×
  • Lajme
  • Insajderi

    Sa milionë është vlera e tenderëve që ka marrë kompania për tri vite – Inspektorati me Policinë nisin hetimet

    Insajderi
    03 April 2022 - 21:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kompania “Medical Group”, e cila po dyshohet se ka sjell oksigjen të pa licencuar në ShSKUK, që nga viti 2019 ka marrë 17 tenderë në vlerë mbi 6.3 milionë euro.  

    Krejt kjo bazuar nga platforma e prokurimit të hapur.

    Fillimisht nga kjo kompani nuk kanë pranuar që të tregojnë se sa para ka përfituar nga institucionet publike të shëndetësisë gjatë afro dy viteve pandemi ku kishte edhe hisen kryesore të furnizimit me oksigjen të lëngshëm në kontratat e ShSKUK-së.

    Tenderi për furnizim të ShSKUK-së me oksigjen që nisi në pjesën e parë të vitit 2021 u zvarrit me muaj vetëm brenda niveleve të qeverisjes aty. Në mes të qershorit 2021 u anulua nga vet ShSKUK-ja me një arsyetim të Barnatores Qendrore se nuk iu duhej ajo sasi e madhe që ishte planifikuar.

    Muaj më vonë do të përkeqësohej dhe përfunduan duke nënshkruaj tender emergjent, me çka dyshohet se çmimi pastaj ishte edhe më i shtrenjtë. “Medical Group” u angazhua edhe me këtë tender emergjent.

    Pa kaluar as dy javë nga kur u bë denoncimi kundër “Medical Group”, kompania që e denoncoi tashmë është futur nën hetime nga Administrata Tatimore e Kosovës, ani pse kontrollin e fundit e kishte përfunduar në shtatorin e vitit 2021. Në ATK nuk kanë treguar se hetimi i ri i tyre a lidhet me denoncimin. As nëse është formë për ta heshtur.

    “Sikurse çdo rast për të cilin pranojmë raportime/denoncime, Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës verifikon fillimisht faktet, njëjtë ndodhë edhe për rastin në fjalë”, thuhet në përgjigjen e ATK-së.  

    Por çka po ndodh tani?

    Ndaj kompanisë që bëri furnizimet më të mëdha të oksigjenit të lëngshëm në Kosovë është denoncuar. Tanimë Inspektoratit Farmaceutik bashkë me Policinë e Kosovës kanë nisur hetimet.  

    InDoks ka siguruar detaje ekskluzive nga ky hetim.

    Kompania që ka pasur hisen kryesore për furnizim me oksigjen të lëngshëm të ShSKUK-së është kompania “Medical Group” pronë e biznesmenit Skënder Kutllovci, që është i autorizuari i kompanisë italiane “Sol Spa Italy”. 

    Në mars të këtij viti kundër  “Sol” në Inspektoratin Farmaceutik është deponuar një denoncim, dyshime për vet validitetin e letrave të tij, gjë që paraprakisht është njoftuar Agjencia për Produkte Medicinale.

    Te organet shtetërore denoncuesi thotë që “Sol Spa Italy” posedon Marketing Autorizimin pranë AKPM dhe ndërkohë ka regjistruar si variacion edhe piken në Maqedoninë Veriore nga edhe ku behet importi i oksigjenit medicinal në Kosovë. Sipas pretendimeve të denoncuesit, pika në Maqedoninë Veriore nuk posedon Autorizim Prodhimi nga institucionet e Maqedonisë për prodhim te Oksigjenit Medicinal.

    Denoncuesi përmend që kompania lokale e ndërlidhur me “Sol Spa Italy”, kompania TGS në të gjitha ofertat për furnizim me oksigjen të institucioneve shëndetësore në Maqedoni nuk aplikon me autorizim të vetë maqedonisë, por me Autorizim nga Bullgaria e Greqia.

    Denoncimi thellohet duke kontestuar edhe vetë regjistrimin e këtij varaiacioni të oksigjenit në Kosovë me një dokument të Rregullatorit anglez të medicinës e kujdesit shëndetësor.

    Me këtë dokument të këtij institucioni anglez ishte regjistruar në Kosovë ky variacion i oksigjenit me të cilin u furnizuan spitalet, por denoncimi thotë se ai dokument nuk gjendet në bazën e të dhënave të po këtij institucioni.

    Madje e tillë është edhe përgjigja me e-mail që rregullatori i kujdesit shëndetësor ka kthyer po për këtë dokument me të cilin AKPM-ja në Kosovë ka licencuar variacionin e oksigjenit që u soll nga Maqedonia e u përdor në Kosovë.

    Krejt këto  dyshime i ka marrë në shqyrtim Inspektorati Farmaceutik i Kosovës.  Nuk po merret vet me to- e ka marrë me vete edhe Policinë.

    “Inspektorati Farmaceutik në bashkëpunim me Policinë e Kosovës është duke kryer inspektime në të gjitha subjektet që operojnë me oksigjen medicinal. Në të gjitha subjektet ku janë takuar parregullsi janë marrë masa konform legjislacionit në fuqi. Për të gjeturat është duke u njoftuar Policia e Kosovës në vazhdimësi, dhe Agjencia e Kosovës  për Produkte dhe Pajisje Medicinale për procedura të mëtutjeshme”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Inspektoratit për InDoks.                       

    “Në rastet ku janë gjetur parregullsi, jemi duke bashkëpunuar ngushtë me Policinë e Kosovës, për vazhdim të mëtutjeshëm të hetimeve”, thuhet tutje.

    Policia nuk ka dhënë më shumë detaje, derisa në kompaninë që është denoncuar nuk kanë pranuar që të flasin para kamerës.

    Ata në përgjigje  më shumë kanë hedhur akuza ndaj denoncuesit se që kanë dhënë sqarime për çka janë pyetur.

    “Regjistrimi i produkteve farmaceutike dhe dosjes së produktit janë përgjegjësi e prodhuesit, mbajtësit të Autorizim Marketing, në rastin tonë SOL SPA Itali. I vetmi informacion që kemi pranuar është denoncimi Medica. Besojmë se Sol SPA Itali si bartës i Marketing Autorizimit do sqarojë detajet”, thuhet në përgjigjen e tyre, derisa thonë që deri tash nuk janë kontaktuar nga hetuesit policor ani pse Inspektorati po e vazhdon hetimin me Policinë.

    Tutje ata thonë që AKPM ka kryer një hetim dhe nuk ka gjetur që Autorizimi i tyre ka probleme ligjore dhe ai është valid, derisa shtojnë që Inspektorati ka pasur vizita të rregullta, ku është konstatuar se të gjitha importet janë në rregull dhe të deklaruara në mënyrën e duhur në Doganë dhe Administratë Tatimore.

    Kur janë pyetur për atë që “Sol-Spa Italy” nuk ka autorizim në Maqedoni prej ku importohet oksigjeni për në Kosovë nga ta, Medical Group thotë se nuk kanë njohuri. “Nuk kemi autorizime apo interes raportet ligjore të degës lokale te Sol Spa Itali në Maqedoninë Veriore dhe licencat e tyre nacionale” thuhet në përgjigjen e tyre.

    Të pyetur për dokumentin e Rregullatorit anglez të kujdesit shëndetësor që është përdorur për të regjistruar në Kosovë variacionin e oksigjenit që sillet nga Maqedonia, ata përsëri përgjegjësinë ia hedhin Sol Spa Itali.

    “Është tentim mashtrimi përzierja e licensave nacionale në Maqedoni me CPP e Britanisë së Madhe dhe të BE-së dhe se këto nuk munden asesi të krahasohen apo shqyrtohen bazuar ne dosjen Evropiane. Megjithatë, ne nuk kemi njohuri për këto komunikime, e cila është përgjegjësi e mbajtësit të Autorizim Marketi SOL Spa Itali”, thuhet në përgjigjen e tyre.

    Dokumentari i plotë – Misteri i oksigjenit nën hetime

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark