Insajderi
Lajme

Rruga kriminale e kombit – si funksononte dallaveri naftë me ujë mes bizneseve në Kosovë e Shqipëri

Insajderi
03 July 2026 - 11:40
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Rruga kriminale e kombit – si funksononte dallaveri naftë me ujë mes bizneseve në Kosovë e Shqipëri
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Në kuadër të një hetimi masiv të udhëhequr nga Prokuroria Speciale Kosovës, është goditur një rrjet i strukturuar kriminal i dyshuar për krim të organizuar, kontrabandë, shpëlarje parash dhe shmangie tatimore. Personat e përfshirë në këtë dosje hetimore, ndaj të cilëve është kërkuar masa e paraburgimit: Faruk Mazrek, Fariz Mazrek, Skender Kelmendi, Nisret Bajraktari, Dashnim Miftari, Adem Morina, Muhamet Mazrek, Naser Morina dhe Gazmen Quni.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Insajderi, ky grup kishte ndërtuar një urë të paligjshme dhe tejet komplekse me Republikën e Shqipërisë për të realizuar veprimtarinë e tyre kriminale.

Lidhja me Shqipërinë: Roli i “Standard Petrol” dhe Porto Romanos

Shtylla kryesore e operacionit të kontrabandës bazohej në bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet biznesit të të pandehurve Mazrek në Kosovë, “PO PETROLL FARIZ”, dhe kompanisë së karburanteve “Standard Petrol sh.p.k.” me seli në Durrës, në pronësi të shtetasve nga Shqipëria, K.V. dhe F.V.

Hetimet e Departamentit për Hetimin e Krimit të Organizuar kanë zbuluar se autobotet ngarkoheshin direkt në portin strategjik të Porto Romanos në Durrës. Megjithatë, mjetet e transportit nuk sillnin naftë të pastër në Kosovë. Përmes ndërhyrjeve mekanike post-fabrikate dhe modifikimeve të fshehura me dhoma ndarëse brenda cisternave – të realizuara nga anëtarë të grupit të specializuar në modifikime – mjetet ngarkoheshin me rreth 80% deri në 90% ujë natyral dhe vetëm një pjesë të vogël naftë reale.

Ky manipulim i ndërlikuar shërbente për të mashtruar peshoret në pikat kufitare dhe për të kaluar kontrollin doganor pa asnjë pengesë, duke iu shmangur tërësisht detyrimeve dhe inspektimeve reale në kufirin Shqipëri-Kosovë.

Sipas Prokurorisë Speciale, importimi i ujit nga Shqipëria në vend të naftës kishte një qëllim të vetëm: krijimin e një mbulese të ligjshme për paratë e pista që dyshohet se rrjedhin nga trafikimi ndërkombëtar i narkotikëve. Sapo cisternat hynin në territorin e Kosovës, ky “karburant” i përzier u shitej bizneseve të tjera vendase të përfshira në skemë, si “Veda 2 Petroll” dhe “Cini Oil”.

Në librat e kontabilitetit dhe në autoritetet tatimore lëshoheshin fatura fiktive për sasi të stërmëdha nafte sikur shiteshin anembanë vendit. Kjo gjeneronte një qarkullim të rremë financiar, i cili u mundësonte të dyshuarve të depozitonin në sistemin bankar shuma të mëdha të parave kesh (cash) të nxjerra nga aktivitetet e paligjshme.

Për ta bërë biznesin të dukej plotësisht legjitim dhe profitabil në sy të autoriteteve, grupi kishte marrë edhe katër kredi me vlerë totale prej 930 mijë eurosh nga një bankë në Prizren.

Hetimi disamujor ka kulmuar pas sigurimit të transkripteve nga përgjimet telefonike dhe ambientale të realizuara në mes të të dyshuarve, ku zbardheshin marrëveshjet direkte për lëshimin e faturave fiktive me qëllim shmangien e tatimit, duke i shkaktuar Administratës Tatimore të Kosovës dëme të mëdha kapitale.

Gjatë aksionit të gjerë të arrestimeve, Policia e Kosovës ka sekuestruar autobotë, pajisje elektronike, armë zjarri pa leje dhe një sasi të monedhave metalike 2-euroshe të falsifikuara.

Prokuroria tashmë ka kërkuar zyrtarisht masën e paraburgimit të plotë për anëtarët e këtij rrjeti.

Si një ndër arsyet kryesore, organi i akuzës ka potencuar lidhjet e forta financiare, familjare dhe logjistike me Republikën e Shqipërisë. Për shkak të dënimeve të larta që rrezikojnë dhe bizneseve aktive që bashkëpunëtorët e tyre zotërojnë matanë kufirit, ekziston një rrezik i lartë që të dyshuarit të arratisen dhe t’i fshihen organeve të drejtësisë kosovare.

/Insajderi


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark