×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Rruga e promovuar nga Kurti – Si i zuri inspektori i KPMM’së kamionët e “Arbotec” duke vjedhur zhavorr?

    Insajderi
    22 August 2023 - 16:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale gjatë inspektimit të punimeve në rrugën Prishtinë- Podujevë ka zënë dy Ekskavatorë duke nxjerr jashtëligjshëm zhavorr në zonën që është e ndaluar me ligj. Gazeta Insajderi mëson se Ekskavatorët ishin të kompanisë fituese “ARBOTEC” Sh.p.k. e cila është në pronësi të biznesmenit Hektor Beqiri.

    Punimet e kësaj rruge ishin inauguruar edhe nga kryeministri Albin Kurti i cili kishte premtuar cilësi pasi që sipas tij për zgjerimin e kësaj rruge ishin përzgjedhur kompanitë më të mira.

    Por, njëra nga këto kompani fituese po del që ka bërë shkelje të rënda të ligjit.

    Makineritë e saj janë zënë nga Inspektorati i Minierave duke eksploatuar kundërligjshëm zhavorr nga një zonë e ndaluar.

    Inspektorët e KPMM’së kishin kryer inspektim më 14 gusht 2023. Përmes një përgjigje zyrtare të dhënë për Gazetën Insajderi, KPMM ka konfirmuar se gjatë inspektimeve rutinore në punimet e rrugës Podujevë – Prishtinë ka hasur në dy Ekskavatorë në vendin e ngjarjes duke bërë aktivitet të jashtëligjshëm minerar.

    Gjatë inspektimit nga Inspektorët e KPMM-së janë zënë dy Ekskavator në vend të ngjarjes duke bërë aktivitet të jashtëligjshëm minerar (duke shfrytëzuar resurs mineral)”, thuhet në përgjigje.

    Sipas tyre, Ekskavatorët i përkasin Ndërmarrjes ,,ARBOTEC’’sh.p.k”.

    Ndërmarrja “Arbotec” sh.p.k sipar ARBK’së është në pronësi te biznesmenit, Hektor Beqiri.

    Lidhur me këto gjetje, KPMM’ja ka lajmëruar organet kompetente. Ndër to është edhe Ministria e Infrastrukturës e udhëhequr nga Liburn Aliu.

    “KPMM i ka marr të gjithë hapat në përputhje me Ligjin, është njoftuar Policia e Kosovës, Policia Hetuese, Prokuroria e Shtetit dhe MMPHI”, thuhet në përgjigjet e tyre.

    Prokuroria e Shtetit liron Ekskavatorët që u sekuestruan nga Inspektorati i KPMM’së

    Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale ka theksuar për Insajderin se dy Ekskavatorët që ishin shpallur të sekuestruar nga Inspektorët janë liruar nga Prokuroria e shtetit.

    Gazeta në ditët në vazhdim do të raportojë për hetimet që është duke i zhvilluar Prokuroria e Shtetit dhe arsyet pse janë liruar.

    Kompania fituese “Bageri” e shokut të Hysen Durmishit ishte gjobitur tri herë nga KPMM

    Njëra nga kompanitë fituese të tenderit kishte bërë shkelje të ngjashme edhe më herët. KPMM ka njoftuar Insajderin se Ndërmarrja “Bageri 1” sh.p.k që është në pronësi të Bujar Shabanit, shokut të zëvendësministrit Hysen Durmishi, ndër vite janë gjobitur gjithsej tri herë.

    ‘Bageri-1’ është gjobitur më datë 26 nëntor 2020 për ‘shfrytëzim ilegale të ranores’. Vlera e gjobës ka qenë 5 mijë e 866 euro. Kompania ‘Bageri’ më datë 5 shtator 2014 ishte gjobitur për shfrytëzim ilegal të rërës dhe zhavorrit me shumën prej 10 mijë e 439 eurove.

    Është e vërtet që KPMM e ka gjobitur Ndërmarrjen ,,Bageri 1’’sh.p.k, Ndërmarrje ,,Bageri 1’’sh.p.k  i ka kryer të gjitha obligime ndaj gjobave dhe ndaj rentës minerare në KPMM. Ndërmarrja ,,Bageri 1’’sh.p.k posedon Licencë të shfrytëzimit në KPMM, por nëse bën aktivitet te jashtëligjshëm minerar do të merren masa në përputhje me Ligjin” thuhet në përgjigjen e KPMM’së.

    Në muajin korrik kanë nisur punimet e rrugës Prishtinë-Podujevë. Të pranishëm në inaugurimin e punimeve ishin edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, ministrat Liburn Aliu dhe Hysen Durmishi si dhe kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi.

    /Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark