Kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Driton Selmanaj, ka kritikuar ashpër qasjen e qeverisë aktuale ndaj Marrëveshjes së Uashingtonit dhe menaxhimin e proceseve të rëndësishme diplomatike të vendit.
Selmanaj ka vlerësuar se Marrëveshja e Uashingtonit nuk ishte thjesht një dokument politik, por një mundësi konkrete për avancimin ndërkombëtar të Kosovës.
Sipas tij, kjo marrëveshje hapte rrugë për diversifikimin e burimeve të energjisë, përfshirë gazin, si dhe për forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit, duke krijuar kushte për njohjen e Kosovës nga Greqia dhe më pas nga pesë shtete të tjera të Bashkimit Evropian.
Ky është postimi i tij i plotë:
Marrëveshja e Uashingtonit nuk ishte thjesht një dokument politik – ishte një derë e hapur për gazin, për energjinë, për njohjen e Greqisë dhe zinxhirin e njohjeve nga pesë shtete të tjera të BE-së.
Ishte një mundësi reale për konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës.
Por kjo qeveri zgjodhi ta injorojë, ta relativizojë dhe ta fshijë nga agjenda shtetërore.
Jo vetëm kaq: sjellja e papërgjegjshme dhe arrogante gjatë aplikimit për Këshillin e Evropës i ka kushtuar rëndë Kosovës – politikisht dhe diplomatikisht.
Kosova ka nevojë për seriozitet, vazhdimësi dhe vizion shtetëror, jo për improvizim dhe izolim.