
Piskamat e gjuha denigruese e karakterizuan fushatën 30-ditëshe të kandidatit për kryeministër të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit. Megjithatë, Kurti s’ishte i zëshëm sikurse në fushatën e kaluar për çmimet e larta të faturës së energjisë elektrike. Pavarësisht kësaj, ai arriti që me gati 100 për qind të votave të numëruara të kandidatëve për deputetë, t’i marrë 290 mijë vota. Kohëve të fundit ka pasur raportime për mundësinë e rritjes së çmimit të faturave të energjisë elektrike, si shkak i kërkesave të tre operatorëve të rrymës.
Gazeta Insajderi
Në programin politik të Lëvizjes Vetëvendosje, fjalia e parë për energjinë elektrike është “përballueshmëria e çmimeve”. Megjithatë, kjo duket se është larg zbatimit.
“Përballueshmëria e çmimeve, pavarësia energjetike dhe ndikimi në shëndet janë parësore në politikën tonë energjetike”, thuhet në plan programin politik të partisë që përbrenda mandatit të tyre katër vjeçar u shtrenjtua rryma dy herë.
Vetëvendosja zotohet edhe për modernizimin e termocentralit “Kosova B” dhe rehabilitimin e “Kosovës A” për “uljen e ndjeshmërisë ndaj krizave eventuale nga jashtë”.
Megjithatë, zotime për ulje të çmimit të energjisë elektrike nga goja e Kurtit, gjatë mandatit të së cilit u frynë faturat e rrymës dy herë, nuk dëgjuam. Nga ai dëgjuam piskama, kërkesa që të votohet 500 mijë herë, ofendime ndaj opozitës, mediave, sistemit të drejtësisë e Gjykatës Kushtetuese.
Pavarësisht kësaj, Kurti nga votat e rregullta të numëruara deri më tani, u votua 290 mijë herë.
Pavarësimi energjetik nga ana e Vetëvendosjes del të jetë vetëm zotim në letër. Të paktën, kështu po thotë KEDS në një aplikacion që kërkon rritjen e shpenzimeve maksimale për vitin 2025. Aty përmenden shpenzimet e mëdha që kompania për distribuimin e energjisë kishte nga importi i energjisë gjatë vitit paraprak. Pra, 37 milionë euro më shumë shpenzime sesa niveli i lejuar i ZRRE’së.
“Në vitin 2024, OSSH ka importuar mbi 37 milion € më shumë sesa niveli i lejuar nga ZRRE. Kjo është një barrë e rëndë financiare për kompaninë, që përveç kostos së lartë të importit ka rritur edhe kërkesën për burime financiare të tjera, duke e çuar OSSH-në në humbje. Rritja e kostos së importit është veçanërisht e rëndësishme, pasi çmimet e energjisë kanë qenë shumë të paqëndrueshme që nga kriza financiare globale, duke e bërë planifikimin e buxhetit dhe menaxhimin e kostove akoma më të vështirë“, thuhet tutje.
KEDS thotë edhe se Kurti ndikoi në mënyrë implicite tek rritja e shpenzimeve maksimale për kompaninë edhe nëpërmjet rritjes së pagës minimale.
“Gjithashtu, ndryshimi i kushteve të tregut dhe politikave sociale, sikurse rritja e pagës minimale në Kosovë në vlerë prej 350€ kanë ndikuar në strukturën e kostove për shërbimet e mirëmbajtjes dhe sigurimit, përfshirë sigurimin e objekteve fizike. Pra, rritja e pagës minimale kishte ndikim të drejtpërdrejtë në ofrimin e këtyre shërbimeve nga kontraktorët, duke bërë që ata të rrisin kostot e shërbimeve që ofrojnë, në përputhje me kërkesat e reja të pagave. Reflektimi i këtyre kostove ishte i domosdoshëm për të mundësuar vazhdimësinë e operimit të funksionit të shpërndarjes”, thuhet pos tjerash në aplikacionin e KEDS’it.
Rritje të çmimeve si pasojë e rritjes së kostove ka kërkuar edhe KOSTT-i e KESCO. Të paktën, kështu bëri të ditur KOSTT-i.
“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) sqaron edhe një herë opinionin publik se KOSTT, KEDS dhe KESCO kanë paraqitur kërkesat për përshtatjen e të hyrave të lejuara për vitin 2025, të cilat janë dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energjisë (ZRRE), në përputhje me kërkesat ligjore“, u tha në komunikatën e ZRRE’së, që nuk pranonte të jepte qëndrim për rritjen e mundshme të faturave të energjisë elektrike.
Në periudhën para fushatës, kur Kurti është pyetur për rritjen e çmimit të rrymës, ka thënë se nuk është shtrenjtuar vetëm tek ne por në mbarë Evropën.
“Së pari rritja e çmimit të energjisë elektrike ka ndodhur në krejt kontinentin evropian, dhe meqenëse ne nuk kemi kapacitete që ta mbulojmë konsumin e energjisë elektrike, nuk kemi kapacitete gjeneruese, detyrohemi të importojmë, dhe në këtë mënyrë ne e importojmë çmimin e ngritur jashtë vendit. Kjo ka qenë para tre vjetëve shumë e rëndë. Por tash që po flasim situata është shumë më stabile”, kishte thënë Kurti.
Megjithatë, homologu i tij në shtetin fqinj, Edi Rama, arriti ta ulë çmimin e rrymës.
Enti Rregullator i Energjisë atje miratoi uljen për një lek, të çmimit të energjisë elektrike për abonentët familjarë që konsumojnë deri në 700 kilovat/orë në muaj.
A është rryma shtrenjtë?
Më 2024-ën ZRRE e uli çmimin për konsumatorët e amvisërisë, komercialë dhe industrialë për tre për qind.
Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.
Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë se kaq.
A është shtrenjtë që një familje në Kosovë të paguajë 1000 kWh?
Korab Rashiti, deputet shqiptar në kantionin e Bernit në Zvicër, ka bërë një krahasim se sa për qind të pagës i nevojitet një familje zvicerane dhe sa një familje kosovare në pagesën e 1000 kWh.
Në statistikat e publikuara nga Rashiti, rezulton se një familje kosovare shpenzon përafro 15 për qind të pagës në pagesën e 1000 kWh, ndërkaq një familje zvicerane 2,94 për qind e pagës.
Megjithatë, njëri nga tellallët e pushtetit doli ta arsyetonte një vendim të mundshëm të shtrenjtimit të energjisë elektrike ende pa u marrë vendimi. Sadri Ramabaja, analisti me qëndrime pro partisë në pushtet, tha se për shtresën e varfër çmimi i rrymës është relativisht i ulët dhe çmimet mbeten të përballueshme.
Megjithatë, ai theksoi se ata që kanë më shumë komoditet dhe përdorin energjinë për ngrohje, do të përballen me kosto shumë më të larta.
“Varet sa shpenzon. Nëse ke ekonomi që kalon 800, atëherë e kemi dyfish më shtrenjtë. Megjithatë për shtresën e varfër në Kosovë është relativisht i lirë. Ndërkaq, ata që kanë komoditet edhe nxehen me rrymë, ata do të paguajnë shtrenjtë. Me rrymë nuk nxehen as në Zvicër, as në Norvegji”, tha Ramabaja.
Nagipi e Martini, aferat me rrymën
Nagip Krasniqi, ish-kryeshef ekzekutiv i KEK’ut, hetohej fillimisht për kontrata një-burimore në vlerë prej përreth 80 milionë eurosh.
Krasniqi fillimisht ishte arrestuar, e më pas qëndronte në paraburgim për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Më pas, ai lihej i lirë.
Tek vonë, Nagip Krasniqit i ngritet edhe një aktakuzë për keqpërdorimin e 37 milionë eurove gjatë kohës sa ishte kryeshef në KEK.
Në aktakuzë, thuhet se Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, ka tejkaluar kompetencat e tyre me qëllim që t’i mundësojnë përfitim personit tjetër- në këtë rast operatorit ekonomik “Litwin S.A’’, t’ua shkelin të drejtat e personave tjerë.
Aktakuza thotë se duke i shfrytëzuar pozitat zyrtare, me rastin e zhvillimit të aktivitetit të prokurimit i emërtuar si “Riparimi kapital emergjent i kalldasë blloku A5”, kanë vepruar në kundërshtim të plotë me rregullat e përcaktuara me Ligjin me nr.04/L-042 për Prokurim Publik në Republikën e Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 27 dhjetor 2022, Krasniqi e fton në zyrën e tij të pandehurin Dragusha dhe dëshmitarin Emin Tmava, duke kërkuar nga ta që në kundërshtim me rregullat e LPP-së të fillojnë procedurën e hulumtimit të tregut, me qëllim që të fillojnë procedurën e negociuar për tenderin e lartcekur edhe përkundër faktit se i pandehuri Dragusha e vë në dijeni se një procedurë e tillë është në kundërshtim me rregullat e LPP-së.
Kurse, më 29 dhjetor 2022, Krasniqi dhe Dragusha thuhet se në lidhje me tenderin për procedurë të negociuar, kanë zhvilluar negociata me operatorët ekonomikë të cekur më lartë, pa qenë anëtarë të komisionit për vlerësim-negocim dhe ende pa u bë njoftimi për shpallje në faqen e e-prokurimit të KRPP-së, ashtu që më 16 janar 2023 pas përfundimit të negociatave me këtë operator, ka bërë njoftimin për shpallje në e-prokurim, me ç ‘rast ka eliminuar nga gara operatorët ekonomikë “Intering” SH.P.K’’ dhe ‘’Monting Energjetika’’ me qëllim që ta favorizojë operatorin ekonomik “Litwin S.A”.
Për Krasniqin ishin publikuar mesazhe në media, i cili koordinohej nga koordinatorja e komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje, Dejona Mihali, kur ta ndalte rrymën.
Edhe Krasniqi edhe Martin Berishaj janë dy figura që janë mbrojtur fort nga pushteti.
Martin Berishaj, i cili po vazhdon ta kryejë funksionin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, dyshohet për sekser në tregtimin e energjisë.
Gazeta Insajderi kishte raportuar për transaksionet bankare të firmës së dyshimtë të Martin Berishajt, dhe kishte zbuluar se saktësisht 1 milion e 470 mijë e 707 euro ishin transferuar në llogarinë e MB Consulting nga kompania energjetike GEN.
Kompania e Berishajt paratë e para nga GEN-i, dega në Serbi, i kishtemarrë më 10 shkurt 2015, shumë kjo prej 66 mijë e 528 euro.
Kjo shifër i bashkohet asaj prej 395 mijë e 805 eurove të marrë nga biznesi i Berishajt vetëm përgjatë vitit 2015.
Më 2016 të hyrat e Berishajt nga GEN dukeshin se kanë rënë pak, ku gjatë atij viti ai kishte arkëtuar 262 mijë e 302 euro.
Një vit më vonë, më 2017 nuk ekziston asnjë transaksion i bërë nga GEN drejt llogarisë së MB Consulting, gjersa më 2018, 2019 dhe 2020, të hyrat kanë qenë më të ulëta ndër vite, përkatësisht 55 mijë e 440 euro, 67 mijë e 879 euro dhe 95 mijë e 947 euro.
Të hyrat e Berishajt arrin kulmin në vitin 2021. GEN gjatë atij viti kishte transferuar saktësisht 473 mijë e 889 euro.
Një vit më vonë më 2022, u transferuan edhe 119 mijë e 445 euro të tjera.
862 mijë e 264 euro kishte tërhequr Martin Berishaj nga xhirollogaria e kompanisë së tij, MB Consulting. Tërheqja e parave kesh pa përshkruara arsyetim zyrtar është e pazakontë në afarizëm.
Sipas dokumenteve që posedonte Gazeta Insajderi, ai këto para i ka nxjerr përgjatë viteve 2015-2022, siç shkruan për “nevojë të biznesit”. Nuk kishte dhënë përshkrim më të detajuar se sa ky shënim sipërfaqësor.
LEXO EDHE:
Kurti para se të vinte pushtet jepte zotime të lloj-llojshme lidhur me rrymën. Zotohej se distribuimin e energjisë do t’ia kthente Koorporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe shqetësohej se si një vend që fle mbi thëngjill ka fatura kaq të fryra të energjisë elektrike. /Insajderi.org/