×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Rruga Prishtinë-Mitrovicë, Kurti nga vendpunishtja kritikon pushtetet e mëhershme për “zvarritje të gjata”

    Insajderi
    04 March 2024 - 09:31
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu, janë shfaqur në vendpunishte në rrugën Prishtinë-Mitrovicë. Aty kanë përuruar punimet, ku janë zotuar se punimet do të kryhen brenda një viti.

    Kurti në një paraqitje para mediave nga vendpunishtja ka kritikuar qeveritë e kaluara për “plane të dobëta, përgatitje të pakta dhe zvarritje të gjata”, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Në të kaluarën ka pasur plane të dobëta e përgatitje të pakta dhe zvarritje të gjata. Tash, me Qeverinë tonë, ne kemi shumë përgatitje, plane të hollësishme andaj edhe punët janë të rregullta sipas procedurave, sipas ligjit me mbikëqyrje dhe me shpejtësi ku nuk do të mungojë angazhimi ynë, por edhe mbikëqyrja e këtyre kompanive si operatorë ekonomikë”, ka deklaruar Kurti.

    “Nga një rrugë e cila ishte me dy korsi, tash do të kemi rrugë nacionale me dy drejtime, secila me nga dy korsi. Përveçse korsia është 3,75 cm, do të ketë edhe një korsi ndihmëse anash, e cila do të jetë dy metra”, ka thënë tutje shefi i Qeverisë.

    “Kjo pjesë dihet që ka dendësi shumë të madhe të trafikut dhe është lajm i mirë për të gjithë qytetarët. Kjo bëhet pjesë e lidhjeve shumë më të mëdha. Sigurisht që është një ditë e mirë. Kompania nga Kosova, kompania nga Bullgaria punojnë bashkë, ndërkaq mbikëqyren nga një kompani nga Austria. Andaj, të gjithë qytetarëve të Republikës, urime dhe përgëzimë. Do të përpiqemi që punët të shkojnë mbarë, mirë dhe shpejt”.

    Në anën tjetër, ministri Aliu ka bërë të ditur se punët do të kryhen nga një operator ekonomik nga Kosova dhe Bullgaria, ndërkaq kompania mbikëqyrëse është nga Austria, pa dhënë shumë detaje.

    Aliu është zotuar se autostrada Prishtinë-Mitrovicë dhe Prishtinë-Gjilan do të kryhet brenda vitit. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark