistencë sociale prej 100 euro asgjë tjetër. Ligji për punësim për Personat me Aftësi të Kufizuara nuk është miratuar. Ne nuk e kem të drejtën as të punësimit sepse në raste që fitojmë ndonjë pozitë pune, na ndalohet edhe asistenca sociale. Andaj, bëj apel që të ngrihet niveli i punës dhe të punësohen njerëzit me këto aftësi , ka thënë ajo për Front Online.
Misini: Personat me aftësi të kufizuara po përballen më vështirësi të mëdha
Zyrtarja për komunikim nga HANDIKOS, Kaltrina Misini thotë për Front Online se viti 2022 është shpallur si vit i personave me aftësi të kufizuara në Kosovë dhe e pritshme ka qenë që të ketë ndonjë përmirësim të dukshëm të situatës, por që sipas saj jo gjithçka mund të bëhet brenda një viti.
“Viti 2022, siç dihet është shpallur si vit i personave me aftësi të kufizuara në Kosovë dhe e pritshme ka qenë që të ketë ndonjë përmirësim të dukshëm të situatës, ndonëse jo gjithçka mund të bëhet brenda një viti. Mirëpo për këtë, më 3 dhjetor do shpaloset një raport nga kalendari vjetor në një konferencë që do të mbahet në Qeverinë e Kosovës, ku do shihet se sa janë implementuar aktivitetet apo intervenimet në shumë fusha, të marra përsipër nga ministritë përkatëse të Qeverisë së Kosovës”.
Misini ka treguar për vështirësitë me te cilat hasin personat me aftësi të kufizuara.
“Përkundër kalimit të viteve, personat me aftësi të kufizuara në Kosovë vazhdojnë të hasin në vështirësi të mëdha në shumë fusha të jetës së përditshme, nisur nga qasja, që përkundër përpjekjeve të institucioneve, vazhdojnë të kenë barriera në rrugë e institucione, përfshi edhe në ato institucione ku duhet të marrin shërbime esenciale”
“Pastaj ende ka sfida në punësim, në legjislacion etj. E kohëve të fundit si problematikë është bërë edhe vlerësimi jo i drejtë nga komisionet të personave me status paraplegjikë dhe tetraplegjikë, gjë që po i lë jashtë skemës së pensioneve” ka theksuar ajo.
Spahiu: Të zgjidhet çështja e punësimit dhe arsimit për personat me nevoja të veçanta
Se pozita e personave me aftësi të kufizuara nuk është edhe aq e mirë, e thotë edhe drejtori i Shoqatës së të Verbërve në Gjilan, Bajram Spahiu.
“Pozita e këtyre personave nuk është edhe shumë e kënaqshme, por parimisht, institucionet po mundohen që të bëjnë diçka, por në praktikë po ka vështirësi akoma dhe nuk po punojnë as sa duhet”, ka thënë ai.
Spahiu thotë se ata presin, që çështja e punësimit, zbatimi i ligjit për aftësim dhe riaftësim profesional si dhe ajo e arsimit, të jenë më cilësore dhe me profesionalizëm.
“Presim profesionalizëm më të madh si përfshirjen e këtyre personave në punësim, arsim e në fusha të tjera” është shprehur ai për Front Online.
Duke komentuar qasjen në infrasturkturë, e cila sipas tij ka nevojë akoma për përmisime, ai ka pohuar se prej 2017-ës, kanë ndryshuar disa kushte dhe janë zbatuar disa ligje më shumë.
“Janë duke u zbatuar dy tri nene të këtyre ligjeve, neni për rimbursim të energjisë elektrike, dhe ai për ç ‘doganim të automjeteve që kanë nevojë personat me aftësi të kufizuara. Ka pasur disa ndryshime që nga viti 2017”, ka thënë kryetari i Shoqatës së të Verbërve në Gjilan, Bajram Spahiu.
Ndryshe, 3 dhjetori shënon Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, ku si qëllim ka promovimin e barabartë dhe përfshirjen e tyre në shoqëri.
Kujtojmë se në Kosovë jetojnë mbi 200 mijë persona me aftësi të kufizuara apo rreth 10 përqind e popullsisë së përgjithshme.