Sipas hulumtimit të bërë nga Koalicioni KOMRA, rreth 130 mijë njerëz kanë humbur jetën në luftërat në territorin e ish-Jugosllavisë.
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Koalicioni për KOMRA, bërë një dokumentim mbi humbjet njerëzore dhe kampet e mbajtjes së periudhës së luftërave në ish-Jugosllavi.
“Sipas këtij hulumtimi, në Kosovë gjatë periudhës 1 janar 1998 deri në dhjetor 1999 kanë humbur jetën rreth 13 mijë e 535 persona, shumica prej tyre kanë humbur jetën në territorin e Kosovës”, ka bërë të ditur Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.
Prej këtyre, 8 mijë kanë qenë civilë, 2997 serbë, 275 romë, 95 boshnjakë dhe 156 të tjerë.
Në mesin e këtyre të vrarëve, 213 kanë qenë nën moshën 6-vjeçare.
Gjakova është komuna që ka pasur më së shumti viktima me rreth 1 mijë e 699, bërë të ditur Blakaj.
Ndërsa Natasha Kandiq, koordinatore e këtij projekti tha se kemi përcaktuar identitetin e këtyre viktimave në Kosove gjatë viteve 1999 dhe 2000.
Gjatë hulumtimit ajo tregoi se shumica e këtyre personave që kanë humbur jetën kanë qenë gjatë ikjes, fëmijë dhe të moshuar për shkak të urisë, tha Natasha Kandiq.
Ajo u shpreh se ka një numër të madh edhe të pjesëtarëve të UÇK-së, që janë vrarë në luftë.
“Një tjetër hulumtim që kemi filluar ta bëjmë, e që kërkon një mund mjaft të madh, janë rrethanat e këtyre vdekjeve”, shtoi Kandiq.
Ndërsa në luftë në Kroaci në vitet 1991-1995 kanë humbur jetën rreth 15 mijë viktima, tha Slaven Rashkoviq, koordinator i projektit nga Kroacia.
Po ashtu, Xhenana Karup Drushko, nga Shoqata Drejtësia Tranzicionale, Përgjegjësia dhe Përkujtimi në Bosnje, ka thënë se edhe në luftën e Bosnje e Hercegovinë, kanë mbetur të vrarë rreth 160 mijë njerëz, prej tyre 7 mijë e 700 myslimanë boshnjakë.
Ajo tregoi se vdekja e këtyre viktimave ka ardhur si pasojë e mbajtjes së tyre nëpër llogore të ndryshme.
“Ato llogore janë formuar nëpër shumë objekte të ndryshme si shkolla, burgje, salla sporti etj, aty janë mbajt me mijëra civilë ku shumica prej tyre ende nuk janë identifikuar”, tregoi ajo.
“Kjo ka qenë një nga mënyrat e spastrimit etnik të Bosnjës”, shtoi Xhenana Karup Drushko./Insajderi.com