Numri I të sëmurëve nga mjedisi i ndotur është shtuar, në veçanti në muajin e fundit, thonë ekspertët e shëndetësisë në Kosovë, duke nënvizuar problemet e shtuara me mushkëritë dhe sëmundjet tjera respiratore.
Punëtorët shëndetësorë thonë se edhe numri i pacientëve në spitale është rritur, ndërkohë që përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë bërë të ditur se nga ndotja e ajrit llogaritet se shkaktohen mbi 800 vdekje të parakohshme në vit.
Rukije Mehmeti, pulmologe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se numri i të sëmurëve, sidomos muajin e fundit, është rritur shumë. Sipas saj kapacitetet e shtretërve në Klinikën e Pulmologjisë janë përmbushur 100 për qind me pacientë të shtrirë.
‘’Është e papërshkrushme sa është rritur numri i pacientëve. Dhe normalisht që ka ndikuar ajri i papastër, sidomos tek sëmundjet me bronkit, astma tek të moshuarit, edhe gjendja gripoze që është lidhur në këtë periudhë, është përkeqësu gjendja. Janë rritur pranimet, është shtuar numri i hospitalizimeve. Në spital nuk kemi vende të lira dhe nevojat janë më të mëdha se kapacitetet,’’ ka thënë Mehmeti.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, përmes një komunikate, ka theksuar se kohët e fundit qyteti i Prishtinës është zhytur në smog, që paraqet ndotje të kombinuar të ajrit me gazra dhe aerosole, i cili vërehet gjithandej.
Vlerësohet se ndotësit më të mëdhenj të ajrit në Kosovë janë makinat e vjetra dhe kompanitë e mëdha të industrisë së rëndë.
Kosova është radhitur nga mekanizmat ndërkombëtarë në nivelin më të ulët të standardeve mjedisore në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.
Ilir Morina, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, ka thënë se gjatë ditëve të fundit, sipas matjeve që i ka bërë kjo agjenci, ka rezultuar se janë dy periudha kohore brenda 24 orëve që ajri është më i ndotur. Ai flet edhe për termocentralet, të cilat i sheh si ‘kancer’ të ambientit në të ardhmen.
‘’Të dhënat tregojnë që ka dy periudha kohore gjatë 24 orëve kur ka tejkalime enorme. Ato janë mbrëmja, deri në orën 2 pas mesnate dhe mëngjesi, rreth orës 6. Ne duhet të marrim masa për termocentrale të reja, ose largimin e termocentraleve të vjetra, pasi do të jenë kancer i së ardhmes për mjedisin’’, ka thënë Morina.
Por, Skender Bucolli, zyrtar për informim në Korporatën Energjetike të Kosovës, nuk e sheh këtë institucion si ndotës, pasi, siç thotë, vetëm dy vitet e fundit janë investuar mbi 50 milionë euro për mbrojtjen e ambientit dhe cilësinë e ajrit.
‘’Sa i përket KEK-ut, sidomos termocentralit Kosova A, pas investimeve të fundit që janë bërë vitet e fundit, asnjëherë nuk i ka tejkaluar parametrat e lejuar. KEK-u në vitet e fundit ka investuar më shumë se 50 milionë euro. Është mbuluar një kodër e tërë me 250 hektarë hi, e që ka qenë e trashëguar qysh prej viteve të paraluftës dhe tashmë ajo është mbuluar mbi 85 për qind. Nuk mund të themi se jemi të kënaqur, po kemi bërë shumë investime dhe do të vazhdojmë të punojmë për përmirësim të mëtutjeshëm’’, ka thënë Bucolli.
Ndërkohë, udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skender Syla, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ajri i pastër, i paraparë me standardet e OBSH-së, paraqet një parakusht për zhvillim normal të shëndetit të individit, derisa shton se Kosova nuk i përmbush këto standarde.
‘’Ne në Kosovë kemi një mjedis të degraduar dhe ndotja e ajrit është e shprehur në nivelet më të larta, sidomos javët e fundit. Qeveria e Kosovës do të duhej në aspektin afatgjatë të krijonte resurse të reja energjetike, të cilat do të prodhonin energji të pastër dhe alternative. Gjithashtu, të rregullohet ngrohja, e sidomos djegia e thëngjillit, e që dihet që shumë amvisëri e përdorin thëngjillin për ngrohje’’, ka thënë Syla. (REL)