Menjëherë sapo zuri ulësen e kryeshefit ekzekutiv në Korporatën Energjetike të Kosovës, Bekir Gërguri si U.d filloi ‘spastrimet’ në Ndërmarrjen Publike. Dy drejtorë u shkarkuan në ditën e parë të punës së tij ndërsa dy të tjerë i shkarkoi më vonë. Gazeta Insajderi sjell emrat e drejtorëve që u shkarkuan dhe emërimet e reja në po të njëjtat pozita.
Pak pa u bërë një vit nga arrestimi dhe pezullimi i Nagip Krasniqit nga pozita e kryeshefit, bordi i KEK’ut javën e kaluar ka emëruar strukturën e re menaxhues.
Bekir Gërguri u emërua si ushtrues i detyrës së Kryeshefit në këtë Ndërmarrje Publike, ndërsa në pozitën e zëvendëskryeshefit u emërua Ramadan Budakova. Të dy këta njerëz të Lëvizjes Vetëvendosje.
Bekir Gërguri ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për asamblist, ndërsa Ramadan Budakova njihet si përkrahës i kryeministrit Albin Kurti.
Kush janë drejtorët e shkarkuar?
Ish-drejtori operativ i Korporatës Energjetike të Kosovës, Luigj Imeri është liruar nga kjo pozitë. Atij i është ofruar detyra e Menaxherit për treg dhe legjislacion në Njësinë qendrore për Planifikim dhe Strategji.
Arsyeja e largimit të tij nuk është bërë e ditur. Insajderi ka kontaktuar Luigj Imerin lidhur me arsyen e largimit të tij nga kjo pozitë. Ai nuk ka dashur të lëshohet në deklarata duke thënë se “arsye nuk ka” për largimin e tij. Insajderi e ka pyetur se a ka dyshime se lëvizjet e pozitave të tij kanë prapavijë “hakmarrëse” ai tha se nuk mund të deklarohet.
“Nuk mund të deklarohem për dyshimet!”, ka thënë ai në një përgjigje për Insjaderin.
Insajderi ka mësuar se në vend të tij është emëruar Remzi Topxhiu.
Edhe Drejtori i Termocentralit Kosova B, Jonuz Saraqi është në mesin e drejtorëve të shkarkuar. Në këtë pozitë është emëruar Jakup Pallana.
Po ashtu edhe Drejtori i Shërbimeve të Korporatës, Negjat Podrimja është liruar nga detyra dhe në vend të tij është emëruar, Fitim Ahmeti
Në mesin e drejtorëev të shkarkuar është edhe Drejtori i Minierave, Hamit Bytyqi. Ai është liruar nga detyra dhe në vend të tij është emëruar Sami Ternava.
Gazeta Insajderi ka adresuar pyete tek Korporata Energjetike e Kosovës për të ditur arsyet e këtyre shkarkimeve, por deri në publikimin e artikullit nuk janë përgjigjur. /Insajderi.org/