Insajderi
Lajme

Sami Lushtaku e bën këshilltar biznesmenin që u panë së bashku me ‘private jet’ në Libi

Insajderi
13 March 2026 - 17:01
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Sami Lushtaku e bën këshilltar biznesmenin që u panë së bashku me ‘private jet’ në Libi
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ka njoftuar se biznesmeni Astrit Çitaku do të jetë këshilltar i tij i jashtëm.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lushtaku ka bërë të ditur se bashkëpunimi me Çitakun do të vazhdojë edhe në formë zyrtare, duke e përfshirë atë në proceset e vendimmarrjes si këshilltar i jashtëm.

“Me mikun tim Astritin me të cilin kam bashkëpunim të afërt dhe profesional. Përvoja, vizioni dhe këshillat e tij të drejtpërdrejta tani edhe si këshilltar i jashtëm i imi janë mbështetje e rëndësishme në shumë procese vendimmarrëse!”, ka shkruar Lushtaku.

Astrit Çitaku është një biznesmen nga Skenderaj, i njohur për afërsinë me Lushtakun. Të dy ishin parë së bashku edhe në fund të vitit të kaluar gjatë një vizite në Libi, ku u panë në shoqërinë e disa biznesmenëve të tjerë, përfshirë edhe Gaz Demin, biznesmenin kontravers nga Shqipëria dhe presidentin e klubit “Partizani”.

Për Çitaku është raportuar edhe më herët për aktivitetet e tij në fushën e ndërtimit në Skenderaj.

Në dhjetor të vitit 2025, Inspektorati i Punës kishte shqiptuar tri gjoba ndaj kompanisë “Andrra Invest” L.L.C., në pronësi të Astrit Çitakut, në vlerë totale prej 5 mijë eurosh, për shkelje të rregullave të sigurisë dhe shëndetit në punë në një objekt banesor që po ndërtohej në Skenderaj.

Sipas vendimit të Inspektoratit të Punës, gjatë inspektimit ishte konstatuar mungesë e masave të sigurisë në objekt, pasi nuk ishte vendosur skele, nuk ishin mbyllur hapësirat në kontakt me jashtë nga ku rrezikohej rënia e punëtorëve dhe mungonin parmakët në hapësirat te shkallët dhe ashensorët. Për këto shkelje, inspektorët kishin vendosur ndalimin e punimeve në objektin “Andrra Premium”.

Pas ndërprerjes së punimeve, kompania “Andrra Invest” kishte kërkuar lejimin e vazhdimit të tyre, por gjatë riinspektimit ishte konstatuar se masat e kërkuara ishin përmbushur vetëm pjesërisht.

Në riinspektimin e dytë, më 8 dhjetor 2025, inspektorët kishin konstatuar se kompania kishte ndërmarrë masat e nevojshme për sigurinë dhe shëndetin në punë, por gjithashtu ishte evidentuar një tjetër shkelje, pasi punimet kishin vazhduar më herët në kundërshtim me ligjin, ndonëse ishte ende në fuqi vendimi për ndalimin e tyre.

Për kompaninë e ndërtimit “Andrra Invest”, e cila është pronë e Çitakut, Insajderi kishte raportuar edhe për një rast lidhur me reklama të rreme për objektin banesor që po ndërtohej në rrugën “Emin Lati” në qendër të Skenderajt.

Kompania kishte vendosur pano reklamuese që paraqisnin objektin me më shumë kate se sa parashihen në lejen e ndërtimit. Në lejen e ndërtimit thuhet se objekti është i ndarë në dy lamella: Lamella A me B+S+P+7 dhe Lamella B me 2B+P+4.

Megjithatë, sipas reklamave të vendosura nga kompania, objektet paraqiteshin me lartësi nga 10 deri në 12 kate.

Drejtoria për Inspeksion në Komunën e Skenderajt kishte konstatuar se reklamat nuk janë në përputhje me lejen e ndërtimit dhe kishte lëshuar paralajmërim për largimin e tyre.

Drejtori i Inspektoratit Komunal në Skenderaj, Valon Haliti, kishte konfirmuar se reklamat paraqesin një lartësi më të madhe të objektit sesa ajo e paraparë në lejen e ndërtimit.

Ndërkohë, pronari i kompanisë, Astrit Çitaku, kishte mohuar se bëhet fjalë për reklama të rreme.

“Se pari nuk ka rregullore për vendosje të reklamave, e në reklama mund të vendosësh çka të dëshirosh! (Gjithsesi ne kemi vendosur sipas lejes). Nuk ka reklamë të rrejshme aty!”, kishte deklaruar ai.

Punimet për ndërtimin e objektit banesor në rrugën “Emin Lati” në Skenderaj kishin nisur më 20 korrik 2023.

Në shtator të vitit të kaluar Gazeta Insajderi ka raportuar se kompania “Andrra Residence” ka dëmtuar banorët në rrugën “Emin Lati” në Skenderaj, me ndërtimet që po kryente. Ndërsa pas raportimit të Gazetës Prokuroria kishte nisur hetimet ndaj Astrit dhe Arben Çitaku si persona përgjegjës të kompanisë si dhe ishte ngritur aktakuzë ndaj tre zyrtarëve të Komunës së Skenderajt.

Kujtojmë se, Arben Çitaku ishte i arrestuar për korrupsion në rastin “Brezovica” derisa ishte sekretar i Ministrisë së Ambientit në vitin 2022.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark