Nga zyrtarët policorë të rajonit Prishtinës, gjatë javës që lamë pas në lokacione të ndryshme dhe aksione të ndara, janë realizuar 195 urdhëresa të gjykatës, prej tyre 43 urdhëresa për vepra penale, ndërsa të tjerat për kundërvajtje, seanca, verifikime etj.
Në përputhje me urdhëresat, pas përfundimit të procedurave policore, personat e dënuar me burgim janë dërguar për vuajtje të dënimit, ndërsa personat e dënuar me gjobë, janë liruar, pasi që ata kanë kryer obligimet e caktuara në urdhëresa.
Aktivitetet policore janë shtrirë edhe në segmente të tjera të sigurisë.
Kësisoj në harkun e njëjtë kohor janë sekuestruar 11 armë zjarri, të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm, si dhe municione të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm.
Ndërkaq aktivitetet policore kanë vazhduar edhe në sferën e sigurisë në trafikun rrugor.
Në po të njëjtën periudhë kohore, kanë rezultuar me shqiptimin e 3350 masave administrative me gjobë për lloje të ndryshme të kundërvajtjeve dhe shkeljeve të kodit rrugor.