Për drejtorin e zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Djuric, është e papranueshme që ende nuk ka një epilog për të gjetur fajtorët e atyre që 15 vite më parë sulmuan autobusin “Nis Express” afër Podujevës, ku mbetën të vrarë 12 serb dhe 43 u lënduan.
“Edhe sot, pasi kanë kaluar 15 vite, nuk janë gjetur autorët e këtij krimi të rëndë, ashtu sikurse nuk janë gjetur autorët e vrasjes së fëmijës serb në Gorazhdec, apo autorët që djegën shtëpitë e manastiret serbe”, ka thënë Djuric.
Për sulmin afër Podujevës është dënuar vetëm Flroim Ejupi i dënuar me 40 vite burg nga një aktgjykim i shkallës së parë, por që ishte liruar në mungesë të provave nga Gjykata Supreme e Kosovës në vitin 2009.
E kjo për Djuric është e patolerueshme.
“Ne presim dhe kërkojmë nga komuniteti ndërkombëtarë dhe autoritetet përkatëse në provincën e quajtur Kosovë për të ripërtërirë hetimet në këtë rast, dhe të gjitha rastet e tjera të ngjashme kur janë sulmuar serbët. Kushdo që ka bërë krime ndaj serbëve duhet të dënohen dhe të marrin dënimin e merituar”, ka thënë Djuric, citon Zyra e Kryeminsitrit serb, Aleksandar Vucic.