Avokati i të dyshuarit për sulmin terrorist në Paris, Salah Abdeslam ka thënë se klienti i tij do të luftojë kundër ekstradimit në Francë, njoftojnë mediet ndërkombëtare.
Avokati i të dyshuarit për sulmet terroriste në Paris, Sven Mary ka thënë se “ata do të refuzojnë ekstradimin”.
Avokati ka folur me gazetarët pasi Abdeslam të shtunën u takua me hetuesit belg të cilët do të vendosin nëse do të lëshojnë urdhër formal për arrestimin e Abdeslam-it.
Presidenti francez, Francois Hollande ka deklaruar se autoritetet franceze do të bëjnë kërkesë për ekstradimin e Abdeslamit dhe do të presin reagimin e autoriteteve belge.
“Unë jam i sigurt se autoritetet ligjore franceze shumë shpejt do të lëshojnë një kërkesë ekstradimi dhe autoritetet belge do të përgjigjen në mënyrë sa më të favorshme është e mundur”, deklaroi Hollande, raporton The Guardian.
Abdeslam u arrestua të premten në Molenbeek, në afërsi të Brukselit ku fshihej prej më shumë se 3 muajsh. /Insjaderi.com