×
  • Lajme
  • Lajme

    Rrustem Mustafa i përgjigjet ambasadorit britanik O’Connell  

    Insajderi
    11 February 2016 - 09:24
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ish-deputeti Rrustem Mustafa i është përgjigjur ambasadorit britanik në Kosovës, Ruairí O’Connell lidhur me deklaratën e tij se kriminelët si Mustafa e kanë vendin në burg e jo në Kuvend e liri.

    Mustafa ka thënë se e respekton ambasadorin, por sipas tij nuk ka zgjedhur rastin e duhur për t’u distancuar nga krimi.

    “E di, ‘drejtësia i takon fushës së ëndrrave, vetëm forca mbisundon’”, shkruan Mustafa në Facebook, raporton Insajderi.

    “Nuk është gabim çfarë ka shkruajtur ambasadori, pa marrë parasysh nëse ka pasur borxh për t’u deklaruar ose jo?”, ka thënë ish-komandant Remi i cili ndonëse e kishte humbur mandatin e deputetit, donte ta mbante atë edhe më tej.

    Zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Hashim Thaçit, ka thënë se ka dashur vetëm të respektohen procedurat, “duke mos dashur në vendin tim sundim autoritar.

    “Unë kam shkuar në burg vullnetarisht dhe po thuaj se e kam vuajtur dënimin. Respekt ambasador, nuk e ke zgjedh rastin e duhur për distancim nga krimi”, ka thënë Mustafa.

    Një ditë më herët ambasadori britanik e quajti Mustafën kriminel që e ka vendin në burg.

    “Me vjen mirë që më në fund, Kuvendi e largoi një nga deputetët e dënuar për krime lufte. As Kuvendi, as zyra publike, e as liria nuk janë vendi i duhur për njerëzit e dënuar për krime të rënda. Vendi i duhur është burgu”, ka shkruar Ruairí O’Connell në faqen e tij në Facebook.

    Jahjaga veseli

    Të hënën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dërgoi në Kuvend emrin pasues të deputetit Bislim Zogaj. Emri i tij u dërgua pasi një gjë e tillë iu kërkua nga presidentja Atifete Jahjaga.

    Jahjagës më herët i ishte drejtuar kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli që të ndërmerrte veprimet që ia garanton Kushtetuta për ta zëvendësuar Mustafën.

    Rrustem Mustafa vazhdon të insistojë se ende ka mandat të deputetit dhe se procedurat në rastin e tij u shkelen. Megjithatë, ai ka humbur mandatin qysh në nëntor kur dënimi kundër tij është bërë i plotfuqishëm.

    Ligji për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit parasheh rastet kur një i zgjedhur i popullit humb mandatin. Pika 1.6 e nenit 8 parasheh saktësisht rrethanat në të cilat ndodhen deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rrustem Mustafa e Latif Gashi. Në këtë pikë thuhet se mandati humb “nëse me vendimin e formës së prerë të gjykatës dënohet për vepër penale me vuajtje të dënimit për një ose më shumë vjet burg”. Aktgjykimi i formës së prerë kundër Mustafës e Gashit është publikuar më 6 nëntor të këtij viti, ndërsa buxheti edhe me votat e tyre është miratuar më 17 nëntor.

    Më 6 nëntor Gjykata e Apelit ka vërtetuar dënimin me katër vjet burgim të  ish-komandantit të Zonës së Llapit, Rrustem Mustafa – Remit dhe dënimin me gjashtë vjet burgim të ish-shefit të inteligjencës në këtë zonë, Latif Gashit i njohur si Lata.

    Më tri vjet burgim është dënuar edhe ish-shefi i Policisë Ushtarake, Nazif Mehmeti – Dini.

    Gjykata e Apelit kishte njoftuar se më 11 gusht të vitit të kaluar kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës të shpallur më 7 qershor 2013. Tre të dënuarit janë gjykuar tri herë për krime lufte. Procesi ka nisur në vitin 2003 nga UNMIK-u.

    Gjykata e Apelit ka vendosur në këtë rast bazuar në ankesat e mbrojtjes së të dënuarve. Apeli ka njoftuar se ankesa e ushtruar në emër të të pandehurit Nazif Mehmeti është hedhur poshtë si e paafatshme, ndërsa ankesa për të pandehurin Latif Gashi dhe Rrustem Mustafa janë pranuar në mënyrë të pjesshme. Apeli ua ka llogaritur në vuajtje të dënimit kohën e kaluar në paraburgim.

    Latif Gashi, gjatë kohës së luftës ka udhëhequr Shërbimin informativ ushtarak. Rustem Mustafa, po ashtu deputet dhe zyrtar i lart i PDK-së, ka qenë komandant i Zonës së Llapit.

    Ndërsa Nazif Mehmeti, ka qenë udhëheqës i Policisë Ushtarake./Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark