Rusia dhe Kina i kanë vënë veto rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara më 5 dhjetor, rezolutë kjo e nxitur nga fuqitë perëndimore dhe që bën thirrje për armëpushim shtatëditor në qytetin sirian, Alepo.
Rusia ka thënë se masa do lejonte forcat rebele të rigrupohen dhe ajo duhet të shtyhet për të pritur bisedimet në mes të Uashingtonit dhe Moskës, të paraparë për këtë javë.
Kjo është hera e gjashtë që Rusia i vë veto një rezolute të Këshillit të Sigurimit për Sirinë, prej se konflikti ka nisur më 2011 dhe e pesta herë që Kina e bën të njëjtën gjë.
“Këto pauza janë përdorur nga luftëtarët që të shtojnë municionin e tyre dhe të fuqizojnë pozitat e tyre dhe kjo vetëm sa do e përkeqësonte vuajtjen e civilëve”, ka thënë Ambasadori i Rusisë në OKB, Vitaly Churkin.
Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë para votimit se Moska do të fillojë bisedime me Uashingtonin gjatë kësaj jave për tërheqjen e forcave opozitare nga Alepo, pas sukseseve të mëdha në betejë të forcave qeveritare siriane në territoret e kontrolluara më parë nga rebelët.
“Rruga konkrete dhe koha për tërheqjen e të gjithë luftëtarëve nga Alepo lindore do të bëhet me pajtim”, ka thënë Lavrov.
“Sapo të arrihet pajtimi për kohën dhe rrugën e tërheqjes, atëherë mund të futet në fuqi armëpushimi”, shtoi ai.
Në OKB, Churkin ka thënë se veprimet nga Këshilli i Sigurimit duhet të shtyhen që të lejojnë kohë për këto negociata.
Por, zyrtarët amerikanë kanë thënë se marrëveshja për tërheqje nuk është afër. Forcat rebele kanë hedhur poshtë thirrjet që ata të largohen, shkruan rel.
“Kjo është një alibi e sajuar”, i ka thënë Këshillit zëvendës ambasadorja e SHBA-së në OKB, Michele Sison.
“Ne nuk kemi arritur sukses në këtë, sepse Rusia ka qenë më shumë e përqendruar në ruajtjen e arritjeve të saj ushtarake sesa që të ndihmojë qytetarët e Alepos”, ka thënë ajo dhe ka shtuar, “ne nuk do e lejojmë Rusinë të gënjejë këtë Këshill të Sigurimit në pritje të një kompromisi nga rusët që asnjëherë nuk po arrihet”.
Sison ka thënë se vetoja kundër rezolutës për armëpushim është “dënim me vdekje për burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm” në Alepo.