×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Sami Lushtaku refuzoi të bjerë në llumin e inceneratorëvë të Shqipërisë

    Insajderi
    17 November 2020 - 11:22

    Shkruan: Ermal Mulosmani

    Arrestimi i liderëve kryesorë të UÇK-së ishte padyshim një ngjarje dramatike  për botën shqiptare në të dy anët e kufirit. Një ngjarje që pritej të unifikonte qëndrimet edhe mes kundërshtarëve më të mëdhenj politikë që nuk kanë lënë akuzë pa i bërë nëjri tjetrin. Në këtë histori të çmendur, ku viktima po ndëshkohej më shumë se xhelati, revolta ndaj padrejtësisë nuk duhej kurrsesi të mundte logjikën e ftohtë dhe interesat meskine të momentit duhej të dilnin në plan të dytë, për një kohë tjetër.

    Mirëpo absurdi shqiptar nuk njeh kufinj. Ndërsa politikanët e Kosovës patën një sjellje të admirueshme, pavarësisht dallimeve, në politikën e Shqipërisë u hodh shashka tymuese: “Lulzim Basha ka pregatitë dosjet e luftëtarëve të UÇK-së!

    Flamurin e këtyre akuzave e mban televizioni më i madh në vend, Top Channel. Arsyeja është krejt transparente në sytë e çdo shqiptari sadopak të vëmnedshëm në zhvillimet politike në vend.

    Prej disa muajsh Opozita shqiptare ka provuar me fakte të pakundërshtueshme që, në dhënien e të drejtave koncensionare për inceneratorë (djegës plehrash), Qeveria e Shqipërisë ka shkelur çdo proçedurë prokurimi në interes të koncesionarit fitues. Biznesi kap shifra të frikshme (kalon 480 milionë Euro) dhe ka vetëm një kompani përfituese.  

    Nga ana tjetër, është e provuar me dokumenta, që, përfituesi i këtyre parave buxhetore, Lavdrim Zoto, ka blerë 51% të aksioneve të Lori Caffe, kompani me pronar të njëjtë me atë të  Televizionit Top Channel. Me pak fjalë, pronarët e inceneratorëve dhe ata të Top Channel kanë ligjërisht një kompani të përbashkët , 51% me 49%.

    Ky është sfondi  politik i këtyre deklaratave.

    Kryeministrit Rama dhe sidomos Top Channel-it i duhej një Bashë në mbrojtje, duhej larguar vëmendja pak nga skandali publik.

    Top-i filloi me shpejtësi xhirimin e “dokumentarit investigativ” me dy pjesë të titulluar “Inceneratorët janë të pafajshëm”.

    Një dokumentar “investigativ” i një lloji të padëgjuar ndonjëherë : Në qendër të investigimit nuk ka hajdutë e as vjedhje por mirëmenaxhim, pastërti, çmime të ulëta rekordi në Evropë e broçkulla të tilla. Krahas kësaj mase, reklamat e inceneratorëve u shpërndanë me shpejtësi nëpër televizione e portale për të mbyllë sa më shumë “gojë” të hapura.

    Por, po supozojmë për një çast që nuk i dimë rrethanat që i detyrojnë gazetarët qesharakë të Top-it të udhëtojnë në Krushë të Madhe, , të çirren për vërtetëinë e akuzave e të tmerrohen sa herë dëshmitarët bëjnë lapsuse e dalin nga skenari.

    Dje përpjekjet e hyzmeqarëve servilë kishin gjuajtur Komandantin e UÇK-së, Latif Gashi, i cili  akuzon se në momentet e arrestimit nga UNMIK, atij i është marrë një ditar personal dhe është zhdukur nga drejtësia ndërkombëtare pasi që nuk i konvenonte ta bënte publik.

    Latif Gashi shprehet:

    “Lulzim Basha, të vetmin faj që e ka apo të isha unë në vendin e tij përkthyes, gjatë përkthimit, kur e ka pa që qaq i rëndësishëm është ai ditar për historinë, unë pa e marrë një kopje të tij me e rujtë diku nuk e kisha lanë. A po donë policët e UNMIK me e hup, UNMIK përveçse ka dashtë me e kriminalizu luftën ka dashtë edhe me e zhdukë historinë e luftës çlirimtare”.

    Kaq ishte akuza e Gashit. Me pak fjalë po e akuzonte pse nuk e vodhi ditarin nga prokurorët e të ruante një kopje të tij që do i shërbente historisë. Nuk besoj se ka nevojë për koment se sa e implikon Lulzim Bashën një pretendim i tillë.

    Në gjithë atë batërdi akuzash e sajesash bastarde, spikati gjuha gjakftohte dhe e paanshme e Sami Lushtakut, një nga komandantët më të njohur të UÇK. Ai shpejt e kuptoi se gjendej në kurthin e televizionit dhe u distancua qysh në krye të herës duke thënë:

    Unë mendoj që skena politike në Kosovë dhe në Shqipëri do të duheshin të ishin më unike sepse një pjesë e luftëtarëve të UÇK-së sot janë në burgjet e Hagës. Kjo më bën të ndihem keq edhe unë edhe shqiptarët e Kosovës që është hapë ky debat në një moment kaq të papërshtatshëm për historinë e Kosovës. Unë mendoj që Partitë politike, Kryeministri dhe të tjerët, duhet të ishin me shqiptarët në Kosovë, këto ditë, të takohen me figura politike dhe me miq që i kanë ata në Kosovë që të diskutonin për problemet që i ka Kosva. Unë  mendoj që nuk është vetëm zoti Thaçi dhe të tjerët problem i një partie politike (në këtë moment lëshohet një ofshamë vuajtjeje nga drejtuesja e emisionit, Samiu doli nga skenari komplet) por unë mendoj që ky problem është shumë më i madh sesa kaq. Le ta lëmë ne Bashën që ka bërë punën e vet sepse ne kemi punë më të mëdha…

    Ndiqeni deklaratën e zotit Lushtaku dhe ofshamën tronditëse të moderatores në sekondën 1.23-1.24.https://www.dailymotion.com/embed/video/x7xjl0c

    Në studio ra heshtje varri. Meti dhe Frroku po shihnin telefonat me bezdi, ofshama e drejtueses tregoi më shumë se duhej. Gjakftohtësia humbi, komandanti ishte thirrur për tjetër gjë.

    Unë nuk e kam pa ndonjëherë në televizor por intuita e tij e kapi që po përdorej dhe u shmang. Sot ai është figura qendrore e UÇK-së dhe nuk e ul nivelin në akuza banale mes shqiptarësh për interesa biznesi apo politike të ditës.

    Duhej të ishte një mësim i mirë për servilë.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark