Rusia të enjten i ka tërhequr vërejtjen Kanadasë se do të ndërmerr masa hakmarrëse lidhur me legjislacionin që po kalon nëpër Parlamentin e Kanadasë, për imponim të sanksioneve kundër njerëzve që konsiderohen fajtorë për shkelje të të drejtave të njeriut në Rusi dhe në vendet e tjera.
Ministrja e Jashtme e Kanadasë, Chystia Freeland thotë që qeveria është pajtuar të krijojë një akt i cili do të zgjeronte ligjin e sanksioneve ndërkombëtare për të vënë në shënjestër shkelësit e mëdhenj të të drejtave të njeriut, shkruan CBC news.
Ky propozim legjislacion, që me siguri do të shndërrohet në ligj, është i inspiruar nga rasti i juristit antikorrupsion, Sergei Magnitski, i cili vdiq në vitin 2009, pasi ishte rrahur rëndë në një burg të Rusisë.
Ministria e jashtme e Rusisë ka tërhequr vërejtjen se Kanadaja do të jetë “humbëse” nëse e miraton legjislacionin dhe se do t’i humbë mundësitë biznesore dhe projektet e përbashkëta për “eksplorimin e Arktikut”, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Ndërsa avokati për demokraci Ruse, Garry Kasparov, i ka thënë komitetit që legjislacioni është shumë i rëndësishëm sepse Rusia po punon shumë në kundërshtimin e saj.
“Kjo është arsyeja pse Putin dhe miqtë dhe agjentët dhe lotuesit e tij ishin shumë agresivë në tentimin për të ndaluar aktin e Magnitkyt. Kjo është për shkak që kjo do të lëndojë bazën e të ashtu quajturës kontratë shoqërore me elitën ruse”, ka thënë ai.
Një legjislacion të njëjtë në vitin 2012 e kanë miratuar edhe Shtetet e Bashkuara, duke shkaktuar që Moska të hakmerret duke mos lejuar që amerikanët t’i adoptojnë fëmijët rusë.