×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Serbia refuzoi planin franko-gjerman“ – Përveç Konjufcës edhe Kurti thotë se kjo është arsyeja pse Vuçiq krijoi situatën në veri

    Insajderi
    07 November 2022 - 16:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri Albin Kurti deri sot nuk ka treguar nëse Kosova do e pranoj planin franko-gjerman dhe cili është qëndrimi zyrtar i vendit por situata e krijuar në veri sipas tij vjen si përpjekje e Serbisë për të mbuluar refuzimin që i bënë ata të dielën Parisit e Berlinit. Se Serbia krijoi situatën në veri për ta mbuluar refuzimin e arritjes së një marrëveshje sipas planit franko-gjerman, para pak orësh e tha edhe krye parlamentari Galuk Konjufca

    Kryeministri Albin Kurti, para pak minutash në konferencën për media tha se refuzimi i institucioneve nga Lista Serbe dhe dorëheqjet e një pas njëshme, vinë si përpjekje e Beogradit për të mbuluar refuzimin që I kanë bërë propozimit franko-gjerman, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Ajo çka po ndodh tani është përpjekja për ta ambalazhuar kundërshtimin e propozimit franko-gjerman. Nuk bëhet fjalë as për targa, as për Asociacion, as për suspendimin e Nenad Gjuriqit. Bëhet fjalë vetëm për refuzimin që ata ia kanë bërë Parisit dhe Berlinit”, tha Kurti.

    “Janë intensifikuar kërcënimet dhe përpjekjet e Vuçiqit për destabilizimin e situatës në vendin tonë dhe këto kërcënime janë praktikisht të orientuara në drejtim të qytetarëve të vendit tonë nëpërmjet ngjalljes së frikës dhe panikut”.

    “Me koordinimin e ngushtë që e kanë me Kremlinin dhe Putinin po i përdorin këto metoda”, tha Kurti.

    Tutje, ai ka thënë se Serbia qartazi është e interesuar për ta sabotuar dialogun dhe çdo marrëveshje të arritur.

    “Rruga që e ka zgjedhur është destabilizimi, nuk është rrugë e paqes. Përpjekjet e tilla do të jenë të pasuksesshme sepse shteti jonë është demokratik dhe i rreshtuar me SHBA-të, BE-në e NATO-n. Ka propagandë për lajme të rreme e inskenim të incidenteve të ndryshme nga Serbia”, është shprehur kryeministri.

    Përveç Kurtit të njëjtën e deklaroi edhe krye parlamentari Glauk Konjufca kur foli për dorëheqjet edhe të 10 deputetëve të Listës Serbe, shkruan Insajderi.

    Sipas Konjufcës, Aleksandër Vuçiq nuk është i interesuar për arritje të marrëveshjes me dialog, për këtë edhe ka ardhur edhe refuzimi i institucioneve të Kosovës nga serbët e Lista Serbe.

    “Përpjekja e Vuçiqit e përkthyer politikisht, unë mendoj që ka filluar pikërisht me ditën e djeshme vetëm për një arsye. Mendoj që arsyeja e vërtetë e orkestrimit të këtyre akteve është me mbulu atë që ka qenë thelbësore që ka qenë në ditën e djeshëm e që është se Republika e Serbisë, zyrtarisht e ka refuzuar planin franko-gjerman”, tha Konjufca.

    Sipas krye parlamentarit Konjufca, Serbisë i duhet një fazë e re politike, dhe me situatën në veri është munduar të imponoj fakte të reja.

    Unë mendoj që të gjitha këto Serbia po i orkestron për me fillu një fazë të re politike në Kosovë. Refuzim i planit për normalizim të marrëdhënieve që është propozuar, dhe përpjekje për të kontrolluar një pjesë të territorit të Kosovës, edhe pastaj me imponuar fakte të reja në terren, për të cilat pas republika e Kosovës të dorëzohet. Ne i sigurojmë qytetarët e Kosovës që kjo nuk do të ndodhë”, tha Konjufca.

    Konjufca tha më tej, se pasi që Vuçiqi e ka kuptuar se Asocicaionin me kompetenca nuk mund ta realizoj përmes dialogut e planit franko-gjerman, shkroi në refuzim të institucioneve.

    “Republika e Serbisë e ka refuzuar planin franko-gjerman. Është munduar të realizojë planin për Asociacion me kompetenca ekzekutive, e ka kuptuar që nuk mund ta realizojë me dialog e me planin franko-gjerman. Refuzimi i institucioneve është Plani B i Serbisë. Do të dështojë edhe plani B”, tha Konjufca. 

    Nga ana tjetër lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar kryeministrin, Albin Kurti për mos shtyrjen e vendimit për targat.

    Haradinaj ka thënë se Kurti ka gabuar duke mos e dëgjuar Amerikën pasi sipas tij, kjo e fundit e dinte skenarin që po përgatitej në Serbi.

    “Aleati ynë më i sigurt Amerika duke e ditur skenarin e Serbisë për destabilizim në veri i ka kërkuar Kurtit me pezullu këtë vendim deri në marrëveshje që me e mbajt presionin në Serbi për marrëveshjen që në përmbajtje ka njohjen. Serbia ka arritë sot me e lënë Kosovën pa përfaqësim institucional në veri. Nga kërkesa për tu nënshkruar marrëveshja që ka njohje sot ndërkombëtarët i kërkojnë Kosovës asociacionin”, ka thënë Haradinaj në një konferencë për media, përcjell Insajderi.

    Tutje, Haradinaj ka thënë se Kurti bashkë me demagogët e tij, e kanë kthyer procesin përfundimtar në diskutime për kthimin e serbëve në institucione.

    “I kujt është Albin Kurti dhe për kënd punon qytetarët le ta vlerësojnë vet, unë e kam për detyrë të ua them të vërteten çdo herë. Kthimi nga Amerika është kthimi te rendi e ligji, ikja prej Amerikës është shkuarje në Moskë, s’ke ku shkon tjetër vetëm në Moskë ke me përfundu”, ka deklaruar i pari i AAK-së. 

    Kurse kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka dërguar sot letër Kryeministrit Albin Kurti pas situatës në pjesën veriore të Kosovës, duke i shprehur gatishmërinë e PDK-së për të komunikuar dhe harmonizuar veprimet e institucioneve në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në çdo pjesë të territorit të vendit.

    Në letrën e tij, Krasniqi thotë se situata në pjesën veriore është shqetësuese, me rrezik të përshkallëzimit, ndërsa epilogu nuk është i qartë.

    Andaj, sipas tij, një koordinim i Qeverisë me Opozitën dhe harmonizimi i veprimeve institucionale me partnerët ndërkombëtarë është i domosdoshëm.

    “Kosovës i duhen veprime të përgjegjshme që e ruajnë stabilitetin e shtetit tonë. Me këtë rast, ju shpreh gatishmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të komunikuar hapur dhe në vazhdimësi rreth situatës së krijuar në pjesën veriore të vendit, si dhe për të ndihmuar institucionet në vazhdimin e ushtrimit të sovranitetit në çdo pjesë të territorit tonë”, shkruan Krasniqi. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark