×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Sa janë shanset për liberalizimin e vizave?

    Insajderi
    28 September 2022 - 15:46

    Heqja e regjimit të vizave për qytetarët kosovarët do të jetë temë e rendit të ditës në kuadër të takimit të grupit punues të Këshillit Evropian, më 13 tetor. Ky lajm është konfirmuar edhe nga Bashkimi Evropian.

    Por, sa ekziston mundësia që qytetaret e Kosovës të udhëtojnë së shpejti pa regjim të vizave?

    Ish-Ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, i cili madje pati hapur shampanjën në vitin 2016, kur ishte marrë rekomandimi për liberalizimin e vizave për Kosovën, në një prononcim për Gazetën Insajderi tha se e çmon faktin që presidenca aktuale e BE ka marrë iniciativën që liberalizimi të futet në agjendë.

    “Duhet ta çmojmë faktin që presidenca aktuale e Bashkimit Evropian ka marrë iniciativën që më në fund çështjen e liberalizimit të vizave ta fus në agjenten e Këshillit të Bashkimit Evropian, sepse siç dihet i vetmi institucion i Bashkimit Evropian, i cili ende nuk e ka pas përmbushur detyrën e vet sa i përket liberalizimit të vizave është Këshilli i Bashkimit Evropian, sepse Komisioni Evropian e ka dhënë rekomandimin e vet pozitiv në vitin 2016 dhe e ka rikonfirmuar në vitin 2018 dhe natyrisht edhe Parlamenti i Bashkimit Evropian e ka kry detyrat e veta dhe gjithmonë ka dhënë mbështetje të plotë liberalizimit të vizave për Kosovën. Mirëpo vendimmarrja ka munguar në kuadër të Këshillit të Bashkimit Evropian për arsye që janë të njohura për ne, ka pasur shtete të caktuara në momente të caktuara që e kanë bllokuar vendimmarrjen” – tha ai.

    Por, Çollaku theksoi se është vetëm vendim i punës dhe se nuk do të merret ndonjë vendim përfundimtar.

    Tani kemi moment të ri, pritet që çështja e liberalizimi të shtrohet në nivel të grupit punues, por nuk do të jetë një moment dhe takim që do të merret një vendim përfundimtar, është një vendim i punës” – nënvizoi ai.

    Tutje, Çollaku shtoi se diskutimi për çështjen e liberalizimit të vizave në takimin e grupit punues të Këshillit Evropian, më 13 tetor, nuk është meritë e kësaj Qeverie.

    Pengesat nga shtetet si Franca e Holanda janë zbehur prandaj është krijuar një momentum, nuk është meritë e kësaj Qeverie sepse detyrat dhe kriteret janë plotësuar para 6 viteve. Kjo është meritë e atyre që kanë punuar para 6 viteve për përmbushjen e kritereve, e shërbyesve civilë dhe meritë e qytetarëve të Kosovës që kanë duruar kaq gjatë” – përfundoi Çollaku.

    Kurse, sipas anëtarit të Komisionit për Integrim Evropian, njëherit deputetit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batushës, deklaratat pozitive të qëndrimit të shteteve skeptike na bën të besojmë që po hyjmë në fazën përfundimtare të procesit.

    “Vendosja e liberalizimit të vizave për Kosovën në agjendën e diskutimit të Këshillit të BE-së që do të mbahet në tetor, është një lajm shumë i mirë për Kosovën. Kemi parë deklarata dhe lëvizje pozitive të qëndrimit të shteteve skeptike, andaj tani po besojmë që po hyjmë në fazën përfundimtare të procesit. Kjo është në dorën e shteteve anëtare dhe po shpresojmë që kësaj padrejtësie të i vie fundi”

    Derisa, sipas profesorit të Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, Dorajet Imeri liberalizimi do të bëhet nëse dëshirojnë vendet kryesore të BE-së, jo për të bërë favor Kosovës, por për të treguar disa veprime korrekte e në këtë mënyrë të rifitohet njëfarë besimi në kredibilitetin e BE-së

    “Vizat mund të hiqen, nëse dëshirojnë vendet kryesore të BE-së, jo për të bërë favor Kosovës, por për të treguar disa veprime korrekte e në këtë mënyrë të rifitohet njëfarë besimi në kredibilitetin e BE-së, ndaj Kosovës e në veçanti ndaj Bisedimeve politike Kosovë – Serbi, si palë që mund të prodhojë zgjidhje e që është neutrale”

    “Ky është kushti i vetëm që BE-ja ka në rast të heqjes së vizave, thjeshtë të jap disa sinjale për të ardhmen e vendit, ndoshta për të krijuar njëfarë fleksibiliteti te Kosova për të bërë hapa të rinj drejt marrëveshjes politike me Serbinë” – tha Imeri.

    Tutje, Imeri shpjegoi edhe si i sheh vizat në raportet Kosovë – BE.

    Sipas tij, BE-ja ndaj Kosovës nuk është unike dhe se si e tillë kërkon që të ketë hapa në bisedimet me Serbinë për të arritur një që të tillë.

    “Vizat në raportet Kosovë – BE, është histori e kryer në histeri kolektive, politike e mediale, që është përdoruar e keqpërdoruar politikisht, si nga skena jonë politike, ashtu edhe nga BE-ja. Sot, vizat flasin për dy gjëra, se BE-ja ndaj Kosovës nuk është unike dhe se si e tillë, ajo kërkon që të ketë hapa në Bisedimet me Serbinë për të arritur një që të tillë” – përfundoi ai.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark