Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Junikut, Ruzhdi Shehu, ka bërë të ditur se fshatrat Jasiq dhe Gjocaj do të jenë prioritet i mandatit të tij të dytë, duke theksuar potencialin e madh që këto komunitete kanë për zhvillim dhe turizëm.
“Së pari, duhet të nderojmë historinë dhe kontributin e këtyre fshatrave, që kanë dhënë heronj dhe dëshmorë për Junikun dhe gjithë Kosovën. Për fat të keq, për 12 vitet e kaluara këto dy fshatra kanë qenë të harruara nga pushteti i kaluar,” tha Shehu.
Ai ka theksuar se gjatë mandatit të parë janë realizuar projekte të rëndësishme, duke përfshirë:
Ndërtimin e kanaleve të ujitjes dhe mureve mbrojtëse;
Asfaltimin e rrugëve kryesore dhe hapjen e rrugëve fushore;
Zgjerimin e shërbimeve për mbledhjen e mbeturinave;
Ndërtimin e urës që lidh dy fshatrat Jasiq dhe Gjocaj.
Për mandatet e ardhshme, Shehu ka premtuar:
Shtrirjen e rrjetit elektrik në zonat e pashtrira;
Asfaltimin e rrugëve dytësore;
Kompletuar rrjetin e ujit të pijes në bashkëpunim me institucionet kompetente.
“Me punë të ndershme, përkushtim dhe duar të pastra, do të krijojmë kushtet themelore për jetesë dhe do të transformojmë Jasiqin dhe Gjocajn jo vetëm në vende të banueshme, por edhe në qendra turistike që do të promovojnë zhvillimin për gjithë Junikun,” shkroi Shehu.