×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Sajesa e Shtëpisë së Verdhë” – Basha i kundërpërgjigjet Ramës

    Insajderi
    08 November 2020 - 13:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha i është kundërpërgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili i kërkoi llogari “për sajesën e Shtëpisë së Verdhë” në raportin e ish-anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dick Marty.

    Përmes një postimi në Twitter, Basha i kërkoi Ramës që t’i lë lojërat politike dhe t’u japë përgjigje disa pyetjeve lidhur me situatën e shkaktuar nga COVID-19.

    “Edi Rama lëri shpifjet dhe lojërat politike, përgjigju pse nuk e hap Covid 4? Pse të infektuarit dergjen nëpër ambulanca e nuk ka vend për ta?”, ka shkruar Basha.

    Tutje ka shtuar: “Pse vazhdon vjedhjen dhe i le të sëmurët të vdesin rrugëve. Pasi  shkatërrove ekonominë, tani po ju merr shqiptarëve jetën dhe shëndetin”.

    Kryeministri Edi Rama paraprakisht ka folur për raportin e ish-anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dick Marty mbi krimet që pretendon se i kryen anëtarë të UÇK-së.

    Përveç që i kërkoi një llogari Bashës, Rama e ka pyetur ish-kryeministrin Sali Berisha dhe Presidentin Ilir Meta se pse kanë votuar pro këtij raporti që inkriminonte UÇK-në.


    “Ilir a mund t’ia thuash shqiptarëve pse e votove pro raportin e Dick Marty, bashkë me Saliun kur ne e votuam kundër? Po ti Lulëzim a e sqaron dot çfarë dosje ke përgatitur për sajesën e Shtëpisë së Verdhë bashkë me mjekun peruan që dëshmon se ti ke mbledhur dëshmitë bashkë me të?”, ka shkruar Rama.

    Raporti i Martyt është materiali me të cilin është vendosur baza e ngritjes së Dhomave të Specializuara në Hagë, që njihen si Gjykata Speciale.

    Një gjyqtar i procedurës paraprake i kësaj gjykate, ka konfirmuar aktakuzat ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së: ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ndaj shefit të Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimit.

    Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjgjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon krerët e UÇK-së se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark