Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale.
Tahiri para mediave pohoi se Qeveria ka bërë disa shkelje lidhur me këtë ligj.
“Sot grupi parlamentar i AAK-së i mbështetur edhe nga dy deputetë të pavarur dorëzoi kërkesën lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale. Në kërkesën tonë kemi adresuar tri çështje që janë të rëndësishme”, tha ai.
Tutje, ai tha se presin vlerësimin nga Gjykata Kushtetuese, pasi siç tha ai me këtë ligj janë bërë diskriminime për veteranët dhe po ashtu edhe për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë.
“Presim që drejtësia të del në vend”, tha mes tjerash ai.