Shtëpia e madhe e modës “Saint Laurent” ka njoftuar se do të heqë dorë nga shfaqja e koleksionit “Pranverë-Verë 2021” në Javën e Modës në Paris.
Nëpëmjet një njoftimi në faqen zyrtare në Instagram, Saint Laurent ka shpjeguar se ky vendim erdhi për shkak të koronavirusit.
Drejtori artistik i markës, Anthony Vaccarello ka vendosur që marka franceze të mos ndjekë kalendarin e Javës së Modës për pjesën tjetër të vitit 2020.
Ky vendim vjen pas njoftimit të Marc Jacobs, i cili deklaroi që e ka të pamundur krijimin e një koleksioni për shkak të situatës së krijuar nga pandemia globale.
Edhe Java e Modës së Meshkujve në Milano ishte planifikuar për javën 19 – 23 qershor 2020, por tani do të shtyhet për t’u mbajtur në shtator 2020, kur do të zhvillohet edhe Java e Modës së Femrave.
Prezantimi i koleksionit “Pranverë-Verë 2021” është planifikuar të jepet në muajin shtator si zakonisht dhe deri më tani nuk ka ende një njoftim zyrtar për anullimin e Javës së Modës.
Ndërsa, Java e Modës në Londër që është planifikuar në muajin qershor, do të jepet për herë të parë online dhe do të transmetohet në ‘londonfashionweek.co.uk’, ku të gjithë fansat e modës do të kenë mundësi për ta ndjekur.
Saint Laurent u themelua në vitin 1961 nga Yves Saint Laurent, ndërsa Anthony Vaccarello ka qenë në krye të markës si drejtor kreativ që nga viti 2016. Sfilatat e tij kanë qenë gjithmonë madhështore, por fatkeqësisht na duhet të presim pak për të parë “çmendurinë” e radhës së Saint Laurent.