Një përplasje e fortë politike dhe dyshime për nepotizëm kanë shoqëruar garën për zgjedhjen e Kryeshefit Ekzekutiv në Ndërmarrjen Publike Lokale “Stacioni i Autobusëve” Sh.A. në Prishtinë. Pas vendimit për anulimin e konkursit ku babai i tij doli kandidati me më së shumti pikë, ish-asambleisti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Endrit Gashi, ka pretenduar se ky veprim përbën një “hakmarrje politike” ndaj tij, shkruan Insajderi.
Konkursi publik për drejtimin e Stacionit të Autobusëve u shpall më 23 qershor 2026.
Më 3 gusht 2026, Komisioni Përzgjedhës doli me Formularin e pikëve përfundimtare të intervistës.
Sipas këtij dokumenti zyrtar, Fadil Gashi doli i pari në listë me gjithsej 27 pikë, duke lënë prapa kandidatët Saim Shatri (24 pikë), Arsim Rashiti (22 pikë) dhe Bislim Hajdari (21 pikë). Vlerësimi për Gashin u bë nga anëtarët e komisionit Shaban Brahimaj (8 pikë), Elona Bajgora (9 pikë) dhe Fadil Arifi (10 pikë).

Pas publikimit të këtyre rezultateve, u ngritën shqetësime lidhur me konfliktin e mundshëm të interesit dhe nepotizmin, për shkak të pozicionit politik të djalit të kandidatit fitues, Endrit Gashit, si asambleist në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Më 4 gusht 2026, Gazeta Insajderi u adresua zyrtarisht me pyetje Komunës së Prishtinës për të sqaruar nëse asambleisti Endrit Gashi kishte shërbyer si aksionar i emëruar nga Komuna në këtë ndërmarrje dhe nëse kishte marrë pjesë në përzgjedhjen e Bordit të Drejtorëve që vlerësoi babain e tij.
Përmes pyetjeve u kërkua të dihet se çfarë masash do të ndërmerrte Komuna për të verifikuar shkeljet e mundshme ligjore apo nëse do të kërkohej pezullimi i procesit për të garantuar meritokracinë.
Deri më tani, Komuna e Prishtinës nuk ka kthyer asnjë përgjigje zyrtare lidhur me këtë çështje.
Paralelisht me këto zhvillime, më 4 gusht 2026, Endrit Gashi njoftoi publikisht përmes një postimi në rrjetet sociale se po largohej nga grupi parlamentar i AAK-së në Prishtinë.
Gashi deklaroi se vendimi erdhi pas një periudhe të gjatë me “sulme të orkestruara dhe publikime të porositura nga individë brenda partisë” me qëllim denigrimin e tij dhe të familjes së tij.
Në të njëjtën ditë, kandidati Bislim Hajdari dorëzoi një ankesë zyrtare kundër procedurës së konkursit.
Gjashtë ditë më pas, më 10 gusht 2026, Bordi i Drejtorëve i NPL “Stacioni i Autobusëve”, i kryesuar nga Shaban Brahimaj, mori vendimin për anulimin e tërësishëm të konkursit.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se Bordi ka konstatuar parregullsi procedurale që në fazën fillestare: mosangazhimin e një këshilltari të pavarur, siç e parashikon Kodi i Etikës dhe Qeverisjes Korporative të ndërmarrjes.
“Nga procedura e zhvilluar rezulton se këshilltari i pavarur i paraparë me këtë dispozitë nuk është angazhuar, ndërsa vlerësimi fillestar dhe krijimi i listës së ngushtë janë zhvilluar pa përfshirjen e këtij mekanizmi procedural. Bordi vlerëson se moszbatimi i kësaj kërkese nuk përbën vetëm një mangësi formale, por paraqet një parregullsi procedurale që prek drejtpërdrejt fazën e vlerësimit fillestar të kandidatëve dhe krijimit të listës së ngushtë”, thuhet mes tjerash në vendim, përcjell Insajderi.
Sipas Bordit, kjo mangësi ka cenuar garantimin e paanshmërisë, transparencës dhe integritetit të garës, duke e bërë të nevojshme rihapjen e një konkursi të ri nga fillimi.

Endrit Gashi: Anulimi është hakmarrje politike
Në një prononcim për Gazetën Insajderi, ish-asambleisti Endrit Gashi ka hedhur poshtë çdo pretendim se dorëheqja e tij lidhet me presionin për punësimin e babait të tij.
“Sa i përket largimit tim nga Aleanca, arsyet i kam bërë publike dhe të qarta në deklaratën time të dorëheqjes. Siç kam theksuar edhe aty, vendimi ka ardhur pas një periudhe të gjatë zhvillimesh të brendshme, së fundmi, me publikime të porositura nga individë brenda partisë, me qëllim të denigrimit të figurës sime dhe të familjes sime,” ka thënë Gashi.
Ai ka insistuar se vendimet nuk kanë pikë takimi me njëra-tjetrën. “Për këtë arsye, dua ta bëj shumë të qartë se vendimi im për largim nga Aleanca nuk ka asnjë lidhje me procese të tjera. Çdo përpjekje për t’i ndërlidhur këto çështje do të ishte e pasaktë.”
Lidhur me me pretendimet për nepotizëm apo favorizim në garë, ish-asambleisti ka mohuar të këtë pasur shkelje të tilla.
“Sa i përket pretendimeve për konflikt interesi, qëndrimi im është se në këtë rast nuk ka ekzistuar konflikt interesi. Nëse Bordi i ndërmarrjes ka pasur çfarëdo dileme lidhur me këtë çështje, ka pasur mundësinë që të kërkojë sqarim nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, si institucioni kompetent për trajtimin e çështjeve të tilla.”
Sipas tij, vetë koha kur u mor vendimi për anulim dëshmon prapavijën politike. “Fakti që konkursi është anuluar vetëm pak ditë më pas dorëheqjes sime, për mua e bën edhe më të qartë se kemi të bëjmë me një hakmarrje për shkak të qëndrimeve të mia politike.”
Gashi ka udhëzuar që përgjegjësia administrative t’u kërkohet trupave mbikëqyrës.
“Ndërkaq, sa i përket vetë anulimit të konkursit, procedurave që janë ndjekur dhe pretendimeve eventuale për shkelje ligjore nga ana e bordit, konsideroj se këto pyetje duhet t’u adresohen aksionarëve të ndërmarrjes, të cilët janë përgjegjës për monitorimin dhe mbikëqyrjen e punës dhe vendimeve të Bordit të Drejtorëve, bord i cili është përzgjedhur nga vetë ata. Nga ana ime, mbetem plotësisht prapa asaj që kam deklaruar publikisht: dorëheqja ime nga Aleanca ka ardhur për arsyet e paraqitura në deklaratën time dhe nuk lidhet me këtë apo me ndonjë proces tjetër.”
/Insajderi