Insajderi
Lajme

Sa po fitojnë pompat e benzinës? Inspektorati publikon çmimet e importit dhe kufizon fitimin

Insajderi
10 March 2026 - 13:44
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Sa po fitojnë pompat e benzinës? Inspektorati publikon çmimet e importit dhe kufizon fitimin
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Administratën Tatimore dhe Doganën e Kosovës, ka nisur një aksion të gjerë monitorimi për të mbikëqyrur zbatimin e vendimit për rregullimin e çmimeve të derivateve.

Ky vendim, i nënshkruar nga ministrja Mimoza Kusari Lila më 4 mars 2026, përcakton qartë kufizimet e fitimit për tregtarët me qëllim mbrojtjen e konsumatorit dhe parandalimin e çrregullimeve në treg.

Njoftimi i plotë:

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut pranë Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit njofton opinionin publik se, në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm të tregut të derivateve të naftës, është duke realizuar mbikëqyrje intensive lidhur me zbatimin e Vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse, të nënshkruar nga Ministrja znj. Mimoza Kusari Lila, me datë 04.03.2026, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit, rritjen e transparencës, mbrojtjen e konkurrencës së ndershme, si dhe mënjanimin e çrregullimeve në treg.

Gjithashtu, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut së bashku me Administratën Tatimore të Kosovës është duke realizuar analiza të të dhënave lidhur me çmimet e importit dhe çmimet e ekspozuara për konsumatorët në tregun vendor.

Sipas të dhënave zyrtare të siguruara nga evidencat e Doganës së Kosovës, çmimi mesatar i importit për derivatet e naftës gjatë ditës së hënë (datë: 09.03.2026), ka qenë si në vijim:

• Naftë (Dizel): 1.44 €/litër;
• Benzinë: 1.17 €/litër;

Ndërkohë, bazuar në monitorimin e realizuar në tregun vendor nga dita e shtunë e deri më tani, çmimet e ekspozuara për konsumatorët në pikat e shitjes me pakicë rezultojnë si më poshtë:

• Naftë (Dizel): nga 1.44 €/litër deri në 1.55 €/litër;
• Benzinë: nga 1.26 €/litër deri në 1.31 €/litër;

Bazuar në vendimin e datës 04.03.2026 për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimit të masave të tjera mbrojtëse, është vendosur marzha tregtare maksimale e lejuar si vijon:

  • dy (2) eurocentë për litër të produktit të shitur me shumicë, dhe
  • dymbëdhjetë (12) eurocentë për litër të produktit të shitur me pakicë.

Marzhë tregtare domethënë ndryshimi mes çmimit të shitjes dhe çmimit të furnizimit.

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut do të vazhdojë të monitorojë dhe inspektojë në mënyrë intensive zhvillimet në tregun e derivateve të naftës së bashku me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe Autoritetin e Konkurrencës së Kosovës dhe, në të gjitha rastet ku identifikohen parregullsi eventuale, mos respektim i vendimit të marzhës apo praktikave që mund të dëmtojnë konkurrencën dhe konsumatorët do të ndërmerren masa rigoroze të parapara me legjislacionin në fuqi.

Për çdo zhvillim të mëtejmë, publiku do të njoftohet me kohë.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark