Rrezik për zdritje? - A po i dërgon Esobar shumë rrymë Kurtit - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Rrezik për zdritje? – A po i dërgon Esobar shumë rrymë Kurtit

    Insajderi
    21 October 2022 - 17:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    “Nëse ke shumë rezistencë ke pak rrymë edhe ecë përpara, a nëse ke pak rezistencë të vjen shumë rrymë edhe të djegë”. Kështu fliste dikur Albin Kurti kundër presioneve ndërkombëtare, të cilave sipas tij nuk po u bënin ballë pushtetarët në Kosovë. Rryma e tepërt që po i vije Albin Kurtit, tash si kryeministër nga Gabriel Escobar, nuk e dimë se a do ta djeg, por rezistenca e tij e pakët është më se evidente tek çështjet e mëdha.

    Albin Kurti, e ka fort për zemër ligjërimin rreth Elektroteknikës, specifikisht për poçin elektrik, nxehëset, bojlerët e filterët.

    Një ligjërim epik rreth rezistencës dhe tensionit e kishte mbajtur sa ishte në opozitë si kritike e ashpër ndaj qeverisjes së kaluar, se nuk është mjaftueshëm rezistente karshi presionit ndërkombëtar – për dallim nga zyrtarët e Beogradit që sipas tij kishin rezistencë më të madhe.

    Krahasimin e kishte epik me poçin që nuk bënë shumë rezistencë por që i shkon më shumë rrymë sesa nxehësja që bënë shumë rezistencë e i shkon pak rrymë, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Në bazat e Elektroteknikës e patëm mësu, se kur rezistencat lidhen paralel – tensioni është konstant, për shembull poqi edhe nxemsja. Poqi elektrik e ka rezistencën e vogël shkon shumë rrymë ndriçon kurse nxmesja e ka rezistencën e madhe si bojleri aty shkon ma pak rrymë”, nis ligjërimin e tij Kurti.

    “Faktorët ndërkombëtar dojnë stabilitet, tension konstant. Nëse ka rezitencë shumë qojnë pak rrymë nëse ka pak rezistencë pak qojnë shumë rrymë. A po kuptoni? Në Beograd shohin shumë rezistencë atyne ju qojnë pak rrymë, të na shohin pak rezistencë na qojnë shumë rrymë. Me ba me të ardhë rezistenca ka zerroja bahet kurshlluz lidhje e shkurt edhe ta zdrisin”, vazhdon më tej ai.

    “Nëse ke shumë rezistencë ke pak rrymë edhe ecë përpara, a nëse ke pak rezistencë të vjen shumë rrymë edhe të djegë”, thoshte Kurti.

    Tani gjërat kanë ndryshuar. Albin Kurti nuk është vetëm opozitar që e ka lluksin e ligjërimit sa herë që e lyp rasti. Ka marrë pushtetin e punët e përgjegjësit i ka me të mëdha. E përballjen me presionin ndërkombëtar të drejtpërdrejtë – sidomos për temat e nxehta, për të cilat sa ishte në opozitë i shfrytëzonte mirë për konsum politik.

    Këtu shtrohet pyetja, A do ta djeg apo do të ecë përpara Kurti me rrymën që po i vijë nga Escobar?

    Gabriel Escobar duket se po i jep më shumë rrymë sesa që duhet rezistencës së ulët të Albin Kurtit, tash si kryeministër i Kosovës.

    Rryma që e ndryshoi qëndrimin e Albin Kurtit për “Elektroserverin”

    Marrëveshjen të cilën e kishte kundërshtuar ndër vite Albin Kurti, e kishte përshëndetur të marten e 21 qershorit, ditën kur edhe u nënshkruar pranimi i “Elektroserverit” nga zëvendësi i tij, Besnik Bislimi.

    “Elektroserveri nuk duhet të pranohet kurrsesi. Nëse KEDS-i nuk i mbledh faturat në veri, atëherë duhet të kthehet në pronë publike shpërndarja edhe furnizimi, nëse nuk e bën KEDS-i duhet qeveria”, thoshte atëherë Kurti.

    Por kur rryma e tepërt i erdhi si pasojë e rezistencës së ulët e ky nuk bëri rezitencë, jo vetëm që e pranoi  “Elektroserverin”por e promovoi edhe si marrëveshje të mire që do të mundësojë që të gjithë qytetarët të trajtohen në mënyrë të barabartë.

    “Ka qenë një dëmtim i madh i buxhetit, një padrejtësi e jashtëzakonshme që na është bërë në këto vite, andaj me këtë dakordim po i vjen fundi dhe po mundësohet që për energjinë e konsumuar edhe të paguhet ajo energji nga të gjithë qytetarët, ashtu që të gjithë të jemi të barabartë dhe të mos dëmtohet buxheti”, ka thënë Kurti si kryeministër.

    Rryma që mund t`ia zdritë Kurtit “Asociacionin”

    Nuk dihet nëse do ta djeg por si shkak i rezitencës së tij të ulët, Kurti ka pranuar shumë rrymë për “Asociacionin” javëve të fundit me theks të vecantë nga emisari i dërguar nga shteti më i fuqishmë në botë – Amerika, Gabriel Escobar.

    Të mërkuren ai i erdhi për herë të fundit në zyre Kurtit, për t`ia përsëritur edhe një herë se Asociacionin i komunave me shumicë serbe duhet të përmbushet.

    “Mendoj se do të jetë një element i rëndësishëm. Është një zotim që tashmë ekziston, mendoj se është zotim i rëndësishëm dhe që duhet të përmbushet. Në mëngjes fola me Presidenten për mënyrat e ndryshme se si Kosova mund ta krijojë Asociacionin që të jetë situatë “fitues-fitues”, sikurse për komunitetet në veri ashtu edhe për vetë Kosovën”.

    “Por, gjëja më e rëndësishme është që duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, duhet t’u përmbahet ligjeve të Kosovës dhe nuk duhet të ndikojë në funksionalitetin e Kosovës. Por, duke thënë këtë ka shumë, shumë opsione dhe modele evropiane që mund t’i shohim bashkë, që do ta bënin këtë një mundësi reale. Por, po – do të donim ta shihnim duke u zbatuar.” – tha Escobar 

    Derisa Kurti pas takimit me të tha se kush është në anën e Amerikës është në anën e drejtë për të ecur përpara.

    “Jemi të gatshëm dhe të përkushtuar për arritjen e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër. E mirëpresim angazhimin e Amerikës në këtë proces. Rreshtimi i Kosovës me Amerikën përbëjnë dëshminë e partneritetit tonë dhe dallimin me ata që nuk u rreshtuan në anën e së vërtetës dhe të drejtës”, përfundoi Kurti. /Gazeta Insajderi


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark