Insajderi
Lajme

Rreth 50 pasagjerë të terrorizuar nga autobusi i linjës “24 Yjet” në Prishtinë – aksidenti i shkaktuar nga shoferi, a u tentua të fshihej rasti?

Insajderi
04 November 2025 - 10:52
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Rreth 50 pasagjerë të terrorizuar nga autobusi i linjës “24 Yjet” në Prishtinë – aksidenti i shkaktuar nga shoferi, a u tentua të fshihej rasti?
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Një aksident me autobus ka tronditur disa qytetarë më 27 tetor, rreth orës 17:30. Autobusi i linjës “24 Yjet”, i gjatë dhe me harmonikë në mes, humbi kontrollin në kryqëzimin e “Ramiz Sadikut” dhe përfundoi duke u përplasur në rrugën që çon te restoranti “Fjala”.

Siç ka mësuar Insajderi, në momentin e aksidentit, në autobus ndodheshin rreth 40-50 pasagjerë. Mes tyre ishin fëmijë, të rritur dhe të moshuar.

Për shkak të humbjes së kontrollit dhe mbingarkesës, shumë pasagjerë ranë për tokë, duke u përplasur me njëri-tjetrin dhe me elemente të autobusit.

Shumë prej tyre pësuan lëndime të lehta dhe frikë të madhe.

Dëshmitarët tregojnë se situata brenda autobusit ishte kaotike.

Shoferi nuk kërkoi që pasagjerët të qëndronin në vend, duke pretenduar se as policia nuk u thirrë menjëherë në vendin e ngjarjes.

Gjithmonë sipas tyre, asnjë përfaqësues i kompanisë “24 Yjet” nuk u paraqit për t’u interesuar për gjendjen e pasagjerëve.

Një pasagjer për Insajderin rrëfeu tmerrin që përjetoi: “Isha ulur vetëm kur e pashë veten të shtirë në tokë. Përreth pashë fëmijë të gjakosur dhe të moshuar që mezi mbanin këmbët. Ishte tmerr i vërtetë.”

“Autobusi ishte i stërmbushur, disa ishin në këmbë. Shoferi po voziste me shpejtësi dhe nuk ndërmori asnjë masë sigurie pas përplasjes“, tha një tjetër.

Sipas pasagjerëve, mbingarkesa në autobusët e kësaj linje është e zakonshme dhe incidenti ishte vetëm çështje kohe.

Përveç dëmeve të shkaktuara brenda autobusit, shoferi thuhet se ka goditur edhe disa vetura që ndodheshin në parking.

Nga kompania “24 Yjet” u tha shkurt për Gazetën Insajderi se: “Në lidhje me rastin e aksidentit që ka ndodhur më 27 tetor është duke u marrë policia.”

Gazeta ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës për detaje, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.

Rasti nuk është raportuar as në raportin 24-orësh të policisë, siç ndodh zakonisht me incidente të tilla.

Insajderi do t’ju mbajë të informuar lidhur me rastin…


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark