
Pas rrëzimit të një vinçi sot në rrugën “Shkupi” në lagjen Veternik të Prishtinës, ka reaguar Komuna e Prishtinës.
Në reagim thuhet se nga rrëzimi këtij vinçi nuk ka lëndime në njerëz, por vetëm dëme materiale.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë gjithashtu hetuesit policorë dhe inspektorët e ndërtimit për të vlerësuar rrethanat dhe dëmet e shkaktuara. Ngjarja përfshin rrëzimin e një vinçi ndërtimi, i cili fatmirësisht nuk ka shkaktuar lëndime në njerëz, por vetëm dëme materiale. Janë dëmtuar një pjesë e rrugës pranë një pusetës së kanalizimit, si dhe një pjesë e një ndërtese banesore përballë vendit të ndërtimit”, thuhet në reagimin e Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca.
Ndryshe Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet për veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala, ka konfirmuar për Insajderin se prokurori i shtetit ka hapur rastin dhe hetimet janë në vazhdim.
“Prokurori i shtetit ka hapur rastin ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’. Hetuesit dhe prokurori janë në hetime të vazhdueshme lidhur me rastin në fjalë”, ka thënë Shala për Insajderin.