Tre kompani “Xella L.L.C”, “Eskavatori” dhe “Dino”, alarmuan se mund të mbylljen aktivitetet e tyre shkaku i mbylljes së rrugës së furnizimit të tyre me materialin e lëndës së parë, nga autostrada “Arbër Xheferi”.
Këto kompani protestuan sot në pikën e mbylljes së rrugës mes fshatrave Smallushë dhe Dobratin, mirëpo pavarësisht se kishin paralajmëruar në polici, kjo e fundit nuk I lejoi të protestojnë me mjete të rënda.
Ndërkaq drejtuesit e këtyre kompanive thanë se me mbylljen e kësaj rruge po rrezikohen mbi 25 milionë investime të huaja dhe vendore, me mbi 500 punëtorë.
“Mund të punojmë vetëm edhe për pak ditë me rezervat e lëndëve të para që kanë grumbulluar. Ato, tashmë nuk e kanë të mundur të furnizohen, meqë autostrada Prishtinë – Hani i Elezit, u ka mbyllur rrugën kryesore”, njofton Oda Ekonomike Gjermane në Kosovë.
Sipas këtij njoftimi drejtuesit e këtyre kompanive Samir Krasniqi nga “Xella”, Isa Rysha nga “Eskavatori” dhe Abedin Salihu nga kompania “Dino”, ka tre muaj që po kërkojnë zgjidhjen e kësaj çështje, por pa sukses.
“Mbyllja e kësaj rruge, mbyllë edhe bizneset tona. Thërrasim institucionet qeveritare, që të bëjnë një zgjidhje për rrugën dhe të na e mundësojnë zhvillimin e aktivitetit tonë”, tha drejtori i kompanisë gjermano kosovare Samir Krasniqi.