×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Rrëfimi i serbit që po krijon parti kundër Listës Serbe: Ata janë kriminelë, ndihmohen nga spiunazhi rus

    Insajderi
    09 August 2023 - 14:51
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Boban Bogdanoviq, politikani serb që ka marrë nismën për krijimin e një partie politike që për synim ka të bërit rival Listës Serbe, partisë parlamentare kosovare që kontrollohet nga Beogradi ka dhënë një intervistë të gjatë për Insajderin. Listës Serbe i thotë kriminale e terroriste. E fajëson për përfshirje në vrasje. Për më shumë e fajëson për detyrim të serbëve për ta braktisur Kosovën, diçka që thotë që po e bëjnë sistematikisht Zvonko Veselenoviq e Millan Radojqiq, njerëzit e Aleksandër Vuqiqit. Aktivitetin e tyre ia faturon shërbimit sekret serb e spiunazhit të Rusisë në Ballkan. Vuciqin e sheh veç si një njeri që po i vazhdon projektet e Sllobodan Millosheviqit

    Visar Duriqi

    “Serbia është shtet i sistemit hibrid të Federatës Ruse dhe si i tillë është një rrezik i madh për sigurinë për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe veçanërisht për Republikën e Kosovës, Bosnjë-Hercegovinën dhe Republikën e Kroacisë”, kështu e ka nisur rrëfimin e tij Boban Bogdanovic dhënë Gazetës Insajderi

    Ai është një politikan serb, i lindur në Kosovë, por që aktualisht jeton në Beograd..

    “Atë që Sllobodan Millosheviqi filloi në vitin 1999, me spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës, Aleksandar Vuçiq tani po përpiqet ta përfundojë me vite të tëra manipulimesh politike”, thotë Bogdanoviq i cili ka marrë nismën për të krijuar një parti pro-evropiane, por që theks të veçantë i jep ndërtimit të raporteve mes Kosovës e Serbisë, dhe njohjes së ndërsjell.

    Ai në këtë intervistë dhënë Gazetës Insajderi ka folur për një sërë zhvillimesh historike që kanë quar në raporte të tensionuara mes dy kombeve, kombit serb në Serbi dhe shqiptarëve në Kosovë, por që tash me nismën për krijimin e partisë së re me orientim të evropian shpreson që ky raport do të ndryshojë thellësisht.

    Por kush janë njerëzit kryesorë të kësaj nisme, pos vet Boban Bogdanoviqit?

    “Të gjitha këto fakte që parashtrova, inkurajuan një grup intelektualësh të mëdhenj në Serbi me në krye avokatin Çedomir Stojkoviq, profesorin Ivan Videnoviq, avokatin Zoran Vuletiq dhe patriotë të tjerë serbë që të mblidhen rreth idesë së formimit të një organizate të re politike euroatlantike”, thotë Bogdanoviq për Insajderin.

    Prishja e segmenteve politike të Millosheviqit, çka tjetër synon partia e Bogdanoviqit?

    Bogdanoviq thotë se është e vërtetë se në Serbi dhe Kosovë, por krijimi partisë që ata e kanë quajtur Aleanca Euro-Atlantike e Serbisë dhe Kosovës është e pandalshme.

    “Po zhvillohet procesi i përgatitjes për formimin e organizatave të reja politike euroatlantike. Deri në fund të shtatorit do të përfundojmë formimin e një organizate politike në Serbi dhe paralelisht do të regjistrojmë një organizatë politike (si-motra) në Kosovë”, thotë Bogdanviq.

    Sipas tij, cilat janë synimet e kësaj force të re politike?

    “Platforma euroatlantike dhe agjenda e ardhshme e veprimit tonë politik është: Ndërprerje e plotë me çdo segment të politikës së Sllobodan Millosheviqit ndaj Evropës, SHBA-së, Rusisë, rajonit dhe veçanërisht ndaj Republikës së Kosovës. Thyerja e çdo fije me politikën e humbjes së Millosheviqit në vitin 1999, por edhe me gjurmët e saj pas vitit 2003, në qeveritë e Koshtunicës, Tadiqit dhe Vuçiqit”, janë si synime fillestare të kësaj partie që do të ketë prezencë në Kosovë, por edhe në Serbi.

    Sipas Bogdanoviqit, Aleansa Euro-Atlantike e Serbisë dhe Kosovës synon që të luaj rol edhe tek paraqitja e kërkesës së Serbisë për anëtarësim në NATO.

    “Përmbushja prioritare, e fokusuar dhe e pakushtëzuar e të gjitha kritereve dhe standardeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të përcaktuara në grupet e negociatave. Harmonizimi i plotë i politikës së jashtme dhe të sigurisë dhe bashkëpunimi i ngushtë politik dhe ekonomik me Bashkimin Evropian, SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar”, janë disa synime të tjera të kësaj force të re politike, thotë Bogdanoviq në një intervistë për Insajderin.

    Aleansa Euro-Atlantike e Serbisë dhe Kosovës, sipas Bogdanoviqit ka për synim edhe bindjen e Serbisë që të ofrojë mbështetje të plotë për Ukrainën në luftën e saj të drejtë kundër agresionit dhe pushtimit të territorit të saj, duke përfshirë ndihmën ushtarake dhe futjen e të gjitha sanksioneve të BE-së nga Republika e Serbisë kundër Federatës Ruse.

    Kur jemi tek Kosova, Bogdanoviq thotë se kjo parti ka për qëllim “normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Republikën e Kosovës, bazuar në kulturën e konfrontimit, përkujtimit dhe pajtimit dhe bashkëpunimit të hapur dhe politikës së përbashkët në përputhje me aspiratat e të dyja vendeve drejt anëtarësimit në NATO dhe BE”.

    Për më shumë se kaq, kjo parti synon që të ofrojë mbështetje të plotë për Republikën e Kosovës dhe ndihmë e pakushtëzuar në rrugën e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare me theks të veçantë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në OKB dhe Interpol.

    “Respektimi i pakushtëzuar i sovranitetit dhe integritetit territorial të vendeve fqinje, veçanërisht të vendeve të krijuara nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë ku jetojnë një numër i konsiderueshëm i qytetarëve serbë, me bashkëpunim të plotë të fqinjësisë së mirë me qeveritë e atyre vendeve”, thotë ai që është një nga pikat e programit të kësaj partie.

    Kurdo që regjistrohet, kjo partia politike në Kosovë, sipas Bogdanoviq do të jetë parti e serbëve të Kosovës, në të cilën do të marrin pjesë të gjithë pjesëtarët e komuniteteve kombëtare pa përjashtim

    “Kemi vendosur ta bëjmë këtë hap për të kundërshtuar Listën Serbe dhe ndikimin e regjimit të Aleksandër Vuçiqit dhe për të inkurajuar komunitetin serb që të integrohet plotësisht në shoqërinë kosovare”, ka thënë për Insajderin Bogdanoviq.

    Edhe pse emri Aleanca Euro-Atlantike e Serbisë dhe Kosovës është më shumë siq ai e quan, emër pune, Bogdanooviq thotë se “tani për tani ka disa propozime për emrin e organizatës politike që do të regjistrojmë, por sigurisht që fillimisht do të njoftojmë redaksinë tuaj për emrin përfundimtar”.

    Ai në këtë intervistë thotë se e ka edhe një mesazh për qytetarët e Kosovës.

    “Bashkëqytetarëve të Kosovës dua t’u them këtë: Të bashkuar në diversitet, ne ndërtojmë të ardhmen tonë të përbashkët!”, është shprehur Bogdanoviq.

    Lista Serbe- organizatë terroriste, e përfshirë në vrasje e dëbim të serbëve  

    Boban Bogdanoviq në intervistën e gjatë për Insajderin ka treguar edhe kontekstin historik, të historisë më të re politike në vend,  që e ka shtyrë atë dhe intelektualë tjerë në Beograd për krihjimin e një force politike që e njëjtë do të jetë prezentë edhe në Serbi e edhe në Kosovë.

    Partinë parlamentare serbe që dirigjohet nga Beogradi, Lista Serbe, nuk është kursyer që ta quante edhe terroriste.

    “Fatkeqësisht, ky “eksod i heshtur” ndahet në dy faza. “Fazën e parë” e përjetuan pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë të cilët kundërshtuan veprimtarinë e organizatës kriminale-terroriste-politike, Lista Serbe, e cila me ndihmën e shërbimeve inteligjente ruse dhe serbe dominon veriun e Kosovës”, thotë Bogdanoviq.

    Ai pos që beson që Lista Sebre mbështetet nga shërbimi serb i spiunazhit dhe shërbimi rus në të njëjtën kohë, ai thotë se planet ishin më ogurzeza.

    “Këta nuk janë “serbë besnikë” dhe si të tillë nuk kanë çfarë të kërkojnë në Kosovë, sidomos kur të plotësohen kushtet për fillimin e “fazës së dytë”, përkatësisht një fazë që me ndihmën e saj do të provokonte një konflikt të armatosur në Kosovë, të Federatës Ruse, qëllimi i së cilës do të ishte zbatimi përfundimtar i politikës së Millosheviqit nga viti 1999”, thotë Bogdanoviq.

    Sipas tij, që nga viti 2013, “kur Aleksandar Vuçiq vendosi diktaturën në Serbi dhe mori në dorë të gjitha levat e pushtetit, më shumë se 50 mijë qytetarë serbë janë larguar nga Kosova dhe kjo tendencë fatkeqësisht vazhdon edhe sot”.

    Ai thotë se serbët nga Kosova nuk po largohen nga shqiptarët, por janë nën presionin e kriminelëve të afërt me Aleksandër Vuqiqin.

    “Nën torturat dhe presionet e përditshme të klanit kriminal të Zvonko Veselinoviqit dhe Milan Radoiçiqit, shumë familje serbe vendosën të largohen përgjithmonë nga Kosova”, thotë Bogdanoviq dhe vazhdon se ata “që kundërshtuan me guxim politikën zyrtare të Beogradit, Listës Serbe, Veselinoviqit dhe Radoiçiqit u vranë, siç politikani Oliver Ivanoviq”.

    Pos për përfshirje në vrasje, siç është rasti i Oliver Ivanoviqit, Bogdanpviq e fajëson Vuqiqin edhe për atë që sipas tij i mashtroi ndërkombëtarët.

    “Me një agjendë të rreme evropiane, premtime politike dhe manipulime të afta, Aleksandra Vuçiq arriti ta fuste bashkësinë ndërkombëtare në një situatë shumë të sikletshme, aq sa ajo u përhumb në kohë dhe hapësirë ​​pa propozime konstruktive dhe zgjidhje të qarta:, thotë ai.

    Ndrojtja e Bashkimit Evropian dhe negociatorëve të tij, vendosmëria e pamjaftueshme e Departamentit të Shtetit dhe ndikimi i butë i Britanisë së Madhe në procesin negociator të Kosovës dhe Serbisë, “i dhanë mundësi Aleksandër Vuçiqit të pezullojë plotësisht demokracinë në Serbi me kontrollin e mediave dhe ndihmën e strukturave kriminale dhe instalimin e një narrative nacional-socialiste të njohur si“Kosova është zemra e Serbisë””, thotë Bogdanoviq.

    “Me doktrinë politike dhe korrupsion, ai vendosi në parlamentin serb një opozitë sipas shijes së tij, njëra prej të cilave janë ekstremistë të djathtë të etur për “gjak të freskët të Kosovës” dhe tjetri evropianë të rremë, që gjoja luftojnë për vlerat evropiane. por me “vijë të kuqe” “Kosova është Serbi” dhe pa anëtarësimin e Serbisë në aleancën e NATO-s”, e përshkruan Bogdanoviq me një fjali jetën politike në Serbi.

    I ashpër me Aleksandër Vuqiqin. I ashpër me opozitën serbe, Bogdanoviq thotë se po hyn në politikë me një parti që të njëjtë do ta regjistroi edhe në atje edhe në Kosovë, për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Por edhe me një thirrje drejt faktorit ndërkombëtar.

    “Kushtet politike në Serbi janë të tilla që, para së gjithash, janë më se katastrofike për qytetarët e Serbisë, që mund të shihet nga dita në ditë, dhe të njëjtat (jo)mundësi mund të përhapen në të gjithë rajonin. nëse qytetarët e Serbisë dhe komuniteti ndërkombëtar nuk ofrohen menjëherë një platformë e re politike e vlerave euroatlantike”, ka përfunduar Bogdanoviq. /Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark