Përfaqësuesit e dhjetë komunave me shumicë serbe kanë vendosur sot në Zveçan që mos ta njohin Mirjana Jevtiqin për ministre të Pushtetit Lokal dhe kanë hedhur poshtë mundësinë e çfarëdo bashkëpunimi me të, shkruan Klan Kosova.
Në konkluzionet e miratuara unanimisht nga kjo mbledhje thuhet se këto komuna ndërprenë secilin kontakt dhe bashkëpunim me anëtarët e Lëvizjes së Socialistëve në të gjitha institucionet e Kosovës.
Ata fajësojnë këtë subjekt politik për futjen e përçarjes në mes serbëve të Kosovës.
Kryetarët e komunave, përveç Dragan Jablanoviqit të Leposaviqit që nuk mori pjesë në mbledhje, kanë konstatuar se ministri Lubomir Mariq është shkarkuar nga një grup I deputetëve serb dhe kundër vullnetit të shumicës.
Në takimin e sotëm morën pjesë kryetarët e Zveçanit, Veriut të Mitrovicës, Zubin Potokut, Graçanicës, Shtërpcës, Ranillukut, Kllokotit, Parteshit e Novobërdës. Ndërkaq, Leposaviqi përfaqësohej nga kryetari i kuvendit.