Dmitry Peskov u shpreh se ishte e “papranueshme” që Shtetet e Bashkuara të akuzojnë “pa baza” Rusinë për ndërhyrje në fushatën zgjedhore amerikane, raporton agjencia shtetërore ruse e lajmeve “Tass”.
“Ata, ose duhet të ndalen së foluri në lidhje me këtë, ose të paktën të japin disa prova. Përndryshe, gjithçka duket e pahijshme”, raportohet të ketë thënë Peskov në lidhje me akuzat e fundit nga Shtëpia e Bardhë, se Rusia është përgjegjëse për sulmet kibernetike.
Presidenti Barack Obama premtoi të enjten se do të hakmerrej kundër Rusisë, mes akuzave se ka ndërhyrë në fushatën e zgjedhjeve presidenciale amerikane.
“Mendoj se nuk ka asnjë dyshim, kur një qeveri e huaj përpiqet të ndikojë në integritetin e zgjedhjeve tona. Ndaj ne duhet të ndërmarrim veprime, gjë që do të ndodhë kur të duam ne dhe ku të zgjedhim ne”, tha ai për “NPR”.
Një burim me njohje mbi sulmet kibernetike gjatë zgjedhjeve, tha të enjten për CNN se operacioni është zhvilluar me anë të mjeteve të sofistikuara të piraterimit, duke sugjeruar madje se Putin ka qenë i përfshirë në to.
Burimi shtoi se, edhe pse “gjurmët” e Putinit nuk mund të gjenden në ato sulme kibernetike, “natyra e operacionit ka qenë e tillë, saqë për të mund të jepnin aprovimin vetëm nivelet më të larta të qeverisë ruse”.
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump ka hedhur poshtë vlerësimet e komunitetit të shërbimeve sekrete amerikane, gjatë komenteve të tij të së dielës. Ai tha se nuk ka asnjë provë, që Rusia të ketë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve, duke hedhur dyshime se problemet në serverat e Partisë Demokratike apo “e-mail”-et e Clintonit mund të jenë kryer nga Kina, apo ndoshta edhe nga dikush që mund të ndodhej në Nju Xhersi.
Megjithatë, ka edhe një tjetër zë që u bën jehonë sulmeve ruse. Ish-presidenti gjeorgjian, Mikheil Saakashvili tha për CNN gjatë kësaj të premteje se, nuk ishte aspak i surprizuar nga pretendimet e SHBA-ve kundër Rusisë.
“Unë thuajse jam shfajësuar apo përligjur, kur e njëjta administratë e Uashingtonit nisi papritur të fliste në lidhje me përfshirjen ruse në zgjedhje”, tha ai, duke folur nga Kievi. “Kjo, sepse për mua është një ‘déjà vu’. Ata janë po të njëjtit që na thoshin se ‘jo, jo, është e pamundur të jetë e vërtetë’. Ndërsa tashmë rusët trokitën në dyert e tyre. E sigurisht, është pikërisht Putin që i bën të tilla gjëra, ai është mjeshtri i madh”.