Eksportuesit kryesorë botërorë të naftës, Arabia Saudite dhe Rusia, thonë se janë pajtuar që shkurtimi i prodhimit do të duhej të zgjatej edhe gjatë marsit të vitit 2018.
Ky njoftim i tyre i sotëm ka ndikuar që në tregjet botërore të rriten çmimet e naftës.
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), Rusia dhe vendet e tjera prodhuese, fillimisht ishin pajtuar që prodhimi të zvogëlohej për 1.8 milionë fuçi në ditë, në gjysmën e parë të vitit 2017, me mundësinë e zgjatjes për gjashtë muaj të tjerë.
“Ne kemi ardhë në përfundim se marrëveshja duhet të zgjatet”, tha ministri i naftës i Arabisë Saudite, Khalid al-Falih, në një konferencë për gazetarë në Pekin të Kinës, së bashku me kolegun rus, Aleksandr Novak.
Të dy ministrat thanë se zgjatja duhet të bëhet për nëntë muaj, përfshirë marsin e vitit të ardhshëm, e jo vetëm për gjashtë muaj, shkruan REL.
Ekonomia ruse, e cila aktualisht po ballafaqohet me vështirësi, në masë të madhe mbështetet në të ardhurat nga eksporti i naftës dhe gazit.