Televizioni publik ka vendosur që të dërgoj ekipin e raportimit direkt në Mitrovicë për të transmetuar tek audienca fjalimin e Hashim Thaçit para elektoratit të partisë që ai e drejton PDK.
RTK ka vendosur që pikërisht në orarin e lajmeve të lidhet direkt nga Qendra e Kulturës ‘’Rexhep Mitrovica’’, aty ku Thaçi i është drejtuar me një fjalim strukturave të partisë.
Aty Thaçi foli si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës e jo si ministër i Punëve të Jashtme e as si zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës.
RTK transmetoi direkt vetëm fjalimin e Hashim Thaçit dhe jo krejt ceremoninë e PDK-së e cila ka nisur në orën 18:00. RTK u lidh direkt vetëm kur Thaçi mori fjalën.
E Thaçi u tha anëtarëve dhe simpatizantëve të partisë që ai e drejton se Kosova ka nevojë të distancohet nga dhuna për t’i realizuar ambiciet politike të opozitës. Ai ka ripërsëritur tërthorazi se nuk ka kush e ndalë procesin e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, duke aluduar në vetën, si kandidati më serioz për të marrë këtë post.